Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa kanë ndriçuar bredhin tradicional të pavarësisë, me ç’rast u tha se ndriçimi i këtij bredhi është një ridëshmim se populli dhe vendi ynë di të ruajë traditat tona kulturore, nacionale dhe shpirtërore, tradita që i përkasin edhe vlerave të qytetërimit euro-perëndimor.
Pas ndezjes së bredhit, presidentja Jahjaga ka thënë se Bredhi i pavarësisë siç është cilësuar nga presidenti Ibrahim Rugova gjithnjë është ndriçuar për nderim të festave të fundvitit që të gjithë qytetarët të festojnë në harmoni dhe lumturi.
“Ndriçimi i këtij bredhi apo ndriçimi i bredhave është një ri dëshmim se populli dhe vendi ynë di që t’i ruajë traditat tona kulturore, nacionale dhe shpirtërore, tradita që i përkasin edhe vlerave të qytetërimit euro-perëndimor dhe vepra dhe vlera të cilat gjithnjë populli ynë dhe qytetaret tanë i kanë dhënë ngjyrat dhe ngjyrat që burojnë nga diversiteti ynë etnik, kulturor e fetar“, ka thënë Jahjaga.
Ajo shtoi se le të jenë këto drita ato që ndriçojnë shpirtin dhe zemrën e të gjithë qytetarëve, duke sjellë harmoni dhe lumturi për fëmijët tanë dhe për të gjithë ne.
Por duket se me një fëmijë presidentes Jahjaga “i doli” punë, pasi që pas një interpretimi të një kënge nga ana e fëmijëve, presidentja Jahjaga tentoi ta ngrisë lart një fëmijë, por pasi vërejti se ai peshonte rënd, u detyrua ta lëshojë.
Ndryshe, nga ana e tij kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa nuk është prononcuar për media./Kosovapress/