BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirHipokrizia dhe punët e ulëta

Hipokrizia dhe punët e ulëta

Hipokrizia dhe punët e ulëta

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata (munafiket) thonë: ‘Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin!’ Por vetëm Allahut i përkasin pasuritë e qiejve e të Tokës, ndonëse munafikët nuk e kuptojnë. Ata thonë: ‘Kur të kthehemi në Medinë, pa dyshim, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit!’ Në fakt, e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë.” El Munafikun, 7–8.

Shpjegimi i ajeteve

Këtu tregohet urrejtja e madhe e munafikëve ndaj Profetit (alejhi selam) dhe muslimanëve, urrejtje që kishte mbushur plotësisht zemrat e tyre. Kur ata shihnin se si sahabët rrethonin me dashuri dhe ngrohtësi Profetin (alejhi selam) dhe garonin se kush e kush më parë ta kënaqte atë, duke zbatuar urdhrat dhe porositë e tij, këta të mjerë – duke ëndërruar dhe shpresuar gjëra të kota – thoshin:

“Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin!”

Kështu, ata pandehnin se po të mos ishte pasuria e munafikëve, muslimanët nuk do të bashkoheshin për të ndihmuar fenë e Allahut. Ata thua se besimtarët qëndronin rreth e rrotull Profetit (alejhi selam) dhe zbatonin urdhrat e tij me përkushtim, me shpresë se do të përfitonin pasuri nga këta të mjerë?! Sigurisht, kjo qe një hamendje krejt e pabazë dhe e çuditshme. Munafikët ishin njerëzit më të përkushtuar për shkatërrimin e Islamit dhe të muslimanëve dhe më koprracët njëkohësisht. E si mund të kishin të tilla pretendime ata njerëz?! Dokrrat e tyre mund t’i besonin veçse të paditurit e mendjelehtët, që nuk shohin realitetin e gjërave. Duke ua përplasur në fytyrë pretendimin, Allahu i Lartësuar thotë:

“Por vetëm Allahut i përkasin pasuritë e qiejve e të Tokës…”

Allahu furnizon atë që Ai dëshiron dhe e privon atë që Ai dëshiron. Është Allahu i Lartësuar Ai që ia mundëson dhe lehtëson furnizimin atij që Ai dëshiron, me urtësinë e Tij dhe ia vështirëson atij që Ai dëshiron. Por këtë fakt nuk mund ta kuptojnë të gjithë, e aq më pak munafikët, prandaj i Lartësuari thotë:

“…ndonëse munafikët nuk e kuptojnë.”

Pikërisht për shkak të logjikës së dobët të tyre, ata thanë atë që thanë. Munafikët pretendonin që depot e furnizimit i kishin ata dhe i administronin sipas dëshirës së tyre. Përveç mendjelehtësisë, kjo tregonte edhe arrogancën e tyre, e cila duket më qartë në fjalët më pas:

“Ata thonë: ‘Kur të kthehemi në Medinë, pa dyshim, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit!’”

Kjo ndodhi në betejën e Murejsit, gjatë së cilës pati një grindje mes ensarëve dhe muhaxhirëve për një çështje të caktuar. Në këtë situatë u shfaq hipokrizia e munafikëve. I pari i tyre, Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, duke nënkuptuar muhaxhirët, tha: “Puna jonë me këta është ai që tha: ‘Jepi bukë qenit tënd, që të të kafshojë!'” Pastaj tha: “Kur të kthehemi në Medinë, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit.” Kështu, sipas tij, ai dhe vëllezërit e tij munafikë na ishin krenarët e fisnikët, ndërsa Profeti i Allahut dhe shokët e tij ishin të poshtëruarit, ndërkohë që e vërteta ishte krejtësisht e kundërta, siç thotë i Lartësuari:

“Në fakt, e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë.”

Këta janë krenarët e vërtetë, ndërsa munafikët dhe vëllezërit e tyre idhujtarë janë të përçmuarit. Munafikët nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë një fakt të tillë, prandaj dhe pandehin se janë krenarët.

Përktheu: Uthman Agolli
SHKRUAR NGA IMAM SA’DI
Burimijetes.info

Must Read