BallinaPse ISLAMI?Islami është feja e të vërtetës, të mirës dhe të bukurës

Islami është feja e të vërtetës, të mirës dhe të bukurës

Islami është feja e të vërtetës, të mirës dhe të bukurës, ngase është i vërtetë absolutisht, i mirë në tërësi dhe i tëri i bukur. Në të nuk ka të kotë, nuk ka të keqe dhe nuk ka të shëmtuar. Ndërsa në fetë tjera përzihet e vërteta me të kotën, e mira me të keqen dhe e bukura me të shëmtuarën.

Islami është feja e të vërtetës, të mirës dhe të bukurës, për shkak të harmonizimit që bën ndërmjet këtyre tre vlerave duke i dhënë secilës prej tyre vendin që i takon dhe duke i bërë ta mbrojnë njëra tjetrën dhe ta ndihmojnë, gjë kjo që nuk vërehet tek doktrinat, kulturat dhe fetë tjera, të cilat iu japin atyre pozita kundërthënëse dhe armiqësore, që shkatërrojnë njëra tjetrën në vend se ta ndihmojnë a përkrahin. Në bukurinë e arteve shohin arsyetimin “ligjor” për ta marrë atë si mjet për të shpifur dhe rrënuar vlerat; në bukurinë e shprehjes, poezi apo novela qoftë, shohin mundësinë e fabrikimit të gënjeshtrave, promovimit të të këqijave si dhe performimin publik të tyre.

Islami është feja e të vërtetës, të mirës dhe të bukurës, për shkak se Ai, për adhurimin e të Cilit na thërret, është i vërteti, Ai që e bën të mirën, Ai që është i bukur dhe që nuk i afrohet bukurisë së Tij dot asnjë bukuri. Allahu i Madhëruar është e vërteta e madhe, të cilës nuk i afrohet dot asnjë e vërtetë; Ai është i Pari pa fillim, i Fundit pa mbarim, është i Dukshmi mbi të Cilin nuk ka asgjë, dhe i Padukshmi nën të Cilin nuk ka asgjë, Ai është Krijuesi i çdo gjëje. Zoti ynë është e mira në tërësi; e gjithë e mira është në dorën e Tij ndërsa e keqja nuk i atribuohet Atij. Zoti ynë është i bukur dhe e do të bukurën.

I Dërguari, të cilin na e dërgoi, është i vërtetë: ia njohim prejardhjen, lindjen, formimin, tiparet, madje dimë detaje për të aq sa askush tjetër nuk di për askënd tjetër në botë; ai nuk është sikur ata liderët e pretenduar në disa fe, për të cilët ithtarët madje në disa raste nuk kanë as dëshmi historike se kanë ekzistuar fare. Ka qenë i përshkruar me të gjitha tiparet e të mirës, madje për të Allahu i Madhëruar ka thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!“ (el-Kalem, 4) Ndërsa gruaja e tij, Aisheja, e cila e njihte shumë hollësisht, thoshte për të: “Morali i tij ishte Kur’ani!”(Transmeton Ahmedi.) Ka qenë i drejtë, besnik, përmbushte premtimet, i mëshirshëm, trim, durimtar, mbronte të vërtetën dhe ishte me të çdoherë ndërsa askujt përveç Allahut nuk ia kishte frikën për thënien e saj. Kishte pamje të bukur, shpirt të bukur, bisedë të bukur, ishte njeri që gëzonte respekt.

Kur’ani Fisnik, të cilin na e shpalli, e flet të vërtetën, udhëzon në të, urdhëron për të mirën dhe ndalon nga e keqja, dhe krejt këtë e shpreh me një gjuhë e cila është në majë të elokuencës dhe retorikës: “Ne me urtësi e zbritëm atë (Kur’anin) dhe me urtësi është zbritur…“ (el-Isra, 105); “Elif, Lam, Mim. 2. Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.“ (el-Bekare, 1-2); “Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.“ (Fussilet, 42); “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.“ (el-Isra, 9); “Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është që dëgjon e di.“ (el-En’amë, 115)
Kur’ani është i vërtetë në lajmet që rrëfen dhe i drejt në urdhrat që jep dhe ndalesat që bën. “All-llahu e shpalli të folmen më të mirë…“ (ez-Zumer, 23)

Ai nuk është sikur librat e feve tjera, në bazat, përkthimet dhe botëkuptimet e të cilave dyshojnë vet ithtarët e tyre.
E, për shkak se këto tri vlera (e vërteta, e mira dhe e bukura) bashkohen në Zotin e adhuruar, Profetin e dërguar, Librin e shpallur, atëherë më së miri do të ishte që të jenë kështu, të gërshetuara, edhe në jetën e njerëzve. Për këtë shkak, ne i gjejmë këto vlera të gërshetuara apo puthitura njëra me tjetrën në Librin e Allahut dhe në Sunnetin e të Dërguarit:

– virtytet morale përshkruhen me bukuri: “… durim i mirë. All-llahu është nga i cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju.“ (Jusuf, 18); “Ti pra, duro me një durim pa ankesë (të mirë).“ (el-Mearixh, 5)

– fjala përshkruhet me ‘të mirë’, i cila është botëkuptim estetik, ndërsa me të përshkruhet edhe vepra. “Ti të keqen kthe me më të mirën…“ (el-Mu’minunë, 96); “…dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…“ (el-Bekare, 83); “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira…“ (en-Nahl, 125)

Nuk ka mospërputhje ndërmjet përfitimit prej ndonjë gjëje dhe shijimit të bukurisë së tij, madje kështu edhe duhet të jetë.; “Edhe kafshët Ai i krijoi dhe në saje të këtyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe prej tyre hani. 6. Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi (idili) kur në mbrëmje ato i ktheni (nga kullosa) dhe kur në mëngjes i lëshoni (për në kullosë). 7. Ato bartin barrën tuaj (të rëndë) në ndonjë vend (të largët) që ju do të arrinit atje me shumë vështirësi (me gjysmë shpirti). Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe shumë Mëshirues.“ (en-Nahl, 5-7); “Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ngjyra e saj”! Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë, ngjyra e saj është e fortë që kënaqë shikuesit”.“ (el-Bekare, 69); “Ai që krijoi qiejt e tokën, që për ju lëshoi shi nga qielli, e Ne me të bëmë të lulëzojnë kopshte të bukura, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to; A mos ka ndonjë zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën).“ (en-Neml, 60)

Meditoje këtë ajet fisnik në të cilin Allahu i Madhëruar na urdhëron të shikojmë-vështrojmë në frytet e bimëve dhe pjekjen e tyre. “…Shikoni pra frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen (të gjitha këto nga shiu)…“ (el-En’amë, 99)

Shikimi dhe vështrimi në këto fryte nuk mund të jetë i zhveshur nga shikimi në atë që është bukuri dhe kënaqësi për syrin, dhe, sikur që krijimi i tyre dhe ushqimi me to janë fakte hyjnore, po kështu dhe bukuria e tyre është fakt për ata që besojnë. Shih se si Allahu i Madhëruar ka bashkuar ndërmjet urdhrit për të shikuar në këto fryte (fakte) dhe urdhrit për të dhënë Zekatin: “…Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojlive)…“ (el-En’amë, 141)
Me fat është ai që ka grua tek e cila bashkohen morali i mirë dhe dukja e bukur: “të cilën nëse e shikon, e gëzon, nëse e urdhëron, e respekton, e nëse mungon, ajo ia ruan nderin dhe pasurinë.”(Transmeton Ibni Maxheh.)

Këto vlera sikur që përshkruhen njëra me tjetrën, po kështu në fenë tonë ato janë edhe mjete për njëra tjetrën, të ftosh në të mirën patjetër se këtë duhet ta bësh duke e ndërtuar thirrjen mbi të vërtetën, e cila nuk mund të jetë ndryshe vetëm se e shoqëruar me të hijshmen dhe të bukurën. P.sh. tregimet e Kur’anit janë tregimet më të bukura në stil dhe përmbajtje, por nuk janë pjellë e fantazisë dhe as imagjinatës. Janë tregime të vërteta. Për të ardhur tek këshilla dhe mësime etike dhe fetare, ato rrëfejnë për realitete ndërsa nuk fabrikojnë të pavërteta. “…po të rrëfejmë ty (Muhammed) më të bukurin rrëfim…“ (Jusuf, 3); “Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur’ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.“ (Jusuf, 111)

Thirrja islame nuk është ndryshe vetëm se me fjalë të bukura, të cilat kënaqin veshin dhe e pushojnë shpirtin. “…dhe njerëzve u thuani fjalë të mira…“ (el-Bekare, 83); “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira…“ (en-Nahl, 125)

Por disa vëllezër tanë –Allahu i faltë!- thirrjen tek e vërteta dhe e mira më e madhe: adhurimi i Allahut të Madhëruar dhe mbajtja për Sunnetit, por këtë po e bëjnë me një vrazhdësi dhe mënyrë të pasjellshme që për pasojë njerëzit e ndershëm po irritohen dhe largohen prej tyre. A nuk e kanë medituar të tillët fjalën e Allahut të Madhëruar drejtuar të Dërguarit të Tij: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet…“ (Ali Imran, 159)

O Allah! Sikur Allahu i Madhëruar po i thotë të Dërguarit të Tij: Sikur ti të vazhdoje të përshkruhesh me të gjitha tiparet e të mirës që posedon dhe të vazhdoje të thërrasësh në të vërtetën në të cilën thërret, por megjithëkëtë ti të ishe i vrazhdë dhe i rëndë, njerëzit, të cilët tani janë me ty, do të largoheshin. Po përse? Për shkak se ata janë të ndershëm dhe kanë respekt për veten e tyre, kështu që nuk pajtojnë të nënçmohen dhe përbuzen madje as nga një njeri që ka personalitet sikur i Dërguari [alejhiselam]. Por, jo të gjithë njerëzit janë kësisoj. Ka që nuk respektojnë vetëm se të nënshtruar dhe nënçmuar. A nuk ka thënë Allahu i Madhëruar për popullin e Faraonit: “Dhe ashtu ai e frikësoi popullin e vet, e ata e respektuan, por ata ishin vërtet popull i shkatërruar.“ (ez-Zuhruf, 54)

Sa bukur është thënë:
Nëse ti e nderon të ndershmin, do ta përfitosh
E nëse e nderon të pasjellshmin, do të rebelohet

Thirrjes së të Vërtetës i përshtaten njerëzit e kategorisë së parë –të ndershmit. Ata janë që i besojnë asaj, e bartin me përgjegjësi, forcë dhe trimëri, kështu që janë pikërisht ata që na duhen kur i thërrasim dhe ftojmë, andaj, t’i thërrasim me metodën dhe mënyrën që iu përshtatet, sepse kështu i afrojmë dhe nuk i largojmë. Ndërsa sa i përket të pasjellshmëve, që pajtojnë me poshtërimin dhe nënçmimin, nuk ka të mirë në ta dhe as që shpresohet ndonjë e mirë prej tyre.
Përballë tyre ose kontrast me ta janë njerëzit që fjalën e butë dhe mirësjelljen i marrin si pretekste apo justifikime për të vënë njerëzit në greminën e politeizmit dhe inovacionit (risisë, bidatit), ndërsa i lumtur është ai që është bekuar nga Allahu për të thirrur tek Ai me atë që është më e mira.

Atëherë, bukuria është e lëvduar dhe e preferuar. Ajo është shoqëruesja e të vërtetës dhe të mirës, dhe, në rastet kur ajo del nga ky kontekst, respektivisht merret si mjet për të rrënuar vlerat, atëherë Islami e ndalon atë dhe dëfrimin me të. për këtë shkak ndalohen shikimi në disa foto-imazhe-pamje të bukura dhe dëgjimi i disa zërave – melodive të bukura kur këto i shërbejnë të keqes, respektivisht merren si mjete për të tërhequr njerëzit në politeizëm dhe amoralitet. Pikërisht për këtë ndalohet shikimi në gratë e huaja, për shkak se të dëfrehesh me bukurinë e tyre, gjegjësisht të shikosh në to,. Mund të jetë një nga ato rrugët që çojnë në shkatërrimin e nderit dhe moralit. Por kjo gjë nuk ndalohet ndërmjet bashkëshortëve, përkundrazi. Përderisa është dëfrim i lejuar, Islami thërret në të, madje e merr edhe si mjet për ruajtje të nderit. Po kështu edhe zërat e bukur, të cilët mund të jenë shkak për të zgjuar ndjenjat e të keqes-pandershmes apo për të shpërfillur ndonjë vlerë apo virtyt moral. Zëri i butë i femrës apo llastimi i saj me zë të ëmbël mund të jetë tërheqës dhe t’i bëjë njerëzit të mendojnë për të, madje qofshin edhe gra profetësh. Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar i ka ndaluar gratë e Pejgamberit [alejhiselam] të bëjnë një gjë të tillë. “O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.“ (el-Ahzab, 32)

Kështu thuaj edhe për mjetet muzikore dhe llojet e muzikës. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe e me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së All-llahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet e) All-llahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm.“ (Llukman, 6) Ibni Mes’udi [radijAllahu anhu] ka thënë: Është muzika (për qëllim me këtë ajet), pasha Allahun!

Falënderimi i takon Allahut që na ka udhëzuar për tek e vërteta, na ka lehtësuar rrugët e të mirës si dhe na ka bërë të dëfrehemi me bukurinë e fjalës, krijimit dhe botëkuptimeve!

Burimi:
http://sedatislami.com
Dr. Xhafer Shejh Idris
Përshtati: Sedat ISLAMI

Must Read