Deklaratë për Shtyp 30/11/2012
FORUMI MUSLIMAN I SHQIPËRISË
Figurat e shquara muslimane dhe 100-vjetori i Shtetit Shqiptar
Në ditët që shkuan të festimeve mbi 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë u ndërmorën shumë iniciativa, festime e dekorime të figurave të ndryshme vendore e kombëtare. Megjithëse hoxhallarët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të vyer që nga momenti i ngritjes së flamurit të pavarësisë në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera, si dhe në vitet e mëpasme në vijim, ku dallojnë emrat e H. Vehbi Dibrës, H. Sherif Langut, H. Ali Korçës, H. Ismail Ndroqit, H. Ibrahim Repishtit, H. Ibrahim Dalliut, H. Xhemal Naipit, H. Kadri Prishtina etj., asnjë prej tyre nuk u përmend në të gjitha këto festime.
Asnjë prej këtyre hoxhallarëve patriotë, të cilët nuk e ndanë nga jeta e tyre binomin “Fe e Atdhe”, nuk mori qoftë edhe një medalje të zakonshme si mirënjohje e këtij kombi për të gjithë atë punë të kryer në dobi të Shtetit Shqiptar dhe të Çështjes Kombëtare.
Ishin këta hoxhallarë që kishin marrë mbi supet e tyre udhëzimin e njerëzve si mësues shpirtërorë, por që nuk e harruan për asnjë moment në punën e tyre fisnike atdheun tonë si pjesë të amanetit hyjnor. Ishin hoxhallarët tonë që luftuan qysh në ditët e para të Rilindjes Kombëtare krahas intelektualëve e politikanëve tonë të mëdhenj. Së bashku me ideologun e shquar rilindas Sami Frashërin ishte mulla Haxhi Zeka ai që rroku armët për ta vënë në jetë bashkimin e vilajeteve shqiptare në një. Së bashku me Ismail Qemal bej Vlorën ishte H. Vehbi Dibra që ngriti flamurin në Vlorë e luftoi kundër serbo-malazezëve.
Me keqardhje vërejmë, se është kthyer në tendencë për të heshtur ndaj kontributit të tyre të jashtëzakonshëm pikërisht në ato ditë kur shteti i sapongritur shqiptar kishte nevojë për mbështetjen e tyre, e cila iu dha pakursyer prej tyre. Ju kujtojmë këtu mbrojtjen e Shkodrës nga serbo-malazezët, si dhe H. Ibrahim Repishtin, H. Sabri Bushatin e shumë hoxhallarë të tjerë që morën armët dhe i dolën në mbrojtje.
Në ditët më të vështira për Shtetin e sapongritur Shqiptar në vitin 1912 ishte H. Sherif Langu, që luftoi kundër serbit në Dibër, dhe po ky njeri dënohej me burgim nga regjimi komunist jo shumë larg në vitin e trishtuar 1945. Ishin tre hoxhallarë të shquar që kontribuan në kryeqytetin e Shqiptarëve Tiranën në vitet më të vështira të Luftës parë Botërore e menjëherë pas, Zyber efendi Hallulli, Ismail efendi Ndroqi e Ali efendi Dërhemi. I vyer është kontributi i H. Ali Korçës e H. Ibrahim Dalliut për arsimin kombëtar dhe alfabetin latin, e ky i fundit edhe në gazetari.
Për këto kontribute që përmendëm, si dhe shumë të tjera, të cilat janë evidentuar tashmë nga botime të ndryshme historike e enciklopedike asnjë prej tyre nuk ka marrë mirënjohjen e Shtetit Shqiptar në këto festime të bujshme të 100 vjetorit.
Kontributi i tyre është themelor për kauzën shqiptare, ashtu siç ishte themelor edhe për Kosovën, ku me armë në dorë luftoi Mulla Idriz Gjilani e shumë të tjerë, e po ashtu në konfliktin e fundit në Kosovë në radhët e UÇK-së u radhitën shumë imamë e medresantë të Medresesë Alaudin të Prishtinës. Të gjithë këtyre figurave Shqiptarët duhet t’iu jenë mirënjohës, dhe po ashtu edhe Shteti Shqiptar duhet të shprehi mirënjohjen e vet nëpërmjet institucioneve të tij qendrore Presidencës, Kuvendit, Qeverisë e Bashkive të ndryshme në të gjithë vendin.
Forumi Musliman i Shqipërisë
www.fmsh-al.org