BallinaPraktikaRamazaniEdhe zemra e besimtarit agjëron!

Edhe zemra e besimtarit agjëron!

Edhe zemra e besimtarit agjëron!

Lavdia i takon Allahut.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Të nderuar agjërues!
Allahu i Lartësuar thotë: “Ai e udhëzon zemrën e tij (drejt Besimit të vërtetë) dhe Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.” (Tegabun, 11)
Zemra është bazë e udhëzimit dhe kapital i çdo gjëje. Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Në trup ka një copë mishi, nëse ajo është e mirë, i tërë
trupi është i mirë, e nëse ajo e keqe, i tërë trupi është i keq. Ajo është zemra.” (Transmeton Buhariu)
Kur zemra është e përmirësuar, njeriu përjeton lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo është zemra e gjallë, e ndriçuar nga drita e besimit, e mbushur me përkushtim dhe devotshmëri.
“Vërtet që në të ka padyshim kujtim për atë që ka zemër, ose që vë veshin e dëgjon duke qenë i vëmendshëm e dëshmues.” (Kaf, 37)
Allahu na ruajttë nga zemra e vdekur, e cila është e shkatërruar me mëkate, dyshime dhe epshe. Allahu i Lartësuar thotë: “Në zemrat e tyre ka sëmundje (dyshimi dhe hipokrizie),
ndërkohë që Allahu ua ka shtuar edhe më shumë sëmundjen. Për ta do të ketë ndëshkim të dhimbshëm për shkak të asaj që gjithnjë gënjenin.(Bekare, 10)
Dhe thonë, “Zemrat tona janë të mbështjella (nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë Fjalën e Allahut).” Jo, përkundrazi, Allahu i ka mallkuar ata për shkak të mohimit të tyre, kështu që fare pak është ajo që ata besojnë.” (Bekare, 88)
“A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!” (Muhamed, 24)
Të nderuar!

Zemra e besimtarit agjëron në Ramazan dhe jashtë Ramazanit. Agjërimi i zemrës arrihet kur njeriu largohet nga besimet e kota, idhujtaria shkatërruese, dyshimet dhe epshet e shfrenuara.
Zemra e besimtarit është e stolisur me dashurinë ndaj Allahut. Zemra e besimtarit është e ndriçuar me dritën e mesazhit hyjnor. “Dritë përmbi Dritë! Allahu udhëzon drejt Dritës së Tij atë që do Ai. Allahu sjell shembuj e përngjasime për njerëzimin dhe Allahu është për çdo gjë i Gjithëditur.” (Nur, 35)
Zemra e besimtarit agjëron kur ai largohet nga mendjemadhësia, urrejtja, egoizmi, mëkatet.
Zemra e besimtarit agjëron kur ai bie për të fjetur dhe nuk e urren, nuk ka xhelozi dhe nuk mendon të mashtrojë vëllanë e vet besimtar.
“Atij që Allahu ia ka zgjeruar kraharorin (zemrën) në Islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjerët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin Allahun, të
tillët janë në humbje të qartë.” (39:22)
Për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e zemrës duhet t’u referohemi këshillave dhe udhëzimeve të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Në vazhdim po ofrojmë dy rekomandime bazë:
1. Besimi në Allahun e Lartësuar dhe lutja për stabilitet: “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, sepse vetëm Ti je dhuruesi i madh”.
2. Largimi nga mëkatet: Mëkatet e përmbysin zemrën e njeriut dhe e fundosin në humnerat e errëta. Largimi nga të gjitha kategoritë dhe llojet e mëkateve është çështje parësore. Allahu i Lartësuar porosit të Dërguarin e Tij duke i thënë: “O ti (Muhamed) i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i këshilluar)! Dhe Zotin tënd (Allahun) madhëro! Dhe rrobat e tua pastroji (ndyrësitë)! Dhe të keqes së ndyrë (idhujt) largohu!” (74:1-5)
Te: “Dhe rrobat e tua pastroji (ndyrësitë)!”, fjala rrobat lidhet me zemrën, kurse fjala pastroji ka kuptimin përmirësim dhe korrigjim të veprave dhe të sjelljeve.
Allahu im! Çliroji zemrat tona nga prangat e ateizmit dhe të imoralitetit! Vendosi ato nën dritën e udhëzimit, të frikës dhe të respektit ndaj Teje!

 

Autor:         Panorama e Ramazanit
Titulli:         Ulvi Fejzullahu
Redaktor:    Arian Koçi
Formati:      A5
Faqe:          66
Botues:       Botues Privat
Vendi:         Bujanoc

Must Read