BallinaTEZKIJEThirrje për përmirësimFrika nga punët e Zemrës

Frika nga punët e Zemrës

 

Frika nga punët e Zemrës

Prej punëve të zemrës është edhe frika.
Dije vëllai im, Allahu të mëshiroftë ty dhe mua, se Allahu e ka bërë obligim frikën ndaj Tij dhe ka thënë: “Juve ju ka frikësuar vetëm djalli me simpatizuesit e vet, por ju mos iu frikësoni atyre, frikësohmuni Mua, nëse jeni besimtarë!” (Ali Imran, 175); pastaj, Allahu ka thënë: “…vetëm prej Meje duhet të frikësoheni!” (Bekare, 40)

I ka lavdëruar Allahu ata që i frikohen Atij, Allahu ka thënë: “Me të vërtetë, ata që prej frikës së madhe ndaj Zotit të tyre, frikësohen (nga dënimi i Tij), dhe ata që besojnë në argumentet e Zotit të tyre, dhe ata që nuk i bëjnë shok Zotit të tyre, dhe ata që japin nga ajo që u është dhënë atyre, e zemrat e tyre janë të frikësuara, meqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë në vepra të mira dhe për to i kalojnë të tjerët. (Mu’minun, 57-61)
Haseni ka thënë: “Kanë punuar për Allahun punë të mira dhe përpiquni në të, dhe frikoheshin që ato t’iu kthehen mbrapsht, të mos i pranohen.”
Transmetohet nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ka thënë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut për këtë ajet te Kur’anit: “… Edhe ata të cilët nga ajo (pasuria) që u jepet japin dhe u dridhen zemrat…” ka thënë Aisheja: “A janë ata që pinë alkool dhe vjedhin?” Tha i Dërguari i Allahut, alejhi selam: “Jo, oj bija e të sinqertit (Ebu Bekrit), por ata janë që agjërojnë, falen, japin lëmoshë; këta janë që frikohen se nuk do të pranohet prej tyre, ata shpejtojnë të bëjnë vepra të mira dhe në atë prijnë” (Transmeton Tirmidhiu , iben Maxheh dhe hadithin e ka vërtetuar Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë)

Allahu frikën ndaj Tij e ka bërë një nga qëllimet e të Dërguarve.

Allahu ka thënë: “Ne, Pejgamberët i dërgojmë vetëm si përgëzues dhe qortues…” (Enam, 48)
Muhamedi, alejhi selam, e ka mbledhur popullin e tij në kodrën Safa dhe ka thënë: “Nëse ju them se pas kësaj kodre ka kuaj a do të më bësoni?”

I thanë: “Po, asnjëherë nuk na ke gënjyer, tha: “Unë jam qortues për ju…”(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Dije ti vëlla, Allahu të mëshiroftë ty dhe mua, se frika ndaj Allahut ka fryte të mëdha në këtë botë dhe botën tjetër, prej tyre:

1. Është shkak i forcimit në tokë, shtimit të imanit dhe qetësisë.

Allahu ka thënë: “Mosbesimtarët u thoshin Pejgamberëve të tyre: “Do t’iu përzëmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë.”Kurse, atyre Zoti i tyre u ka kumtuar: “Ne patjetër do t’i shkatërrojmë mizorët, dhe pas tyre do t’ju vendosim në tokë. Ajo është për ata qe i tremben daljes para Meje dhe kërcënimit Tim.” (Ibrahim, 13-14)

2. Ringjalle punën e mirë dhe sinqeritetin në të.

Allahu ka thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut, nuk dëshirojmë prej jush shpërblim as falënderim. Ne frikësohemi nga Zoti ynë, atë ditë kur do të ngrysen dhe të errësohen fytyrat.” (Insan, 9-10)

3. E bënë njeriun të jetë nën hijen e Arshit të Allahut.

Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu në ditën e llogarisë do të thotë: “Ku janë ata që kanë dashur njëri-tjetrin për hir të Madhërisë Sime?” Atë ditë ata do të jenë nën hijen e Allahut, ku nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së Tij” (Sahih Muslim 2566)

Po ashtu kemi hadithin e Pejgamberit, alejhi selam: “Shtatë persona Allahu do t’i marrë në flladin e Tij atë ditë ku nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Allahut. Ata janë: – sundimtari i drejtë, – I riu që është rritur në ibadet dhe i është nënshtruar Allahut – Njeriu zemra e të cilit është lidhur për xhaminë që nga dalja prej saj e deri në ardhjen e sërishme të falë namazin e radhës, – Dy njerëz që duhen mes vete e shoqërohen dhe ndahen për hir të Tij (dhe kështu kanë kaluar deri në vdekje) – Njeriu që vetmohet në ibadet dhe meditim, dhe ashtu në vetmi duke e përmendur Allahun sytë e tij lotojnë – Njeriut që i vardiset një grua e bukur e ai i përgjigjet: – Unë i frikësohem Allahut, Sunduesit të Botërave, dhe – Njeriu që ndanë sadaka fshehurazi, ashtu që dora e majtë mos e dijë çka bën e djathta”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

4. Është shkak për falje.

Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Ishte një njeri që i kishte bërë keq vetes, dhe kur i arriti vdekja i porositi fëmijët e tij, që kur të vdesë t’ia djegin trupin dhe pastaj ta lënë në erë, se vAllahi nëse Allahu ka caktuar për mua dënimin do të më dënojë dhembshëm që askënd para meje nuk e ka dënuar ashtu. Porsa vdiq ia çuan amanetin në vend, e Allahu e urdhëroi tokën dhe i tha: “Grumbulloje atë dhe ajo e bëri, e ja që ai qëndronte në këmbë, Allahu e pyeti çka të shtyu ta bësh këtë?”

Tha: “O Zot, nga frika prej teje, dhe Allahu ia fali.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

5. Rrugë për në Xhenet.

Muhamedi, alejhi selam. ka thënë:

“… vërtetë malli i Allahut është i shtrenjtë, vërtetë malli i Allahut është Xheneti”.(Transmeton Tirmidhiu dhe Hakim , Shejh Albani thote se hadithi eshte sahih) 

Allahu ka thënë: “Ai i cili i frikohet Zotit të vet, do të ketë dy kopshte.” (Rrahman, 46)

6. Siguri në ditën e Kiametit.

Ka ardhur në hadithin kudsij:

“Pasha Madhërinë Time nuk do t’ia bashkoj robit tim dy frika dhe dy siguri, nëse më frikohet në dynja e siguroj në Ditën e gjykimit, e nëse nuk frikohet në dynja e frikoj në Ahiret.” (Transmeton iben Hibani, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është “ hasen-sahih”) 

7. Frenon epshet.

Allahu ka thënë: “I frikësohen Zotit të vet, i cili sundon me ata, dhe veprojnë ashtu si u urdhërohet” (Nahl, 50)

8. Sjell kënaqësinë e Allahut: “Allahu do të jetë i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ajo është për atë i cili ka pasur drojë nga Zoti i vet.” (Bejjineh, 8)

9. Metodologjia e ibadetit në mes të frikës dhe shpresës.

Dije vëlla se ibadeti i vërtetë doemos duhet të ketë në vete frikën dhe shpresën, ashtu sikurse nuk është i drejt ibadeti vetëm me shpresën, kështu nuk është i drejt vetëm me frikën.
Muhamedi, alejhi selam, hyni tek një i ri i cili ishte afër vdekjes dhe i tha: “Si po e gjen veten?” U përgjigj: Shpresoj në Allahun dhe frikohem për mëkatet e mia; Muhamedi, alejhi selam, tha: “Nuk bashkohen në zemrën e robit sikurse në këtë rast përveçse Allahu do të ia dhurojë atë që shpreson dhe do ta siguroj nga ajo që frikohet”. (Transmeton Tirmidhiu dhe iben Maxheh , ndërsa Shejh Albani Allahu e mëshiroftë thotë se hadithi është “ hasen”)

Përktheu: Valdet Kamberi

Burimi: www.islamifejaevetete.com

 

 

Must Read