BallinaARTIKUJHadith dhe SunetEdhe kjo i pat ndodhur Profetit sal-lallahu alejhi ue selem

Edhe kjo i pat ndodhur Profetit sal-lallahu alejhi ue selem

Transmetohet nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se:

“Të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, i bënë magji pasojë e së cilës ishte fakti se atij i dukej sikur ka punuar gjëra të cilat në fakt nuk i bënte”

Këtë hadith e shënon imam Buhariu në disa vende në sahihun e tij: nr. 3175, 3268…Muslimi, nr. 2189, etj.

Hadithi është i saktë pa kurrfarë dyshimi, këtë e përmenda sepse pati disa pasues të epshit dhe të biateve që gjuajtën fjalë për këtë hadith dhe ngjarje të vërtetë.

Komenti i hadithit:

Ky hadith fletë për një tem mjaft të gjatë dhe në vete ngërthen shumë çështje, mirëpo duke mos pasur mundësi t’i shtjellojmë të gjitha ato pika atëherë në të do të veçojmë me përmendje gjërat që do t’i cekim në vijim:

1-kjo ngjarje është e vërtetë dhe të besuarit se ajo i ndodhi Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, është pjesë e besimit të Ehli Sunetit ndërsa të kundërshtuarit e saj është veti e pasuesve të bidatit prej muëtezilëve dhe sekteve tjera.

2-hadithi në fjalë argumenton se magjia është e vërtetë dhe ajo ekziston si dhe mund të ketë efekt negativ tek njeriu. Pati sekte që e mohuan ekzistimin e saj dhe për fat të keq nën ndikimin e kësaj bindje kanë rënë edhe shumë vendas tonë të cilët i dëgjon duke rrahur gjoks e duke thënë: “Magjia nuk ekziston, nëse ka diç të tillë atëherë unë i sfidoj magjistarët le t më bëjnë mua diçka të keqe”. Fjalët e tilla nuk janë urtësi dhe mësime profetike por obligim i besimtarit është ta besojë ekzistencën e saj e cila është e argumentuar me ajete kuranore dhe hadithe të panumërta. Në anën tjetër nuk duhet ta sfidojë askënd paraprakisht por në të njëjtën kohë të mos frikësohet nga askush përveç Allahut dhe të ketë mbështetje tek Ai duke qenë i bindur se asgjë nuk ndodhë ndrysh veçse me caktimin dhe dëshirën e Tij.

3-Në të përmendet se Lebid ibën Asami. Ky ishte njeriu i cili i bëri magji Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem. Ai ishte magjistarë i njohur me prejardhje arabe prej fisit Hazrexh që jetonin në Medine dhe para ardhjes së Profetit në këtë qytet ky fis kishin lidhur koalicion apo vëllazëri me çifutët. Me të ardhë Profeti në Medinë fisi i tij e pranuan Islamin dhe përmendet se edhe ai bashk me ta e shfaqi Islamin e tij por në fakt në brendësi kishte mbetur çifut. Kështu bashkohen argumentet që thonë se ai ishte mynafik me të tjerat që përmendin se ishte çifut.

4-Në disa vende ceket se çifutët deshën disa herë t’i bëjnë magji Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, por nuk kishte efekt magjia e tyre derisa e lutën Lebidin dhe u morën vesh që t’ia jepnin tre dinarë (ari) ofertë me të cilën ra dakord ky magjistarë dhe e bëri sherrin e tij.

5-Vakidiu, ky dijetar Islam përmend se viti në të cilin ka ndodhur kjo ngjarje është pas kthimit nga beteja e Hudejbijes pra ajo betejë ndodhi në muajin Dhul Hixhe ndërsa kjo ngjarje në muajin e parë (Muharrem) të vitit të shtatë sipas Hixhretit. Allahu e di më së miri!

6-Magjinë e bëri me krahërin e Profetit dhe flokët e tij që kishin mbetur në të të cilat pastaj i hodhi në pusin Dhervan. (pus në një kopsht të Medinës).

7-nga kjo sëmundje Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, rënkoi gjashtë muaj, edhe pse në një vend ceket dyzet ditëshi por në fakt transmetimet e sakta e përmendin gjashtë muajshin e dis dijetarë bashkojnë mendimet duke thënë se me dyzet ditë është për qëllim koha kur Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, e mori më seriozisht këtë çështje dhe në të cilën lutej për shërim.

8-në natë duke qëndruar në shtëpinë e Aishes u lut shumë gjatë që të shërohej e Allahu ja pranoi lutjen duke ja dërguar dy melek njëri tek koka e tjetri tek këmbët të cilët bisedonin mes vete dhe e treguan personin dhe vendin e magjisë. Këta dy melek thuhet nëpër disa vende se ishin Xhebraili dhe Mikaili.

9- Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, i dëgjoi të gjitha bisedat e tyre se çfarë thanë. Dijetarët kanë disa mendime se a ishte zgjuar apo në gjumë kur ndodhi kjo histori e kësaj bisede. Disa mbrojtën mendimin e parë e t tjerët atë të fundit. Por sido që të jetë Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ose ishte i shtrirë por akoma i zgjuar, ose syri i tij ishte në gjumë ndërsa zemra jo (realitet e posaçëm për të që ceket nëpër disa hadithe) ose tek e fundit edhe nëse ka qenë në gjumë dhe i ka parë në ëndërr prej besimit të Ehli Sunetit është fakti se ëndrrat e Profetëve janë shpallje, realitet ky i cili më të freskët na e mbanë në kujtesë rastin e Ibrahimit, alejhi selam, me urdhrin e prerjes së djalit të tij, Ismailit.

10-Në disa hadithe fjala magji është e përgjithësuar, mirëpo në transmetimin e Sufjan ibën Ujejnes, (njëri nga hafizët më të mëdhenj të hadithit) sqarohet apo definohet lloji i saj. Aty thuhet se Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, i dukej sikur i afrohej bashkëshorteve të tij (sikur kishte bërë me to gjëra intime të cilat në fakt nuk i kishte bërë). Pra imagjinonte gjëra që nuk ishin realitet rreth intimitetit. Kështu që nuk duhet të lindin dyshime, siç edhe ndodhi me pasuesit e epsheve dhe bidatit, të cilët e mohuan këtë realitet që kishte ndodhur veç për faktin se nëse kjo është e vërtetë atëherë ka mundur që të ndikojë edhe në çështjet e shpalljes. Mirëpo ai, sal-lallahu alejhi ue selem, në çdo gjë të fesë ishte i mbrojtur nga Zoti si në shpallje ashtu në namaz etj. ndërsa kjo lloj imagjinate i paraqitej vetëm në pikën që u përmend më lartë.

11-lloji i magjisë ishte përmes marjes së gjësendeve të njeriut e pastaj lidhja nyje e tyre si dhe këndimi i fjalëve të kufrit dhe lutja e shejtanëve me adhurim që të ndikojnë tek personi në fjalë.

12-Dijetarët përmendin se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, gjatë kësaj sprove kishte vepruar në mënyrën më efikase të kërkuar nga mësimet e fesë sonë dhe formë kjo profetike e cila duhet të jetë mësim për neve dhe praktikë jetësore. Fillimisht ai e pranoi caktimin apo kaderin e Allahut pra sprovën që e kishte goditur. Pastaj bëri sabër ndaj saj dhe ju mbështet Allahut. Ndërsa në fund kur e pa se ajo mund ta dobësonte dhe të ishte shkak për ta larguar nga disa adhurime të caktuara, pra mund të kishte edhe ndikime anësore atëherë e ndërmori hapin tjetër atë t kërkimit shërim por edhe në këtë rast nuk kërkoi rukje (lexim Kurani) nga askush por direkt e kërkoi shërimin nga Zoti pra shkalla më e lartë e mbështetjes dhe e nënshtrimit.

13-Shërimi i këtij lloji magjie, dhe i magjisë në përgjithësi zakonisht ndodhë në njërën nga këto dy forma që janë bazë:

a) Përmes duasë, lutjeve të ndryshme, leximit të Kuranit etj. ku përmes të cilave Allahu ta shërojë njeriun dhe kështu magjia edhe pse në fakt akoma ekziston por ajo nuk ka ndikim tek personi të cilit i është bërë magji.

b) Përmes gjetjes së magjisë dhe prishjes së saj. Duke i zgjidhur nyjet nëse ka nyje, duke e djegur apo duke vepruar gjëra tjera të cilat i sheh të arsyeshme apo të nevojshme personi adekuat që merret me to (hoxha ose dikush tjetër). E para është më e vështirë se e dyta sepse Zoti na faltë neve njerëzve por jemi të dobët në besim dhe mundësia për të na u përgjigjur Allahu shpesh është e vështirë, e tërë kjo për shkak të mëkateve tona.

Profeti ynë në rastin e tij gjeti shërimin përmes metodës së parë, për këtë shkak edhe:

14-Ai shkoi tek pusi ku gjendej magjia por nuk e nxori atë prej tij. Pusit po i vlonte uji nga dëmi i magjisë dhe hurmat që gjendeshin në të ishin shndërruar sikur në koka djajsh nga e keqja që barte në vete ai krahër. Kështu Profeti nuk e nxori magjinë (edhe pse në disa transmetime ceket e kundërta) e kjo për disa arsye:

a) Ai tha se kisha frikë prekja e saj mos do ta dëmtonte ndokend.

b) Tash veçse ishte shëruar nga ajo lloj magjie kështu nuk ishte e nevojshme që patjetër të prishej.

Por megjithatë ai tha urdhër që ai pus të mbyllej i tëri dhe askush të mos e shfrytëzonte për asgjë, pra kjo për faktin që njerëzit të ishin sa më larg të keqes dhe ishte obligim i prijësit të tyre që të kujdesej për ta edhe pse nevoja për sa më shumë puse dhe për ujë ishte prezent në mesin e tyre.

15-çfarë ndodhi me magjistarin, Lebid ibën Asamin?

Nuk ceket se atij i bëri diçka. Dijetarët e komentojnë me njërën prej këtyre dy shkaqeve të cilat që të dyja së bashku mund të jenë të sakta:

a) Lebidi paraqitej si mysliman e në fakt ishte mynafik, e kjo e ndalte Profetin të ta mbyste sepse njerëzit përreth Medinës mund të thonin: Muhamedi po i mbyt shokët e tij, propagandë kjo të cilën e kishte parasysh Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe politikë që kujdesej në shumë raste për ë, ngase tek jomyslimanët mund të ndikonte negativisht që të largoheshin nga pranimi i fesë sepse ata nuk e dinin kush ishte në fakt Lebidi apo ndonjë mynafik tjetër.

b) Sepse Profti, sal-lallahu alejhi ue selem, veçse ishte shëruar prej saj magjie dhe zakonisht ai nuk hakmerrej për veten e tij personale gjë e cila ishte e njohur nga ai në shumë raste ashtu ndodhi me njeriun që ja vendosi shpatën në fyt dhe deshi ta mbysë e pastaj Allahu ja largoi shpatën nga duart dhe ja dha Profetit, ky i fundit prapë ja fali, nuk e dënoi për krimin e saj as gruan çifute që ja kishte helmuar ushqimin e tij, gjegjësisht mishin, e shumë raste tjera. Allahu e di më së miri!

16-kjo ndodhi është e tëra e vërtetë dhe konsiderohet pjesë e besimit të Ehli Sunetit të cilën e besojnë katër imamët e medh-hebeve, pastaj Buhariu, Muslimi, dhe të gjithë dijetarët e dëshmuar me dituri dhe fe nëpër tërë gjeneratat. Kjo ngjarje është transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi dy libra këta që i ka pranuar i tërë umeti si të saktë dhe dihet se sipas hadithit profetik: “Umeti nuk bashkohet në devijim” andaj edhe kjo ndodhi është pjesë e këtyre dy librave që jep të kuptojmë se edhe rreth saj nuk mund të bashkohet Umeti po të mos ishte e saktë.

17-rasti i tillë asgjë nuk ul nga personaliteti i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, sepse Zoti e kishte sprovuar dhe sprovat janë pjesë e pandashme e të gjithë Profetëve. Ai sëmurej, ftohej, mërzitej e gëzohej, plagosej, ishte helmuar, gjithashtu është e logjikshme t’i ndodhte edhe kjo lloj imagjinate e ndikuar nga magjia, realiet i cili i kishte ndodhur më herët edhe Musait, alejhi selam, njërit ndër Profetët më të mëdhenj dhe rast të cilin Allahu në shumë ajete e tregon ku magjia e magjistarëve të Faronit ja imagjinonte litarët e tyre sikur të ishin gjarpinj. Andaj kjo gjë ishte realitet i përmendur në Kuran pastaj kurrë nuk u cek se pat ulur personalitetin e Musait, e pse të ndodhte me Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem. Përkundrazi kjo ndodhi veçse e rrit personalitetin e tij duke na dhënë të kuptojmë se edhe ai ishte njeri si gjithë të tjerët dhe e godiste çdo gjë që mund ta godet njeriun e rëndomtë megjithatë këto sprova nuk ndikuan aspak tek ai që t’ia ulnin vullnetin e punës dhe sakrificën në rrugë të Allahut.

Lulzim SUSURI

27/03/2011

 

Burimi: http://ehlihadithi.com/

 

http://islamifejaevertete.com

 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Must Read