BallinaPraktikaRamazaniDYERTË QIELLORE TË HAPURA GJATË RAMAZANIT

DYERTË QIELLORE TË HAPURA GJATË RAMAZANIT

DYERTË QIELLORE TË HAPURA GJATË RAMAZANIT

Muaji Ramazan është muaj i mirësive të shumta. All-llahu e bëri të dallojë për mundësitë e shumta që ofron për besimtarin që të shpëtojë në këtë dhe botën tjetër. Pothuajse nuk ka karakteristikë të këtij muaji që në një ose formë tjetër nuk i dedikohet këtij qëllimi. All-llahu dëshiron çdoherë që robi i Tij t’i kthehet me pendim, sinqeritet e përkushtim, veçmas në këtë muaj kur mëshira e Tij është më e theksuar se kurdoherë më parë. Agjërimi nuk është bërë obligim për tjetër vetëm se që t’i kthehemi All-llahut, respektivisht fesë së Tij, rregullave, mësimeve dhe porosive që Ai na i përcolli në Kur’an dhe në Sunnet. Thotë All-llahu:

“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ”
O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [El-Bekare: 183]

Nga mundësitë e shumta që ofron Ramazani, tri do t’i veçoja për shkak të rëndësisë që kanë. Bëhet fjalë për tri dyer të llojit të vet. Tri dyer që kanë ardhur në mënyrë figurative, sikur shenjat në rrugë, për të na treguar vendet kah depërtohet tek All-llahu i Madhëruar.

Dera e parë: Dera e mëshirës

Dera e parë që na është hapur për tek All-llahu është dera e mëshirës. Ka thënë Profeti Muhammed [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

إذا جاء رمضان فتحت أبواب الرحمة”

Kur të vijë Ramazani, hapen dyert e mëshirës…”

Përse dera e mëshirës?

Çfarë simbolizon ajo?

Mëshira e All-llahut është gjëja më e rëndësishme në jetën e besimtarit. Pa të nuk mund të shkojmë askund. Edhe po të jemi adhuruesit më të mëdhenj, prapë kemi nevojë për mëshirë. Profeti Muhammed [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Askënd nuk e fut në Xhennet vepra e tij. A as ty (që je njeriu më besimtar në tokë)?!- e pyetën me habi shokët. As mua, me përjashtim nëse All-llahu më mbulon me mëshirën e Tij- u përgjigj.”

Pra, të gjithë ne, të devotshëm e mëkatarë, kemi nevojë për mëshirën e All-llahut dhe ja, tash në Ramazan, dera e saj na është hapur. Zoti na thërret që t’i përgjigjemi thirrjes së Tij që të shpëtojmë. Mëshira e Tij është më e madhe se hidhërimi. Përmasat e saj na janë treguar në Kur’an dhe Sunnet. All-llahu thotë:

“قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّـهِ إِنَّ اللَّـهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” [Ez-Zumer: 53]

Jo vetëm kaq, të mos shpresosh në mëshirën e All-llahut është mbase mëkati më i madh. Thotë All-llahu:

“وَلَا تَيْأَسُوا مِن رَّوْحِ اللَّـهِ إِنَّهُ لَا يَيْأَسُ مِن رَّوْحِ اللَّـهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْكَافِرُونَ”

“…dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” [Jusuf: 87]

Ndërsa Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: ‘…Mëshira Ime tejkalon hidhërimin Tim.’

Në një rast tjetër na përshkruan në mënyrë figurative thirrjen për pendim e thotë:

“إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ جَعَلَ بِالْمَغْرِبِ بَابًا مَسِيرَةُ عَرْضِهِ سَبْعُونَ عَامًا لِلتَّوْبَةِ ، لا يُغْلَقُ مَا لَمْ تَطْلُعِ الشَّمْسُ مِنْ قِبَلِهِ”

“…Vërtetë, All-llahu kah ana perëndimore ka bërë një derë të pendimit, gjerësia e të cilës është sa distanca (kohore e ecjes së kalorësit)5 shtatëdhjetë vite, e cila nuk mbyllet pa lindur dielli nga perëndimi…”6

Meqenëse na janë dhënë shpjegime figurative, do të doja që këtë ‘derë të Ramazanit’ ta shpjegoj me një shembull të thjesht që ta kuptojmë esencën dhe madhështinë e tij, ta kuptojmë se për çfarë thirrje bëhet fjalë dhe se sa i pafat e i mjerë është ai mëkatar që e sheh veten më të madh se kjo derë. Mëkatet i ngjajnë një grope, në të cilën ka rënë njeriu ndërsa mëshira e All-llahut dhe pendimi janë litar dhe shkallë që i janë lëshuar të ngjitet e të del prej saj. Çfarë mendoni, nëse një njeri i tillë vazhdon të ngelë nde në gropë me arsyetimin se nuk po gjen forcë të del prej saj ndërsa ka shkallët dhe litarin përpara, a nuk është i mjerë?! A nuk është i pafat ai që mbyll sztë para këtij litari të All-llahut që na është lëshuar në këtë muaj që të dalim nga humnera e mëkateve? Për këtë shkak, Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] e ka quajtur të privuar dhe të nënçmuar atë që ka këtë shans para vete ndërsa nuk shpëton.

Dera e dytë: Dera e lutjes

Dera e dytë qiellore është dera e lutjes. Ka thënë Profeti Muhammed [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

“إذا جاء رمضان فتحت أبواب السماء”

“Kur të vijë Ramazani, hapen dyert e qiellit…”

Lutja ka rëndësi të madhe në fe. Ajo shpreh lidhjen e robit me Krijuesin. Shpreh varësinë e të parit nga i dyti dhe nevojën e përhershme të tij për Të. Është gjëja në të cilën gjen ngushëllimin por edhe krenarinë: ngushëllimin, sepse me dua e lutje, gjen zgjidhje përproblemet e veta, ndërsa krenarinë, sepse me dua ai nuk i përulet krijesave, nuk skuqet para tyre, nuk troket në derën e atyre që ndoshta duan ta shohin të poshtëruar e të përbuzur. Ai troket në derën e All-llahut, i Cili, siç ka thënë Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]: “turpërohet t’ia kthejë duart (lutjen) bosh robit të Vet!” Madje, ‘Kush nuk e lut All-llahun (nuk lyp prej Tij), All-llahu i hidhërohet atij.’

Në Kur’an, All-llahu na shpjegon se si ndërmjet Tij dhe robit nuk ka lënë ndonjë ndërmjetësues. Thotë All-llahu:

“وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُوا لِي وَلْيُؤْمِنُوا بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ”

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” [El-Bekare: 186]

Dhe këtu qëndron madhështia. Ta lusësh All-llahun, nuk ke nevojë për ndërmjetësues. Mjafton t’i përmbahesh etikës fetare dhe ta lutësh. Në muajin e Ramazanit kemi edhe më shumë arsye ta lusim, sepse, përveç tjerash, kemi një derë të veçantë të lutjes, nëpërmjet të cilës depërtojnë më shpejt dhe më sigurt lutjet tona. Ka thënë Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

“ثلاثة لا تُرد دعوتهم: الإمام العادل، والصائم حتى يفطر، ودعوة المظلوم”

“Tre vetave nuk iu refuzohen duatë: prijësit të drejtë, agjëruesit derisa të prish agjërimin e tij (hajë iftar) dhe lutja e të dëmtuarit (atij që i është bërë padrejtësi).”

Bazuar në këtë, kush nuk e shfrytëzon këtë derë për të shpëtuar, është vërtetë i privuar. Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“أعجز الناس من عجز من الدعاء”

“Njeriu më i dobët është ai që ka shfaqur dobësi në dua (bërjen e saj)…”

Dera e tretë: Dera e Xhennetit

Dera e tretë është dera e Xhennetit. Ka thënë Profeti Muhammed [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

“إذا جاء رمضان فتحت أبواب الجنة”

“Kur të vijë Ramazani, hapen dyert e Xhennetit…”

Sigurisht, që të tri këto dyer janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Mëshira, lutja dhe kjo e treta që ka të bëjë me veprat. Xhenneti ka tetë dyer:

1- derën e namazit,

2- derën e xhihadit,

3- derën e agjërimit,

4- derën e sadakasë (lëmoshës),

5- derën e mbështetjes në All-llahun për çdo gjë,

6- derën e respektimit të prindërve,

7- derën e dhikrit (thënies shpesh të La haule ve la kuvete il-la bil-lah)

8- derën e haxhit (ose derën e pendimit)

Këto tetë dyer janë të lidhura për veprave përkatëse dhe hadithi na thërret që të garojmë në vepra të mira. ‘Në Ramazan hapen dyert e Xhennetit…’ nënkupton thirrjen për të bërë punë të mira dhe jo vetëm. Thirrje bëhet edhe për garë në këto vepra. Ato janë të atilla –falënderuar qoftë All-llahu!- që askush prej nesh nuk mund të ankohet se nuk ka mundur të përvetësojë njërën prej tyre dhe të dallohet në të. Nëse nuk ke pasuri, ke fuqi fizike për namaz; nëse nuk ke fuqi fizike, mund të bësh dhikr. Pra, mundësi që ta fitojmë një derë të Xhennetit me veprat tona.

Një besimtar që ka para vete këto tri dyer dhe nuk arrin të hyjnë në Xhennet nëpërmjet tyre, ai vërtetë është i privuar!

Hoxhë Sedat Islami

Must Read