BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirGARANCIA PËR NJË LUTJE TË PLOTËSUAR

GARANCIA PËR NJË LUTJE TË PLOTËSUAR

GARANCIA PËR NJË LUTJE TË PLOTËSUAR

Allahu i madhëruar thotë: “Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër. Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet. Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të bëhen të udhëzuar drejt!”

Shpjegimi i ajetit

Ky ajet ka ardhur si përgjigje e një pyetjeje që iu drejtua Profetit (s.a.u.s.) nga njëri prej shokët e tij, i cili tha:

-O i Dërguari i Allahut! A është afër Zoti ynë, që t’i flasim me zë të ulët, apo është larg, që ta ngremë zërin kur flasim?!

Pas kësaj pyetjeje, Allahu i Lartësuar zbriti:

– “Kur adhuruesit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër.”

Allahu i Lartësuar është afër. Ai është Mbikëqyrës i vazhdueshëm i robërve të Tij. Ai vështron imtësisht të fshehtat dhe ato që shfaqen haptazi. Ai e sheh edhe atë që është më e fshehtë se e fshehta. Ai di, madje, edhe për atë shikimin vjedhurazi të syve apo për gjërat që fshihen në gjoksin e njeriut. Allahu është pranë robit që lutet, duke iu përgjigjur lutjeve të tij, prandaj Ai thotë:

– “Unë i përgjigjem lutjes, kur lutësi më lutet.”

Lutjet ose dua-të janë dy llojesh:

1. Lutje adhurimi. Të tilla janë lutjet e robit që Allahu i Lartësuar t’i japë ato që ai kërkon dhe ta ruajë nga ato që ai i druhet, jo duke ia kërkuar konkretisht ato, por duke kryer adhurimet për të cilat Allahu i Lartësuar ka premtuar se do të japë si shpërblim ato që robi kërkon. Për shembull, njeriu dëshiron të futen në Xhenet. Këtë ai mund t’ia kërkojë Allahut të Lartësuar me dy mënyra: ose duke iu drejtuar Atij me një kërkesë konkrete, pra, duke thënë: “O Zot, të lutem më fut në Xhenet!”, ose duke ia kërkuar këtë gjë tërthorazi, duke kryer ato vepra dhe adhurime për të cilat Allahu i Lartësuar ka premtuar si shpërblim futjen në Xhenet. Kjo mënyrë e fundit është “lutje adhurimi”, ndërsa lloji tjetër është:

2. Lutje kërkese. Kjo do të thotë t’i kërkosh Allahut të Lartësuar diçka konkrete, si për shembull: “O Zot, më jep rizk hallall, ma shto pasurinë time, m’i ruaj të mirat që më ke dhënë” etj. Këto ishin dy mënyrat me të cilat ne mund t’i lutemi Allahut të Lartësuar.

Edhe afërsia e Zotit me krijesat është dy llojesh:

1. Afërsi e përgjithshme. Kjo do të thotë që Allahu i Lartësuar është pranë të gjitha krijesave të Tij me dijen dhe pushtetin e Tij.

2. Afërsi e posaçme, që nënkupton se Allahu i Lartësuar është pranë adhuruesve të Tij dhe atyre që i luten Atij. Kjo afërsi shprehet duke iu përgjigjur lutjeve të tyre, duke i ndihmuar e duke iu dhënë sukses.

Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t’i përgjigjet robit kur ai bën ndonjë lutje të lejuar, por me kusht që zemra e tij të jetë e përqendruar në lutje dhe të jetë i pastër nga çdo gjë që bëhet pengesë për pranimin e lutjes, sikurse është, për shembull, të ushqyerit me haram dhe pengesa të tjera të cilat i ka sqaruar Profeti (s.a.u.s.).

Premtimi i Allahut është akoma më pranë zbatimit kur lutësi plotëson kushtet parësore që mundësojnë përgjigjen e lutjes, të cilat janë:

besimi i patundur tek Allahu;

nënshtrimi dhe bindja e plotë ndaj urdhrave të Tij;

si edhe largimi prej ndalesave të Tij.

Prandaj Allahu i Lartësuar thotë më pas:

– “Le të më përgjigjen Mua dhe të më besojnë vetëm Mua, që të bëhen të udhëzuar drejt!”

Pra, vetëm duke iu përgjigjur urdhrave të Zotit dhe duke besuar gjithçka që Ai ka urdhëruar të besojmë, vetëm atëherë do të jemi të udhëzuar. Udhëzimi i premtuar në këtë rast është pranimi i imanit dhe kryerja e veprave të mira. Duke iu përgjigjur Allahut dhe duke e besuar Atë, besimtarët nuk do të çoroditen kurrë e të besojnë gjëra të kota apo të kryejnë vepra që bien ndesh me besimin e drejtë, sepse përgjigjja ndaj ftesës së Allahut dhe besimi i pastër bëjnë që atyre t’u dhurohet dija e pastër, e drejtë dhe e saktë, sikurse thuhet në suren Maide: “O ju që keni besuar! Nëse bëheni të devotshëm, Ai do t’ju mundësojë të dalloni (të vërtetën nga e kota)”.

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Must Read