IHTILAFI (mospajtimet) në akide dhe besim
Falënderimi i takon Allahut, i Cili e plotësoi për ne fenë dhe e përsosi për ne mirësinë e Tij. Dëshmoj se Ai është Zoti i vetëm që meriton të adhurohet, nuk ka Zot tjetër me meritë veç Tij, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnikë dhe të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Allahu i lartësuar në këtë Gjithësi ka vendosur një sërë ligjesh dhe rregullash, ku ndër ligjet që Allahu ka vendosur është edhe fakti se Ai ka caktuar që njerëzit në përgjithësi të jenë në kundërshtim në mënyrën se si e besojnë Allahun dhe se si i shprehin adhurimet ndaj Tij. Ai lejoi që një fenomen i tillë të ekzistojë mes krijesave të Tij për urtësi dhe qëllime madhështore, por nga ana tjetër Allahu i Lartësuar ka tërhequr vërejtjen dhe e ka ndaluar përçarjen dhe kundërshtimin në çështjet e fesë dhe adhurimit të Tij. Allahu thotë: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata. Do të plotësohet Fjala e Zotit tënd: “Me të vërtetë që do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkërisht!”[1] Ndërsa në një ajet tjetër Allahu thotë duke tërhequr vërejtjen ndaj përçarjes dhe grindjes në fe: “Mos u bëni si ata, që pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh”.[2]
Nisur nga kjo kuptohet se nuk lejohet grindja dhe përçarja në ato çështje, të cilat janë përcaktuar nga feja, qofshin sqarime apo dispozita, në besim apo në adhurime, sepse kundërshtimi është sherr dhe diçka e urryer dhe e ndaluar. Imam Buhari ka përmendur se Ibën Mesudi ka thënë: “Kundërshtimi është sherr”. Dhe padyshim që sherri dhe e keqja janë më të mëdha, nëse kundërshtimi është në Akide.
Muslimanët duhet të jenë të gjithë në të njëjtën akide dhe besim dhe ajo është akidja La ilahe ilallah (Nuk ka Zot tjetër me meritë veç Allahut), akide e cila e ka burimin nga libri i Allahut dhe Suneti i Profetit sal-lallahu alejhi ue selem. Ajo kurrsesi nuk duhet të jetë e ndërtuar në hamendje dhe logjikë, sepse një gjë e tillë çon në përçarje, armiqësi dhe shkëputje të marrëdhënieve, sikurse ndodhi një gjë e tillë me grupet dhe rrymat që devijuan, si Xhehmijet, Mutezilet, Shiat, Hauarixhët etj; për të cilat ka lajmëruar Profeti sal-lallahu alejhi ue selem në thënien e tij: “Ky umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, të gjitha janë në zjarr, përveç njërës”. -Cila është ajo, o i Dërguar i Allahut? Ata të cilët janë (besojnë) në atë që jam unë dhe shokët e mi sot”.[3]
Nëse do të hedhim një sy në librin e Allahut do të gjejmë se përçarja përmendet shpesh dhe në të gjitha rastet ajo përmendet për keq. Allahu iu tërheq vërejtjen prej saj Profetit dhe umetit të tij.“Frikësojuni Atij dhe falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij diçka tjetër (në adhurim),si ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe, e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka”.[4] Po ashtu Allahu thotë: “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Tek Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar”.[5] Ebul Alije u thoshte njerëzve: “Mësojeni Islamin, dhe nëse e mësoni mos devijoni prej tij. Ecni në rrugën e drejtë, e cila është Islami dhe mos mënjanoni majtas dhe djathtas. U porosis t’i përmbaheni Sunetit të Profetit tuaj dhe asaj në të cilën kanë qenë shokët e tij dhe largojuni devijimeve, të cilat hedhin mes njerëzve armiqësi dhe urrejtje”.
Abdullah ibën Mesudi –Allahu qoftë i kënaqur me të-, thoshte: “O ju njerëz, përmbajuni parimeve të fesë dhe xhematit (bashkësisë muslimane), sepse ky është litari i pakëputshëm i Allahut për të cilin ju ka urdhëruar (t’i përmbaheni). Ajo që urreni tek xhemati (bashkimi) është më e mirë se ajo që pëlqeni tek ihtilafi (përçarja).[6]
Ndaj dhe ne themi me plot gojën dhe të sigurt, se njerëzit nuk i mbledh dhe nuk i bashkon, veçse ajo në të cilën ka qenë i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, dhe shokët e tij. “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’ju ruajtur nga të këqijat”.[7] Pas gjithë kësaj dhe fakteve të tjera lidhur me këtë temë, dikush me shumë të drejtë mund të pyesë: Vallë çdo kundërshtim në akide është humbje dhe devijim, apo ndodh që mes Ehli Sunetit të ketë mospajtime edhe në disa çështje të akides? Do të dëshiroja nga lexuesi, që të tregohej i vëmendshëm rreth asaj që lexon, sepse kjo është një çështje që mundon shumë njerëz dhe në bazë të kuptimit të saj ata ngrenë gjykime, të cilat shpeshherë janë dhe gjykime që përmbajnë ekstrem brenda vetes.
Është e vërtetë se Ihtilafi (mosmarrëveshja) në Akide është e rrezikshme dhe e dëmshme, por po kaq e vërtetë është dhe fakti, se ajo ndryshon nga përçarja, pra nëse përçarja është e urryer në të gjitha rastet, mospajtimi nuk është i tillë. Kjo d.m.th, se jo çdo mospajtim në Akide shkakton detyrimisht konsiderimin si të devijuar i njërës prej palëve, përkundrazi edhe në akide ashtu si dhe në fikh ka disa çështje, ku palët, ose do të jenë gabimtarë, të cilëve u falet gabimi dhe shpërblehen për ixhtihadin e tyre, ose palë që ia qëllon të vërtetës dhe merr dy shpërblime. Mospërputhje të tilla kanë qenë të pranishme edhe në kohën e selefëve, p.sh: si mospërputhja e tyre, se cila është krijesa e parë, kalemi apo Arshi? A melaiket janë më të mirë se njerëzit, apo anasjelltas? A e ka parë Profeti sal-lallahu alejhi ue selem Zotin e tij natën e Israsë, apo jo? Cila është ajo që do të peshohet Ditën e Gjykimit, veprat e njerëzve, personi apo të dy së bashku?
Ne i gjejmë në librat e selefëve këto mospajtime dhe të tjera në Akide, për të cilat ata kanë rënë dakord, se nuk lejohet të konsiderohet i humbur dhe i devijuar ai që mban mendimin tjetër. Është e vërtetë se mospajtimi në çështjet e Akides lë gjurmë të mëdha, dhe pasoja të rënda, porse jo çdo mospajtim në Akide lë të tilla gjurmë dhe pasoja, madje mund të ketë çështje të fikhut që janë me pasoja më të mëdha, dhe më të rënda se mospajtimet në Akide që përmendëm më lart.
A nuk e kuptojmë se mospajtimi në lidhje me kushtet e namazit ka gjurmë dhe pasoja shumë më të mëdha, se ajo që cila është krijesa e parë; se mospajtimi për shkaqet e shkurorëzimit ka pasoja më të mëdha, se çështja e përmendur në librat e akides rreth profecisë së nënës së Musait dhe Isait apo jo? Nëse një musliman vdes dhe ai nuk e di, se a e ka parë Profeti sal-lallahu alejhi ue selem Zotin e tij apo jo, një gjë e tillë nuk do ta dëmtonte në çështjet e fesë e as ato të dynjasë, madje ndoshta as nuk do të merret në gjykim për të; ndërsa nëse vdes dhe ai nuk di të marrë abdes mirë, një gjë e tillë mund t’i kushtojë shumë.
Shejhul Islam Ibën Tejmije –Allahu e mëshiroftë- ka përmendur një rregull në lidhje me mosmarrëveshjet në Akide, ku thotë: “E vërteta është se kushdo që bën ixhtihad prej umetit të Muhamedit, dhe ka si qëllim arritjen e të vërtetës, por gabon, ai nuk konsiderohet i dalë nga feja,[8]përkundrazi gabimi i tij është i falur. Ndërsa atij që i bëhet e qartë ajo që ka sjellë Profeti, dhe kundërshton Profetin pasi i ka ardhur udhëzimi, dhe ndjek një rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, ky konsiderohet i pafe, ndërsa ai i cili pason tekat e tija, dhe tregohet i shkujdesur në kërkimin e diturisë, ndërkohë që flet pa dije, ai është gabimtar e mëkatar, ndoshta mund të jetë edhe i prishur, por ai mund të ketë aq të mira saqë ia tejkalojnë të këqijave që ka kryer… kështu që jo çdo mëkatar, bidatçi, mëkatar apo i devijuar është qafir (i pafe), i prishur apo qoftë dhe mëkatar”.[9]
Kjo që përmendëm nuk do të thotë se ne nuk duhet të tregojmë kujdes në çështjen e Akides dhe besimit, përkundrazi ajo është çështja më e madhe për të cilën duhet që të kujdeset muslimani, por nga ana tjetër nuk lejohet për askënd, që të konsiderojë të humbur, të devijuar, të pafe apo dhe mëkatar ata që nuk pajtohen në çështje të akides, si ato që përmendëm më lart dhe të ngjashme me to.
E lusim Allahun të na japë kuptueshmëri në fe, të na ruajë nga devijimi dhe përçarja.
Përgatiti: Hoxhë Bledar Tefik Haxhiu – albislam.com