Djali i distributorit të filmit “Fitna” bëhet musliman
I biri i Arnoud van Doorn, Iskander Amien de Vrie, është njëri nga 37 personat që pranuan Islamin gjatë konferencës ndërkombëtare të paqes në Dubai.
Djali i Arnoud van Doorn, politikanit të njohur holandez dhe distributorit të filmit anti-islam “Fitna” që shkaktoi trazira në vitin 2008, befasoi të pranishmit në konferencën triditore në Dubai me kalimin e tij në Islam.
“Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i fundit”, deklaroi Iskander para babait të tij dhe muftiut Ismail Menki duke përsëritur fjalët e shehadetit pas shejhut dr. Muhamed Salah.
Arnoud van Doorn u bë i njohur në vitin 2008 si emër i lidhur me filmin anti-islam “Fitna”. Filmi promovonte shpifje për Islamin ndërsa Aroundi ishte njëri nga distributorët e tij.
Pesë vjet më vonë, Arnoudi ndryshoi duke mësuar më tepër për Islamin të cilin sot e quan fe të paqes. Ai e përqafoi Islamin në mars të vitit të kaluar, derisa vendimi i tij e shtangu botën.
“Meqë e pashë se si babai im është bërë shumë i qetë pas kalimit në Islam e kuptova që ka diçka të mirë në këtë fe dhe kjo më bëri të ndryshojë bindjen për muslimanët. Tash kam filluar të lexoj Kuranin e shenjtë dhe të dëgjoj ligjërata të dijetarëve të shquar”, tha Iskanderi, i biri i Arnoudit.
Iskanderi (22), thotë se miku i tij nga kolegji, Junusi, është shembulli më i drejtë i asaj që janë muslimanët dhe si jetojnë jetën e tyre. “Miku im, Junusi, është njeri i mirë i cili e praktikon fenë e tij dhe i cili çdo ditë më mëson diçka të re. Ai ka qenë shumë i durueshëm me mua, kështu që unë në asnjë mënyrë nuk kam mundur të jem i ashpër ndaj tij”, thotë Iskander.
Kur flet për filmin “Fitna”, Arnoudi e quan gabim për të cilin pendohet fort. ”Ekzistojnë keqkuptime te disa njerëz, gjoja unë e kam bërë filmin ‘Fitna’, por unë nuk kam qenë i përzier në atë çështje. Unë kam qenë vetëm përgjegjës për shpërndarjen e tij. Sot, kjo është diçka për të cilën ndjej shumë keqardhje”.
Arnoudi shpreson të bëjë një film për drejtësinë të cilën e promovon Islami dhe kështu t’i përmirësojë gabimet e mëhershme. “Ndjej përgjegjësi dhe nevojën për të përmirësuar gabimet që i kam bërë në të kaluarën. Dëshiroj ta shfrytëzoj mundësinë dhe talentin tim në mënyrë pozitive për përhapjen e të vërtetës së Islamit. Po mundohem të bëj një film të ri për jetën e të Dërguarit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Filmi do të pasqyrojë jetën e të Dërguarit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe do të ftonte njerëz të rinj në Islam”, tha ai.
Arnoudi tash fton të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të përkrahin fondacionin e tij Islam i cili lufton islamofobinë në Evropë. Ekipi i vullnetarëve të tij punon në tejkalimin e pengesave mes muslimanëve dhe jomuslimanëve dhe ndihmon njerëzit që të thyejnë keqkuptimet që kanë për Islamin.
Kurse, Iskander tashmë planifikon të shkojë në Arabi Saudite për të kryer umren dhe shpreson se edhe nëna e tij shumë shpejt do ta pranojë Islamin.
Burimi: IslamBosna
Përktheu: Arsim SYLA – Shembulli.com