Hadithe rreth vlerës së leximit dhe mësimit të Kuranit
Imam Tirmidhiu transmeton nga Ibnu Mes’udi (radijAllahu anhu), se ai ka thënë:
“I dërguari i Allahut ka thënë: ‘Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut ka një shpërblim, shpërblimi është i barabartë me dhjetëfish. Nuk them që elif, lam, mim, janë një shkronjë e vetme, por elifi është shkronjë, lami është shkronjë, mimi është shkronjë.'”
Imagjinoni, nëse do të marrim e të llogarisim suren më të shkurtër të Kuranit e cila është surja Keuther, i bie të ketë afro 47 shkronja të cilat janë të barabarta me 470 sevape.
Ebu Musa el Esh’arij (radijAllahu anhu) ka transmetuar se Profeti ,salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuran është si shembulli i qitros, era dhe shija e saj është e mirë. Ndërsa shembulli i besimtarit, që nuk lexon Kuran, është si shembulli i hurmës arabe, ajo nuk ka erë por shija e saj është e ëmbël. Ndërsa shembulli i hipokritit, që e lexon Kuranin, është si shembulli i borzilokut, era e tij është e mirë, por ka një shije të hidhur. Ndërsa shembulli i hipokritit, që nuk e lexon Kuranin, është si shembulli i kungullit të egër, nuk ka erë dhe ka shije të hidhur”. Buhari dhe Muslimi.
Padyshim se leximi i Kuranit ka shije dhe ndjesi të këndshme, ai ndikon në zemër dhe e ngjall, i jep jetë dhe e zbukuron atë, duke e bërë kështu një zemër të mbushur plot besim, sinqeritet, frikë dashuri përulje dhe bindje ndaj Allahut.
Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Lexoni Kuranin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e të bëjë shefat (të ndërmjetësojë) për lexuesit e tij.” Muslimi.
Imagjinoni Ditën e Gjykimit, këtë ditë të vështirë, ditë në të cilën njerëzit do të jenë në ankth, frikë dhe pasiguri, të vijë libri i Allahut të cilin ti e ke mbajtur në zemër, të cilin e ke lexuar dhe ke punuar me të, t’i kërkojë Allahut që të falë e të rrisë gradat. Kurani do të vijë bashkë me agjërimin e do të ndërmjetësojnë, Kurani do të thotë: -O Zoti im unë e privova nga gjumi robin Tënd, ndaj fale atë.
Uthman ibn Afani (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) transmeton se Profeti (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kuranin e pastaj ua mëson atë të tjerëve.” Buhari.
Aishja (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) përcjell se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që lexon Kuran bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.” Buhari dhe Muslimi.
Vëlla i nderuar, motër e shtrenjtë, mos e lër shejtanin të të mposhtë me vesvese duke të thënë: mos e lexo Kuranin sepse ti lexon me vështirësi. Profeti ka dhënë sihariq pikërisht për këtë kategori, se ata do të shpërblehen dyfish, një shpërblim për leximin e Kuranit, dhe një tjetër për vështirësitë që has.
Ibn Abasi (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ai në gjoksin e të cilit nuk ka asgjë nga Kurani (nuk di asgjë përmendsh nga Kurani) është sikur një shtëpi e lënë dhe e rrënuar.” Tirmidhiu sahih. E si të mos jetë i tillë ai i cili nuk mëson apo nuk lexon Kuran, vërtet zemra e tij është e pa jetë dhe shpirti i tij është i rrënuar, sepse është pikërisht Kurani i cili është ushqim, jetë, freski, gjallëri, ushqim dhe shërim për zemrat dhe shpirtrat e robërve. Kurani e gjallëron zemrën njësoj si shiu i cili i jep jetë tokës pas thatësirës së gjatë.
Transmeton Abdullah Ibn Amr el As (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi të!) se i Dërguari (Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Lexuesit të Kuranit do t’i thuhet në Ditën e Gjykimit: ‘Lexo dhe ngrihu (shkallëve të xhenetit), lexo drejt dhe bukur, siç ke lexuar në dynja, se vendi yt është në ajetin e fundit që lexon’.” Ahmedi Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.
Asgjë nga Kurani nuk shkon dëm, madje besimtari do të ketë dobi prej tij në çdo ajet, dhe vendi i tij në Xhenet do të jetë në ajetin e fundit që reciton prej Kuranit.
Muslimi ka shënuar se Ukbe ibn Amir tha: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem erdhi te ne ndërkohë që ishim në Suffa dhe pyeti: ‘Cili prej jush do të dëshironte të shkonte për çdo ditë në But’han apo në el-Akik që të sjellë dy deve me gunga të mëdha pa bërë padrejtësi?’ Ne thamë: ‘O i Dërguar i Allahut, të gjithë do ta dëshironim këtë!’ Ai tha: ‘A nuk shkon ndonjë prej jush në xhami për të mësuar apo recituar dy ajete nga Libri i Allahut? E, kjo është më mirë për të, sesa dy deve; tri ajete janë më mirë për të, sesa tri deve; katër ajete janë më mirë për të, sesa katër deve, dhe kështu me radhë sa i përket numrit të deveve”.
Ebu Hurejre përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Asnjëherë nuk mblidhet një grup njerëzish në një prej shtëpive të Allahut (në xhami) për ta lexuar Kuranin dhe për ta mësuar në mes tyre, e që mbi ta të mos lëshohet qetësia e t’i përfshijë mëshira e Allahut, dhe që të mos i rrethojnë engjëjt ose që Allahu të mos i lavdërojë në mesin e atyre që janë tek Ai (engjëjt, Pejgamberët dhe njerëzit e mirë)”. Muslimi.
Ebu Hurejre përcjell se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Do të vijë lexuesi i Kuranit në Ditën e Ringjalljes, dhe do të thotë Kurani: “O Zot im stolise atë,” dhe do t´i vishet kurora e nderit, e pastaj thotë (Kurani): “O Zot im shtoja”, dhe i vishet petku i nderit, e pastaj thotë (Kurani): “O Zot im bëhu i kënaqur me të”, dhe Allahu bëhet i kënaqur me të, dhe i thuhet atij: “Lexo dhe ngrihu, dhe në çdo ajet i shtohet një e mirë.” Tirmidhiu, e ka saktësuar Ibnu Huzejme dhe Hakim.
Burimi:
Përgatiti: Bledar Haxhiu
http://burimijetes.info