Disa gabime të shpeshta që bëjnë agjëruesit!
Në këtë shkrim dëshirojmë t’i paraqesim disa gabime në të cilat bijnë shumica e agjëruesëve dhe agjërueseve, në të cilat bijnë ose nga injoranca ose nga imitimi i tjerëve.
Para se të fillojmë ti paraqesim këto gabime duhet ditur se secili ibadet bazohet në dy rregulla kryesore:
Një: sinqeriteti ndaj All-llahut [subhanehu ve teala], siç thotë në Kuran: “…andaj ti adhuroje All-llahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!”. (Ez-Zumer: 2).
“Thuaj: “All-llahu më urdhëroi mua drejtësinë dhe në tërësi kthejuni Atij në çdo namaz (lutje) dhe adhurojeni Atë duke qenë të sinqertë në lutje vetëm për të. Ashtu sikur që ju filloi (krijoi) së pari do të ktheheni te Ai”. (El-A’raf: 29).
“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij,..”. (El-Bejjine: 5).
Dy: pasimi i Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], siç thotë All-llahu [subhanehu ve teala]: “Çka t’ju jep Pejgamberi, atë merreni e çka t’ju ndalojë, përmbanju…”. (El-Hashr: 7)
“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhërin e All-llahut t’i bëhet respekt (nga njerëzit) atij”. (En-Nisa: 64)
“Kush i bindet Pejgamberit, ai i është bindur All-llahut”. (En-Nisa: 80).
Pasiqë i kuptuam këto dy rregulla që janë shumë me rëndësi në fenë tonë, atëherë të fillojmë duke i përmendur këto gabime që gjinden tek agjëruesit tanë:
1- Fatëkeqësia ma e madhe e muslimanëve tanë është se agjërojnë, mirëpo namaz nuk falin. Namazi është obligim para agjërimit. Është shtylla kryesore e islamit. Pa namaz në pikëpyetje është vlera e agjërimit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:“Marëveshja mes nesh dhe atyreve është namazi, kush e lë namazin, ka bërë kufër”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerët).
Ne e dimë se agjërimi është obligim për muslimanin, e nëse një njeri del ose ka mundësi të del nga islami me lënje të namazit, me të vërtetë parashtrohet pyetja se sa ka mundësi ti bëjë dobi ky agjërim. Ne nuk jemi duke thënë që muslimani që nuk falet mos të agjërojë, mirëpo pasiqë është duke agjëruar dhe është duke e repsektuar All-llahun në këtë ibadet, që edhe të falet.
All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo gjë të keqe (ose në Gaja)”. (Merjem: 59).
2- Shumica e muslimanëve tanë më tepër rëndësi i japin namazit të teravisë sesa namazeve tjera që i ka obligim. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: dëshmia se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, falja e namazit, dhënja e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi).
3- Disa njerëz nga dëshira për ta falur namazin e teravisë me imam të caktuar, u kalon namazi i jacisë me xhemat, ose ndonjë rekat i sajë. Kjo është gabim dhe vepër e cila nuk lejohet. Ky njeri mer mëkat nëse e din se me këtë vepër do t’i kalon namazi i jacisë. Është për tu habitur fakti se disa njerëz i japin rëndësi më të madhe namazit të teravisë, i cili është sunnet, sesa namazit të jacisë, i cili është farz. Kjo është mashtrim i shejtanit, sepse në këtë mënyrë shkakton që muslimani të mbetet larg kësaj vepre të mirë, që është falja e namazit të jacisë me xhemat. Këtyre njerëzve u themi, keni frikë All-llahun dhe mos toleroni që shejtani tu mashtrojë.
4- Disa njerëz duke marur abdest, shumë pak e shpërlajnë hundën, saqë lirisht mund të thuash se aspak nuk e larë hundën. Këtë e bënë nga frika se mos i shkonë ndonjë pikë uji në fyt.
Mirëpo ata duhet të dijnë se shpërlarja e gojës dhe hundës është prej obligimeve të abdestit, ashtuqë nëse ndokush nuk i shpërlanë këto dy vende, mund të mbetet pa abdest. Për këtë agjëruesi që mer abdest, duhet të shpërlajë hundën dhe gojën mirë, mirëpo duke mos e tepruar, ashtu siç ka porositur Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Mer abdest mirë, lajë vendin mes gishtave, shpërlaje hundën mirë, në përjashtim të rastit kur je agjërueshëm”. (hadithi është sahih, transmeton Tirmidhiu, Ebu Davud dhe të tjerët).
5- Mospërdorja e misvakut duke menduar se kjo e dëmton agjërimin ose ia pakëson shpërblimin.
Përkundrazi, përdorimi i misvakut është sunnet për agjëruesin ashtu siç është sunnet edhe për ate që nuk agjëron, qoftë në fillim të ditës ose pas dite. Argument për këtë janë hadithet që flasin për vlerën e përdorimit të misvakut, duke mos bërë kurnjëfar dallimi mes agjërimit dhe joagjërimit. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Po sikur mos t’i vinte rëndë ummetit tim, do ta urdhëroja të përdorë misvakun në çdo namaz”. (Buhariu dhe Muslimi).
“Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin”. (Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerët).
Kurse Imam Shevkaniu thotë: “Është e pëlqyeshme të përdoret misvaku, qoftë në fillim ose në fund të ditës. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve”. Kurse shejh Muhammed Salih El-Uthjemini thotë: “Agjëruseit nuk i prishte agjërimi nëse përdor misvak, përkundrazi, përdorimi i misvakut është sunnet në çdo kohë, qoftë në fillim ose në fund të ditës”.
Nëse ndokush argumenton me hadithin se “era e agjëruesit është më e mirë te All-llahu sesa era e parfymit”. Kuptimi i këtij hadithi nuk mundet ta rrënon domethënjen direkte të shumë haditheve që urdhërojnë përdorimin e misvakut, qoftë në fillim ose në fund të ditës.
6- Kur të hyjë koha e iftarit, disa njerëz vazhdojnë me lutjet ose bisedat. Kjo gjë nuk është në përputhje me sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Përkundrazi, muslimani duhet të nxitojë me iftar që tu kundërvihet çifutëve dhe të krishterëve. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Njerëzit do të mbesin në të mira, përderisa e nxitojnë iftarin”. (Buhariu dhe Muslimi).
“Do të mbetet feja e fuqishme, përderisa njerëzit e nxitojnë iftarin, sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë”. (hadithi është hasen, transmeton Ebu Davud dhe ibn Hibbani).
E nëse dëshiron të arrishë vlerën e lutjes, atëherë shfrytëzo kohën para iftarit dhe pas iftarit.
7- Ngritja e syve në qiellë gjatë lutjes në kunut. Kjo gjë është në kundërshtim me hadithet e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që tregojnë se njeriu shikimin e tij duhet pasur në vendin e sexhdes. Nga ana tjetër Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Çkanë ata njerëz që i ngrisin shikimin në qiell gjatë namazit të tyre”. Aq shumë e qortoi këtë vepër saqë tha: “Ose nuk do ta bëni këtë vepër ose All-llahu do tua mer shikimin”. (Buhariu).
“Kur ndokush prej jush falet, mos të ngrisë shikimin në qiell, se mund të verbërohet”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi dhe Nesaiu).
Ngritja e shikimit gjatë namazit lart në qiell është e ndaluar, bile disa diejtarë kanë thënë se ai namaz nuk vlen.
8- Fërkimi i fytyrës pas përfundimit të lutjes së imamit në kunut. Fërkimi i fytyrës në këtë pozitë kërkon argument të vërtetë dhe të qartë nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Mirëpo në këtë rast nuk ka argument të tillë. Kurse shumica e dijetarëve kanë thënë se kjo gjë nuk ka bazë në fe. E kanë pyetur Imam Malikun [rahimehull-llah]: një njeri e fërkon fytyrën me duar gjatë lutjes? Është përgjegjur: nuk di se ka bazë kjo vepër. Kurse Imam Mubareku [rahimehull-llah] ka thënë: nuk kam gjetur argument për këtë vepër. E Imam Ahmedi [rahimehull-llah] ka thënë: nuk kam dëgjuar argument për këtë vepër.
Imam Bejhakiu [rahimehull-llah] thotë: sa i përket fërkimit të fytyrës pa duasë së kunutit, nuk di se ndokush nga selefi e ka bërë këtë vepër. Kurse shejhul-Islam Ibn Tejmiu [rahimehull-llah] thotë: nuk ka asnjë agument që tregon se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka fërkuar fytyrën me duar pas përfundimit të lutjes. Për këtë sunnet është që namazliu mos të fërkon fytyrën e tij me duar pas lutjes, duke zbatuar urdhërin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Faluni sikur më shihni duke u falur”.
“Kush mer abdest siç është urdhëruar dhe kush falet siç është urdhëruar, i falen mëkatet që i ka bërë më parë”.
9- Muslimani gjatë lutjes së kunutit nuk duhet pas secilës fjali të thotë amin. Por duhet të dallojë mes fjalive që janë lavdërim për All-llahun dhe fjalive që janë lutje prej All-llahut. Në rastin e parë duhet të heshtë, kurse në rastin e dytë duhet të thojë: amin.
Muhammed ibn Hesr El-Merveziu tregon se Muadh El-Kari, sahabe i vogël i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], të cilin Omeri [radijall-llahu anhu] e kishte caktuar si imam për tu falur muslimanin namazin e teravisë. Kur bëri dua, mes tjerash tha: All-llahu ynë, thaje shiun. Ata që ishin pas thanë: amin. Pasi e kreu namazin u tha: unë thashë: All-llahu ynë, thaje shiun, e ju thatë: amin. Vallë nuk dëgjoni se çka jam duke thënë!
10- Prej gabimeve të përhapura me të madhe anë e mbanë botës islame në ramazan është falja e shpejtë e teravisë. Namaz në të cilin nuk plotësohet leximi i Kur’anit, e as rukuja dhe sexhdeja. Disa me qëllim që të lexojnë sa ma tepër Kur’an, e disa që ta kryejnë sa ma tepër. Kjo është në kundërshtim me sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Përkundrazi është obligim që namazi të falet ngadal dhe secilit rekat t’ia jep hakun në lexim, ruku dhe sexhde. Kjo është namazi i cili mund të pranohet te All-llahu përndryshe, ai namaz nuk pranohet te All-llahu.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pa një njeri duke u falur shpejt e tha:
“Po të vdes ky njeri në këtë gjendje, nuk do të vdes sipas mil-letit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]”. (Hadithi është hasen, transmeton Ebu Jala, Bejhakiu dhe Taberaniu).
Dhe thoshte: “Vjedhësi ma i keq është ai që vjedh nga namazi i tij. Thanë: o I Dërguar i All-llahut, si ka mundësi njeriu t ëvjedh nga namazi i vet? Tha: Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden”. (Hadithi është sahih, transmeton Taberaniu, Hakimi dhe të tjerët).
Dijetarët kanë thënë se është e urrejtur imami të falet shpejtë saqë njerëzit që falen pas tij mos të kanë mundësi t’i plotësojnë edhe sunnetet. Atëherë çka të themi për ata imama që nuk u mundësojnë njerëzve të plotësojnë edhe farzet.
Imami duhet t’i frikohet All-llahut dhe të falet ngadal, sepse nëse ia qëllon ai fiton shpërblim edhe xhemait, e nëse gabon ai mer gabim, kurse xhemati shpërblim.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka përmendur shumë hadithe ku u tërhiqet vërejtja muslimanëve nga nxitimi në namaz. Imam Mundhiriu në librin e tij “Et-Tergibu vet-Terhibu”, i ka përmendur mbi 30 hadithë që kanë të bëjnë me këtë temë.
11- Prej gabimeve është edhe zgjatja e tepërt e lutjeve të kunutit. Kjo gjë është vështirë për muslimanët dhe u shkakton dëme. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar të kihet parasysh gjendja e namazlive duke thënë: Kur ndokush prej jush u fal namazin njerëzve le të falet shkurt, sepse pas vehte ka njerëz të dobët, të sëmurë, të vjetër, nevojtar, e kur të falet vet, le ta zgjasë sa të dëshiron”. (Buhariu dhe Muslimi).
12- Ngritja e madhe e zërit gjatë lutjes. Kjo është në kundërshtim me sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë”. (El-A’raf: 55).
Imam Kurtubiu thotë: “teprimi në lutje ndodhë në disa mënyra, njëra prej tyre është bërtitja gjatë lutjes”. Kurse Ibn Kethiri [rahimehull-llah] thotë: Ibn Xhurejxhi ka thënë: është e urrejtur yë ngritet zëri dhe të bërtitet gjatë lutjes, por urdhërohet besimtari të lutet i mposhtur dhe me butësi.
Ebu Musa El-Eshariu [radijall-llahu anhu] thotë: Ishim duke ecur me Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kur kalonim luginat, thonim la ilahe il-lall-llah dhe All-llahu Ekber me zë të lartë. Atëherë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: O ju njerëz! Mëshironi vetveten, sepse ju nuk jeni duke lutur shurdhan e as qenie që nuk është e pranishme, por është me ju, Dëgjon dhe është afër”. (Buhariu).
All-llahu ynë na prano agjërimin dhe namazin tonë. Na prano atë që kemi bërë deri tani dhe na ndihmo në atë që na ka mbetur. All-llahu ynë, bëre këtë muaj, muaj të të mirave dhe bereqetit për islamin dhe muslimanët.
Dhe në fund do t’i përmendim disa vërjetje në mënyrë të shkurtër, e të cilat kanë të bëjnë me agjëruesit dhe agjërueset.
~ Dhënia rëndësi dobive shëndetësore dhe shoqërore të agjërimit dhe të harruarit se agjërimi është lloj i veçantë i adhurimit të Allahut [subhanehu ve teala].
~ Të bërit natën ditë, e ditën natë me pagjumësi gjatë natës dhe fjetje gjatë ditës.
~ Të fjeturit në kohët e namazeve farz, e sidomos në kohën e namazit të drekës dhe atë të ikindisë.
~ Harxhimi i tepruar në ushqime dhe në llojllojshmërinë e tyre.
~ Të humburit e kohës në gjëra të kota dhe të padobishme.
~ Syfyri i hershëm dhe fjetja për namaz të sabahut.
~ Vozitja e shpejtë e mjeteve të udhëtimit pak para kohës së iftarit.
~ Nevrikosja e tepërt gjatë agjërimit, fyerja dhe ofendimi i të tjerëve.
~ Moskryerja e plotë e namazit të teravisë [më pak se tetë rekate] .
~ Mbledhja nëpër çajtore dhe kafene për lojëra dhe fjalë të kota.
~ Dëmtimi i agjërimit me gënjeshtra, përgojim, bartje të fjalëve dhe shaka të ndaluara.
~ Shfrytëzimi i Ramazanit si rast për fjetje, përtaci dhe moslëvizje.
~ Ibadeti në Ramazan dhe mospërfillja e tij para dhe pas Ramazanit.
~ Prezenca në xhamia gjatë Ramazanit dhe lënia e saj pas Ramazanit.
~ Disa njerëz merakosen nëse hanë dhe pinë pa qëllim duke menduar se e kanë prish agjërimin ose nuk e kanë të plotë atë, edhe pse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e ka bërë të qartë se nuk prish gjë, ngase atë e ka ushqyer dhe ia ka shuar etjen Zoti i tij.
~Disa njerëz merakosen nëse zgjohen nga gjumi xhunubë (të papastër) duke menduar se kjo gjë e dëmton agjërimin e tij, ndërsa Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shpeshherë e ka zënë agimi duke qenë xhunub, e pastaj është larë dhe ka vazhduar agjërimin e tij.
~ Disa njerëz i bëjnë haram marëdhënie me gratë e veta gjatë netëve të Ramazanit, edhe pse All-llahu i Lartësuar thotë : “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi grave tuaja,…”.
~ Disa njerëz i ndalojnë fëmijët e tyre të cilët nuk janë të moshërritur nga agjërimi duke u frikuar për ta se mos po lodhen, edhe pse sahabët, All-llahu qoftë i kënaqur me ta, i kanë urdhëruar fëmijët e tyre me agjërim, edhe pse fëmijët e tyre kanë qenë të vegjël, ashtu që kur kan qarë fëmijët e tyre prej urisë u kanë dhënë lojëra që të mashtrohen dhe që ta harrojnë ushqimin.
VËREJTJE AGJËRUESEVE
~ Të kaluarit shumicen e kohës në kuzhinat e tyre dhe mosshfrytëzimi i këtyre rasteve të mëdhaja që të pajisen me devotshmëri .
~ Disa prej grave i marrin fëmijët e tyre të parehatshëm në xhami me ç’rast u pengojnë atyre që janë duke u falur .
~ Disa prej grave lidhen në namaz pas imamit, edhe pse u kanë kaluar një apo më teper reqate, kur jep imami selam edhe ato japin selam. Ndërsa, ajo që kërkohet prej tyre është plotësimi i reqateve të cilat u kanë mbetur pa falë.
~ Mosdrejtimi i safëve dhe plotësimi i tyre dhe lënia e zbrazëtirave mes safeve të tyre kur janë në xhami.
~ Disa prej grave mundohen që të jenë sa më të devotshme gjatë këtij muaji, por nëse ju paraqiten atyre menstruacionet, i braktisin të gjitha punët e mira, edhe pse disa prej tyre janë të lejuara, siç janë: të bërit dua, dhikër, istigfar, tespih, të dhënurit sadaka, të dërguarit salavat mbi Muhammedin [alejhis-selam], të bërit mirë farefisit dhe njerëzve, të ruajturit e gjuhës prej thashethemeve e tj.
~ Të parfymosurit e disa grave gjatë shkuarjes së tyre në xhami, të cilën gjë e ka ndaluar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] .
~ Disa prej grave i ngritin zërat e tyre në xhami duke biseduar, duke bërë dua ose duke qarë, gjë që është e ndaluar pasiqë edhe kjo eshtë njëlloj i fitnes prej të cilës ka ndaluar All-llahu [subhanehu ve teala]
~ Shumica e grave angazhohen me gibet, përgojim dhe me thashetheme në muajin e Ramazanit me të cilën gjë e humbin sevapin e agjërimit dhe mbushen me mëkate
~ Disa prej grave muajin e Ramazanit e bëjnë muaj të përtacisë dhe gjumit, ashtu që shumicën e kohës e kalojnë në gjum, ashtu që aspak nuk i ndiejnë kënaqësi muajit të Ramazanit, po madje as që e kuptojnë hikmetin (urtësinë) e tij .
~ Disa prej grave nuk kujdesen aspak për vajzat e tyre të cilat hynë në moshën e pjekurisë, pasiqë siç e dimë nëna e ka për obligim që t’ia mësojë regullat e pastrimit mujor dhe kur e ka të lejuar të agjërojë e kur jo, ashtu që shpeshherë ndodhë që vajza e re të agjëron, edhe pse nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, por e bën prej mosdijes së regullave .
~ Të dalurit e grave në treg gjatë muajit të Ramazanit, e sidomos në dhjetë ditët e fundit të tij me arsye se duhet përgatitur për Bajram, gjë që i shkelë normat fetare dhe vjen deri te humbja e kotë e kohës dhe sevapit.
Disa hadithe të dobëta të cilat përmenden shpesh gjatë muajit të Ramazanit, e të cilat nuk i ka thënë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]
- Gjumi i agjëruesit është ibadet.
- Agjëroni nëse dëshironi të jeni të shëndoshë.
- Kush e ha një ditë të Ramazanit pa arsye, nuk mund ta zëvendëson atë, madje edhe nëse agjëron tërë jetën.
- Sikur ta dinin njerëzit se ç’është Ramazani, do të kishin dëshiruar që tërë viti të jetë Ramazan .
- Për çdo gjë ka zekat, e zekati i trupit është agjërimi .
Bekir Halimi
albislam.com