Garry Miller për Kuranin


Garry Miller:

Në fjalimin e tij, të titulluar “Kur’ani i mahnitshëm“, parashtron shumë aspekte të çuditshme të Kur’anit të shenjtë. Në vazhdim do t’i përmendim vetëm tre aspekte.

Aspekti i parë, është lidhja e çuditshme ndërmjet fjalëve dhe numrave. Shembujt që përfshijnë fjalën “Kalu“, që do të thotë “ata thonë“, e cila përsëritet 332 herë në Kur’an dhe urdhri “Kul“, që do të thotë “thuaj“, përsëritet gjithashtu 332 herë.

Shprehja “7 qiejt“, shfaqet 7 herë në Kur’an.

Një vit ka 12 muaj, fjala “sheher“ që do të thotë “muaj“, shfaqet 12 herë në Kur’an.

Fjala “jevm“, që do të thotë “ditë“, shfaqet 365 herë në Kur’an.

Një aspekt tjetër, i diskutuar nga Miller, ka të bëjë me dallimin midis përdorimit dhe kuptimit të fjalëve. Në përdorimin e një fjale, ndodhet kuptimi i cili mendohet dhe në përmendjen e një fjale, është fjala vet e cila mendohet. Të analizojmë pohimin e mëposhtëm.

“Rinia është përpara burrërisë, vetëm me përjashtim të radhitjes në fjalor.“ Në qoftëse ndokush, nuk e ka parasysh këtë dallim, atëherë, ka shumë mundësi që ta gjejë veten në ngatërresë.

P.sh. Miller shkruan se, në qoftëse ndokush thotë: “Nuk ka ndonjë gabim në Bibël“, ju mund të thoni se ai ka gabuar, po t’i tregoni atij pohimin ku thuhet: “Davidi bëri një gabim“ dhe të tregosh fjalën “gabim“. Po ky mund të ishte një mashtrim, sepse Bibla nuk thotë se “nuk ka gabim në të“.

Është e habitshme, se Kur’ani ka shmangur edhe gabime të tilla.

Në Kur’an thuhet:

“A nuk e përfillin ata Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç All-llahut, do të gjenin në të, shumë kontradikta-kundërthënie!“ (en Nisa, 82)

Fjala arabe, e cila është përkthyer si “kontradiktë“ është “ihtilafen“. Tani, deri sa Kur’ani thotë se, sikur të ishte prej dikujt tjetër, do të kishte disa “ihtilafen- kontradikta“, dikush do të thoshte: ja një “ihtilaf-en“ tjetër, pra Kur’ani ka “shumë“ ihtilafen dhe nuk është hyjnor. Por, është e habitshme se fjala “ihtilafen“ shfaqet vetëm një herë në tërë Kur’anin dhe kjo vetëm në vargun dhe kapitullin e përmendur më lartë (en Nisa, 82).

Ndërkaq, ky problem është shmangur në këtë varg kur’anor, u thuhet:

“Ky (Kur’ani) është libër, në të cilin s’ka dyshim (sepse është prej All-llahut)…“, (el Bakarah, 2)

Pra, siç shihet këtu është përdorur fjala dyshim- rejb, e jo fjala kontradiktë-ihtilafen.

Një veçori tjetër e çuditshme, e cituar nga G. Miller, është fakti se sa herë që Kur’ani thotë “kjo është e ngjashme me atë“, do të gjejmë që gjithmonë dy sendet e krahasuara do të përputhen në numrin e përgjithshëm, që secila përmendet në Kur’an.

Bile, çfarë është më mahnitëse, rreshti i cili përmend ato së bashku është ai, në të cilin ata janë ekzaktësisht të barabartë, në qoftëse do të numëronim nga kapitulli i parë i Kur’anit.

Shembujt që vijojnë do të na bëjnë më të kuptueshme këtë.

All-llahu në Kur’an, thotë:

“Vërtet shembulli i Isait- Jezusit (i lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse shembulli i Ademit. Atë e krijoi nga dheu e pastaj atij i tha: Bëhu! Ai u bë.“ (Ali Imran, 59)

Ademi a.s. është përmendur 25 herë në Kur’an.

Isai- Jezusi është përmendur 25 herë në Kur’an.

Në kapitullin 3, vargu 59, Ademi a.s. përmendet për herë të shtatë, nëse numërojmë nga kapitulli i parë, njësoj në të njëjtin rresht, Isai a.s.- Jezusi, përmendet për herë të shtatë nëse numërojmë nga kapitulli i parë i Kur’anit.

Në kapitullin 7, vargu 176, Kur’ani i krahason me qentë, njerëzit që ndjekin dëshirat e tyre të kota dhe i përgënjeshtrojnë “Shenjat e Zotit“. Shembulli i përgënjeshtruesit është si ai i qenit… “Shembulli i atyre që i përgënjeshtrojnë shenjat Tona“, ngjashmëria e tyre është me një qen…

Shprehja “Shembulli i atyre që i përgënjeshtrojnë shenjat Tona“ (el ledhine kedh dhebu bi ajatina) shfaqet për herë të parë në kapitullin e lartpërmendur (7: 176).

Ademi a.s. përmendet në rreshtat që vijojnë :

2:31; 2:33; 2:34; 2:35; 2:37; 3:33; 3:59 (shtatë herë).

Isai a.s.- Jezusi përmendet në rreshtat që vijojnë:

2:87; 2:136; 2:253; 3:45; 3:52; 3;55; 3:59 (shtatë herë).

Shprehja “ Shembulli i atyre që përgënjeshtrojnë shenjat Tona “, shfaqet si me poshtë:

7:176 (hera e parë), 7:177; 21:77; 25:36; 62:5 (pesë herë) .

fjala “ qen “ shfaqet si më poshtë:

7:176 (hera e parë), 18:18; 18:22; 18: 22, 18: 22. (pesë herë)

Kur Kur’ani thotë: “Kjo është e pangjashme me atë “, numri total midis të dyjave është gjithashtu i pangjashëm.

Në kapitullin 14, vargu 26, All-llahu në Kur’an thotë:

“Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe, që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.“ (Ibrahim, 26)

Në Kur’an përmendet edhe 11 herë “pema“ me asociacion ligësie,dhe 11 herë “fjala“ me asociacion ligësie. Të dyja këto fjalë përmenden për të 6-tën herë, në këtë varg kur’anor.

Nëse analizojmë shembullin e parë, do të vëmë re se, nga momenti që Isai a.s., përmendet për herë të parë në 2: 87, Ademi a.s. tashmë është përmendur 5 herë duke i mbetur vetëm 2 herë. Megjithatë, Kur’ani e zvogëlon këtë mosbalancim dhe në momentin kur dy emrat përmenden në 3:59, janë të barabartë.

Padyshim Kur’ani ka sfiduar ata që vënë në dyshim burimin e tij Hyjnor dhe që duan të bëjnë një libër të ngjashëm me të. Duket qartë se është më e arsyeshme të besohet se Kur’ani është një libër Hyjnor.

Pra, dikush vetëm mund të mos e pranojë Kur’anin, por nuk mund të japë prova se ai është fals.“[1]

 

Marrë nga libri: “TË TJERËT PËR ISLAMIN, KURANIN DHE MUHAMEDIN A.S.”

Autor: Mr. Ajni Sinani

 

——-

[1] Për hollësira dhe shembuj të tjerë, shih apo dëgjo bisedën e Garry Millerit: “Kur’ani i mahnitshëm“, mbajtur në Dubaj, në vitin 1983, sipas Hamza Mustafa Njazi, op. cit., f. 75-77.

Must Read