Hadithe rreth Namazit
-Çka mendoni, sikur të ishte një lumë para derës së ndonjërit prej jush, në të cilin do të lahej për çdo ditë nga pesë herë, a do të mbetej në të ndytësi? Thanë: -Nuk do të mbetej kurrfarë ndytësie. Lajmëtari a.s. tha: -Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. All-llahu me faljen e namazeve i shlyen mëkatet. (579)
-Pesë namazet prej njërit deri te tjetri, namazi i xhumasë prej njërit deri te tjetri dhe prej një ramazani gjer në ramazanin tjetër, janë pastrues të mëkateve në mes tyre, nëse ruheni prej mëkateve të mëdha. (96)
Abdull-llah ibn Mes’udi r.a. ka thënë: -E kam pyetur të Dërguarin a.s.: Cila punë është më e dashur te All-llahu i Madhëruar? Tha: Namazi në kohën e vet. -I thashë: Pastaj cila? Tha: -Bamirësia ndaj prindërve. -I thashë: Pastaj cila? Tha: -Xhihadi në rrugë të All-llahut. (205)
Një njeri ka thënë: -O i Dërguar i All-llahut, më trego për një punë që do të më shpie në Xhennet dhe do të më largojë nga Xhehennemi! I Dërguari a.s. tha: -Ta adhurosh All-llahun dhe të mos i shoqërosh asgjë, ta falësh namazin, ta ndash zekatin dhe t’i mbash lidhjet farefisnore. (214)
-A dëshironi t’ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet e juaja dhe me çka i lartëson gradat tuaja? Të pranishmit i thanë: -Po, o i Dërguari i All-llahut! I Dërguari a.s. u tha: -Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit pas namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë. (572)
-Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i tij në shtëpinë e tij apo diku tjetër për njëzet e disa shkallë. Kush merr abdest në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim që ta falë namazin në xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa i ka marrë kohën namazi. Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendet në vendin ku është falur namazi, ata thonë: “O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin”. Engjëjt veprojnë kështu përderisa njeriu të mos fillojë t’u pengojë të tjerëve, apo ta prishë abdestin në xhami. (8)
-Kush e fal namazin e jacisë me xhemat, është sikurse ai që gjysmën e natës e kaloi në namaz. Ndërsa ai, që e fal namazin e sabahut me xhemat, është sikurse ai i cili është falur tërë natën. (591)
Aisheja r.a. ka thënë: I Dërguari a.s. çohej natën (dhe falej) aq gjatë saqë këmbët iu patën ënjtur, andaj unë i thashë: Përse po vepron kështu o i Dërguar i All-llahut, kur t’i ka falur ty All-llahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet? Ai tha: A të mos jem rob falënderues? (70)
-Kush merr abdest bukur e mirë, pastaj shkon në namaz të xhumasë, atje hesht dhe dëgjon (hutben), i falen mëkatet e bëra ndërmjet dy xhumave dhe tri ditë më tepër. Kush argëtohet në xhami me rërë (dhe gjëra të tjera), e ka zhvlerësuar dobinë e xhumasë. (94)
-Zotimi i cili na ndan neve dhe ata (pabesimtarët) është namazi, andaj ai që e lë atë ka bërë mosbesim. (97)
-Për dyfytyrëshit nuk ka namaz më të rëndë se namazi i sabahut dhe i jacisë, e sikur ta dinin se çka ka në ta, do të vinin në xhemat në këto dy namaze edhe rrëshqanas. (93)
-Kush e fal namazin e sabahut, është nën mbrojtjen e All-llahut, andaj mos i kundërvihet askush kësaj me diçka, sepse kush i kundërvihet kësaj, All-llahu do ta arrijë atë, dhe pastaj do ta gjuajë me fytyrë në zjarr të Xhehennemit. (245)
-Kush e lë namazin e ikindisë, i humb e tërë puna e tij. (583)
-Urdhëroni fëmijët tuaj për namaz kur t’i kenë shtatë vjet, kurse detyroni me forcë (rrihni) kur t’i bëjnë dhjetë vjet dhe ndajini në shtretër (të veçantë). (199)
Marrë nga përmbledhja e haditheve “Rijadus-Salihin”