BallinaPraktikaNamaziDisa rregulla të ditës së xhuma

Disa rregulla të ditës së xhuma

Disa rregulla të ditës së xhuma

1. Leximi i sures Sexhdeh dhe Insan në namazin (farzin) e sabahut të ditës së xhuma.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se ka thënë: “I Dërguari i Allahut në sabahun e ditës së xhuma lexonte suret Sexhde dhe Insan” (Transmeton Buhariu).

2. Të shtuarit e salavateve mbi të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) natën e xhumasë dhe gjatë ditës.

Transmetohet nga Eus ibn Eus se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet një nga ditët tuaja më të mira është dita e xhumas. Në këtë ditë është krijuar Ademi (alejhi selam) dhe në të ka vdekur; në këtë ditë do t`i fryhet surit (do të jetë Dita e Kiametit) dhe në këtë ditë do të ringjallen njerëzit, prandaj shtoni salavatet ndaj meje…” (Transmetojnë: Nesaiu, Ahmedi dhe Ebu Daudi. Hadithin e ka bërë sahih shejh Albani) .

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë “Ai i cili dërgon salavat mbi mua një herë, për të dërgon salavat Allahu dhjetë herë” (Transmeton Muslimi)

3. Marrja gusul (të pastruarit) në ditën e xhuma.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Të pastruarit në ditën e xhuma është obligim për çdo të rritur (që ka hyrë në moshën madhore), gjithashtu edhe përdorimi i misvakut (pastrimi i dhëmbëve) dhe e erërave të mira (parfumeve)…”(Transeton Muslimi)

Përdorimi i parfumeve dhe erërave të mira.
Argumenti për këtë është hadidhi i mësipërm.

Të pastruarit e dhëmbëve.
Kjo bëhet me misvak ose me furçë të dhëmbëve. Shiko hadithin për gusulin.

Arritja në xhami për të falur xhumanë sa më herët.
I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur të vijë dita e xhumasë në çdo derë të xhamisë qëndrojnë engjëj që i shënojnë ata që arrijnë në të një nga një dhe kur ulet imami i mbyllin shënimet dhe afrohen për të dëgjuar. Shembulli i atij që arrin më herët është sikurse të flijojë (bëjë kurban) një deve, ndërsa shembulli i atij qe vjen pas tij sikurse të flijojë një lope, pastaj një dele, pastaj një pulë dhe kush arrin në kohën e fundit është sikur të jepte një vezë.” (Muslimi)

Sfrytëzimi i kohës para hipjes së imamit në hytbe me namaz (nafile) dhe dhikër.
I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush pastrohet ditën e xhuma dhe vjen në xhami e falet derisa të hipë imami në hutbe, pastaj e dëgjon imamin me vëmendje deri në fund, pastaj falet me të (farzin e xhumase), i falen atij mëkatet deri në xhumanë e javës së ardhshme dhe tri ditë më shumë”. (Muslimi)

Ndalimi i bisedës me shokun gjatë hutbes.
Prej atij momenti që imami të hipë në hutbe nuk lejohet biseda, derisa të zbresë nga ajo, edhe nëse shoku i afërt bisedon me dikë, nuk lejohet tërheqja e verejtjes. I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nëse i thua shokut tënd ditën e xhuma kur imami është në hutbe: Hesht…! Vetëm se ke thënë fjalë të kotë.” (Buhariu)

Leximi i sures Kehf në atë ditë.
I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush lexon suren Kehf ditën e xhuma, do t’i bëhet dritë atij Ditën e Kiametit prej nënkëmbëve të tij deri në qiellin e lartë dhe do t’i falen mëkatet deri në xhumanë tjetër”.(Hadithi është i vërtet. Transmetojnë: Hakimi, Bejhakiu dhe Darimiu.)

Përgatiti: Alaudin Abazi

Must Read