BallinaSpikasimInvestimet për botën e ardhshme

Investimet për botën e ardhshme

Investimet për botën e ardhshme

Falënderimet më të sinqerta dhe lavdërimet i takojnë vetëm Krijuesit, Sunduesit të kësaj gjithësie. Atë e falënderojmë që na dalloi nga të gjitha krijesat e tjera duke na dhuruar mendjen, arsyen, intelektin e mbi të gjitha na krijoi në formën më të përsosur. Paqja e shpëtimi i Tij qofshin për vulën e Pejgamberëve, Muhamedin alejhi selam, për familjen e tij të ndershme, për shokët e tij të dashur dhe për mbarë bamirësit besimtarë.

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Ejani ta ngremë besimin duke vepruar punë të mira, në çdo vend dhe në çdo kohë. Të përkujtojmë, të nderuar të pranishëm, se kjo botë ka edhe fundin e vet, andaj askush nuk do të jetojë në të përgjithmonë. Ne jemi kalimtarë rasti dhe duhet të punojmë që të përgatitemi për destinacionin e fundit, që është bota e amshueshme. Një ditë do të kthehemi te Krijuesi dhe këtë botë do ta braktisim njëherë e përgjithmonë. Pas do të lëmë familjet, shokët, pasurinë si dhe çdo gjë tjetër që kemi fituar gjatë qëndrimit tonë në këtë botë. Allahu i Plotfuqishëm u drejtohet krijesave të Tij dukë thënë: “O populli im, kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se një përjetim i përkohshëm, ndërsa bota tjetër është ajo e përhershmja.”1

Xhemat i nderuar!

Përse të mos e shfrytëzojmë këtë botë si përgatitje për botën tjetër, botë e cila është e përjetshme dhe në të cilën nuk ka më vdekje? Të tregojmë kujdes, pasi për çdo gjë që veprojmë në këtë botë do të ketë shpërblim apo ndëshkim për të, varësisht nga puna që kemi bërë. Në lidhje më këtë, Allahu i Madhërishëm thotë: “Kush bën ndonjë vepër të keqe, ndëshkohet vetëm për aq sa është ajo, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, por duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhenet dhe aty shpërblehen pa masë.”2

Besimtarë të nderuar!

Prej nesh kërkohet që të jemi sa më të kujdesshëm kur është fjala për shfrytëzimin e jetës në këtë botë; të veprojmë sa më shumë vepra të mira që është e mundur. Po që se tregohemi aktivë në punë të mira, pa dyshim se ato do të jenë kursimet tona në Ditën e Gjykimit; pra, veprat në këtë botë do të jenë pasaporta për të hyrë në xhenetet e Allahut, të cilat janë të stërmbushura më shumë madhështi dhe bukuri të ndryshme, të cilat as që mund t’i imagjinojmë. Për të arritur sukses në shtimin e kursimeve për botën e ardhshme, ekzistojnë vetëm dy mënyra.

E para, duke kryer obligimet e Allahut xh.sh. me plot sinqeritet, si për shembull falja e pesë kohëve të namazit dhe xhumaja, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit, shkuarja në haxh, etj. Shpërblimi për veprat në fjalë do regjistrohet në momentin e kryerjes së ibadetit.

Mënyra e dytë dallon krejtësisht nga e para për shkak së besimtari apo besimtarja në këtë rast nuk do të shpërblehet vetëm atëherë kur e kryen punën e mirë, mirëpo shpërblimi për veprën që ka bërë do të vazhdojë edhe më tutje, deri në Ditën e Gjykimit. Këto lloj veprash të mira llogariten si kursime për ahiret (botën e amshueshme). Andaj edhe themi se nga lëmoshat më të mira llogaritet sadakaja e vazhdueshme. Lëmoshë e vazhdueshme do të thotë nëse njerëzit në vazhdimësi përfitojnë nga projekte të ndryshme, fjala vjen ndërtimi i xhamisë apo i ndonjë spitali, furnizimi me ushqim apo ujë të pijshëm, mbështetja mujore e një apo më shumë jetimëve gjithashtu hyn nën këtë ombrellë. Prandaj ne duhet të jemi bujarë, t’u japim sadaka atyre që janë në krizë, të kontribuojmë për ndërtimin e xhamive, rrugëve, spitaleve, shkollave, jetimoreve, etj. Atyre të cilët vërtet ndihmojnë në këtë drejtim, pa dyshim se shpërblimi do t’u shkojë edhe në varr, qoftë edhe nëse kanë mbjellë vetëm një pemë në këtë botë, prej së cilës do hanë të tjerët.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nëse njeriu vdes, ndalen veprimet e tij, përveç tre: një lëmoshë e vazhdueshme, një dije e dobishme dhe fëmija i mirë, që lutet për të.”3

Këto janë tri veprat shpërblimet e të cilave i shkojnë besimtarit edhe pas vdekjes së tij. Po ashtu, nga ne kërkohet që diturinë e fituar ta shfrytëzojmë për të mirë, duke i mësuar të tjerët; duke e përhapur atë apo duke e ndihmuar njerëzimin me dituri të dobishme. Çështja e tretë që është cekur në hadithin e sipërshënuar na bën me dije vlerën që ka edukimi i fëmijëve si dhe devotshmëria e tyre, të cilët do të lutën për ne edhe atëherë kur ne të kemi ndërruar jetë.

Të nderuar xhematlinj!

Për t’u begatuar me fëmijë të mirë dhe të devotshëm kërkohet punë dhe mund. Fëmijët nuk mund të edukohen brenda një nate, siç mendojnë një grup njerëzish, mirëpo duhen sakrifikuar vite të gjata në mënyrë që fëmijët të arrijnë deri në atë shkallë të devotshmërisë. Lëmosha (sadakaja) renditet ndër investimet më të lehta që mund të realizohet. Çdo person posedon lloje të ndryshme të pasurisë, përmes së cilës mund të ndihmojë nevojtarët. Ndihma apo kontributi nuk mund të bazohet vetëm në të holla (para). Nuk është fare më rëndësi se sa është shuma që kemi dhuruar apo lloji i pasurisë, me rëndësi është që besimtari apo besimtarja kur të japë diçka nga pasuria e saj, ta japë me sinqeritet.

Allahu xh.sh. thotë: “E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni.”4
Ky ajet bukur mirë na tregon se Allahu xh.sh e pranon ndihmën dhe lëmoshën që realizohet me sinqeritet për të arritur kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë. Gjithashtu trasimi i kësaj rruge, gjegjësisht dhënia sadaka (lëmoshë), bën që besimtari të fitojë shpërblim të dyfishtë edhe në qoftë se lëmosha është një shumë fare e vogël.

Besimtarë të respektuar!

Sadakaja e vazhdueshme nuk përkufizohet vetëm në para, pa marrë parasysh çfarë posedojmë, nëse vërtet e kemi dhënë me sinqeritet, pa dyshim se për këtë do gjejmë shpërblim tek Allahu i Madhërishëm. Feja islame na mëson që si umet që jemi, ta ndihmojmë njerëzimin pa dallim race apo feje.
Pejgamberi alejhi selam, thotë: “Më i miri prej njerëzve është ai që u sjell dobi të tjerëve.”5
“Allahu gjithherë do jetë në ndihmën e robit të Tij përderisa robi i Tij është në ndihmë të vëllait të vet.”6

Të nderuar xhematlinj!

Sadakaja apo dhënia lëmoshë fillimisht pastron pasurinë, siç thotë i Dërguari i Allahut, alejhi selam: “O ju të pasur, me të vërtetë në këtë shitblerje janë të pranishëm përbetuesi dhe rrenacaku, pra pastrojeni atë me lëmoshë.”
Sadakaja gjithashtu e pastron trupin e njeriut nga mëkatet, siç thotë Allahu subhane ue teala: “Merr prej pasurisë se tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…”7

Për fund, sadakaja largon fatkeqësitë dhe sëmundjet nga robi i Allahut. I Dërguari i Allahut në një hadith të tij citon: “Shëroni të sëmurët me lëmoshë!”
Po ashtu ajo fut hare dhe kënaqësi në gjoksin e të varfrit. Transmetohet se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Vepra me e dashur tek Allahu është të fusësh kënaqësi në gjoksin e besimtarit.”

Të gjithë këto që përmendem janë dobitë dhe të mirat që lëmosha sjell në dynja, ndërsa sa u përket dobive që sjell në botën e amshueshme, mund të veçojmë: lëmosha do të jetë mburojë nga nxehtësia e madhe e asaj dite për atë që ka dhënë sadaka; besimtarit ia lehtëson llogarinë Ditën e Gjykimit; peshoren ia rëndon me vepra të mira; gjithashtu e ndihmon që Urën e Siratit ta kalojë me lehtësi si dhe besimtarin apo besimtaren e ngre në shkallë më të larta të xhenetit.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të na vdesë muslimanë dhe të na bëjë të mundur që sa më shumë të investojmë për botën e amshueshme, për ditën kur nuk do të na bëjnë dobi fëmijët e as pasuria.

Përgatiti: Mr. Feim Dragusha

1 Kaptina Gafir, ajeti 39.
2 Kaptina Gafir, ajeti 40.
3 Hadithin e Transmeton Muslimi.
4 Kaptina El-Bekare, ajeti 256.
5 Hadithin e transmeton Taberani.
6 Hadithin e transmeton Imam Muslimi.
7 Kaptina Et Teube, ajeti 103.
Ligjërata është mbajtur në xhaminë e Bardhoshit, Komuna e Prishtinës, nga ligjëruesi, respektivisht imami i fshatit Bardhosh, Mr Feim Dragusha.

Must Read