BallinaARTIKUJGruaja dhe FamiljaFuqia e lutjes në përmirësimin e fëmijëve (Pjesa e dytë)

Fuqia e lutjes në përmirësimin e fëmijëve (Pjesa e dytë)

Ndikimi i lutjes në përmirësimin e fëmijëve – 2-

Profeti lutej për fëmijët për t’i inkurajuar për mirësi

Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton duke thënë: “Nëna ime erdhi tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. Ajo kishte veshur pjesën e sipërme dhe të poshtme me gjysmën e perçes së saj dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, ja ky është biri im Enesi, ta kam sjellë ty që të të shërbejë, lute Allahun për të.” I Dërguari i Allahut tha: “O Zot, shtoja pasurinë dhe fëmijët e tij!” Ndërsa në një version tjetër thuhet: “Bekoje në atë që i ke dhënë!” Enesi thotë: “Pasha Allahun, djemtë e mi dhe djemtë e djemve të mi janë më tepër se njëqind sot.” Shënon Muslimi.

Le të meditojmë këtu se si e ndërtoi dhe e ngriti ajo për birin e saj të ardhmen e tij në fe dhe çështjet e kësaj bote me lutje. Ai është brezi i vetëm dhe i pashoq i shokëve të Profetit, të cilët ditën të marrin, të kuptojnë dhe të zbatojnë nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të.

I Dërguari i Allahut e shpërblen Ibn Abasin, një djalosh, për shkak të përgatitjes së enës për të marrë abdest i Dërguari i Allahut, pa e kërkuar djaloshi për t’u lutur për të. Shënon Buhariu nga Abdullah b. Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, hyri në nevojtore dhe unë ia përgatita enën për të marrë abdest. Ai tha: “Kush e ka vënë këtë?” Unë e lajmërova, kurse ai tha: “O Zot, thelloje në dituri dhe mundësoja ta kuptojë fenë!” Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së tij dhe Ibn Abasi bëhet det i këtij umeti në dije dhe interpretues i Kuranit.

Nëse ata janë modeli dhe shembulli ynë, atëherë Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i ndjekim ata. Allahu i Madhërishëm thotë: “Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, prandaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (En’am, 90)

Allahu i Lartësuar gjithashtu na lajmëron se i Dërguari i Tij është modeli më i mirë për ne për të gjitha çështjet: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 21)

Në këta hapa kanë ecur edhe gjeneratat e para

Ata i shohim se si kujdesen në shpeshtimin e lutjes për fëmijët e tyre. Fudajl b. Ijadi, zotëri i këtij umeti, një ndër dijetarët e mëdhenj të këtij umeti, lutet për djalin e tij, Aliun, Allahu e mëshiroftë, kur ai ishte i vogël, me fjalët: “O Allah! Ti e di që unë u përpoqa ta edukoja djalin tim Aliun, por nuk munda. O Allah, ma eduko atë!” Ai është kujdesur shumë për edukimin e tij, mirëpo ai e di se e tërë çështja është në dorë të Allahut, prandaj i lutet dhe i përgjërohet Atij për përmirësimin e djalit të tij. Allahu i përgjigjet lutjes së tij, ia përmirëson djalin, bile nga disa dijetarë Ali b. Fudajli konsiderohet më i mirë sesa babai i tij, me gjithë respektin dhe vlerën e madhe të babait të tij, Allahu i mëshiroftë të dy. Fragmente të tilla janë të shumta, por nuk dëshirojmë të zgjerohemi më shumë.

Ki kujdes lutjen kundër fëmijëve të tu

Një fakti që duhet të jetë i ditur dhe i ngulitur thellë në zemrat e prindërve është se lutja kundër fëmijëve është prej gjërave të ndaluara, që nuk duhet të praktikohet në asnjë situatë. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka ndaluar lutjen kundër fëmijëve. Ai thotë: “Mos u lutni kundër vetvetes, mos mallkoni pasurinë tuaj e as mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, se ndodh që të qëlloni orën kur Allahu i pranon lutjet, e ato pranohen”

Prindi mund të zemërohet për shkak të veprimeve të këqija të fëmijës ose për shkak të mosrespektimit të tij dhe është e drejtë e tyre të zemërohen, mirëpo nuk duhet që në këtë situatë të lutet kundër fëmijës, ngase do të jetë i pari që do të pikëllohet dhe shqetësohet nëse e godet ndonjë e keqe fëmijën e vet. Prindi ose prindërit le ta kujtojnë se lutja e tyre për ose kundër fëmijës është prej lutjeve që pranohen. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, na ka lajmëruar lidhur me këtë me fjalët: “Tri lutje pa dyshim pranohen e nuk refuzohen… njëra prej tyre “lutja e prindit për fëmijën e tij”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet “lutja kundër tij”.

Pranimi i lutjes kundër fëmijës mund të jetë shkak për shtimin e mosrespektimit dhe prishjes për atë që ka bërë lutje kundër tyre.

Një burrë erdhi te Abdullah b. El Mubareku, Allahu e mëshiroftë, duke iu ankuar për mosrespektimin e fëmijës. Ibn Mubareku e pyeti: “A je lutur kundër tij?” Tha: “Po” Tha: “Shko, ti tashmë e ke prishur.” Kjo përgjigje e tij dëshmon për horizontin e gjerë të dijes së tij. Lutja kundër fëmijëve do t’u shtojë atyre vetëm se prishje, kryeneçësi dhe mosrespektim. I pari që do të ankohet për këto është ai që ka shpejtuar me lutje kundër fëmijëve.

Allahu i udhëzoftë fëmijët tanë, na i përmirësoftë trashëgimtarët tanë, i bëftë ata prehje për sytë tanë në këtë botë dhe në botën tjetër. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Përgatiti: Almedin Ejupi

Must Read