BallinaARTIKUJHadith dhe SunetJam dalluar nga Profetët tjerë...

Jam dalluar nga Profetët tjerë…


Xhabir ibën Abdullahi tregon se Profeti i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Më janë dhënë pesë veçori të cilat i janë dhënë asnjë Profeti para meje: Jam ndihmuar me frikën (e armikut) në largësi një muaj, toka më është bërë xhami (vend-falje) dhe e pastër, prandaj çdo besimtarë kudo që e zë namazi le ta falë atë (në këtë tokë), më është lejuar plaçka e luftës, e cila nuk i ishte lejuar askujt para meje, më është dhënë ndërmjetësimi (shefati) dhe çdo Profet është dërguar vetëm rek populli i tij, kurse unë jam dërguar për mbarë njerëzimin” Zinxhiri i hadithit: Hadithin me këtë tekst e përcjell Xhabir ibën Abdullahi, të cilin e përmend në Sahihun e tij imam Buhariu me nr. 335 dhe 438, 3122. 
Komenti i hadithit:
“Më janë dhënë pesë veçori, të cilat nuk i janë dhënë asnjë Profeti para meje”
Nga fjalia kuptohet qartë, se Allahu i Lartësuar e dalloi Profetin tonë, sal-lallahu alejhi ue selem, nga Profetët e tjerë me disa veçori. Kjo është prej mirësive të Zotit, të cilat Ai ia jep kujt të dojë. Ai thotë: “Kjo është dhuntia e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu zotëron dhunti të madhe.” (Xhumua, 4).
Allahu gjithashtu thotë: “Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerët i ngriti në shkallë të larta.” (Bekare, 253).
Në fjalinë: “Më janë dhënë pesë veçori” nuk përmendet dhënësi, por dijetarët thonë se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e përmendi Allahun, ngaqë ai kur fliste për ndonjë të mirë dihej se kush ia kishte dhënë, po ashtu këto mirësi të mëdha logjikisht kuptohet, se ishin nga Allahu pasi mundësia të keqkuptohej nga dëgjuesit ishte e pamundur pasi ato të mira nuk i zotëron askush tjetër përveç të Lartësuarit. Gjithashtu ekziston mundësia që të mos e përmendte Allahun pasi të mos kuptohej nga dikush se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, po lavdërohej me përmendjen e këtyre veçorive e duke thënë gjithmonë Allahu më dalloi mua me këtë e këtë gjë, ku përmendja e tyre sa më thjesht njëherësh nënkupton modesti nga ai, veti kjo e cila gjithmonë është e pranishme nëpër hadithet e tij, në të cilat ai përmend ndonjë mirësi të veçantë të tij të dhënë nga Zoti.

  1. 1.“Jam ndihmuar me frikën(e armikut)në largësi një muaj”

Allahu e ndihmon të Dërguarin e Tij me forma nga më të ndryshmet dhe ndoshta më të pazakonta. Ai e ndihmon me erë me shi, me melek, kafshë etj. Çdo krijesë e Zotit njëherësh është edhe ushtar i Tij, i cili ishte në shërbim të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem. Prej këtyre ushtarëve të Zotit është edhe futja e frikës në zemrat e armiqve, të cilët siç përmendet në hadith edhe po të jenë në largësi një muaj nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe ushtria e tij ata fillon t’i kapë frika prej tij. Frikë kjo e cila normalisht pasohet me dështim në betejë. Ushtria zakonisht frikësohet nga armiku i vet, kur afrohen në fushëbetejë e shtohet apo pakësohet kjo frikë sipas rastit dhe forcës së palëve. Kurse në rastin e Profetit tonë, alejhi salatu ue selam, nuk është ashtu, nga ai janë frikësuar armiqtë në largësi të madhe, akoma pa e parë dhe pa ditur asgjë për numrin dhe përgatitjen e ushtrisë së tij, e cila zakonisht thuajse në të gjitha betejat ishte më e dobët, si në numër ashtu edhe në armë nga armiku, por kjo nuk ishte shkak për të mos u frikësuar prej tij armiqtë. Cekja e largësisë një muaj sipas mendimit më të saktë të shumicës së dijetarëve nuk ka si qëllim kufizimin e largësisë, por vetëm si shembull i largësisë me të cilin Profeti dëshiroi të ishte sa më konkret në bisedë. Kjo është e vërtetë pasi atij iu frikësuan të gjithë armiqtë edhe në largësi më të mëdha, kur dëgjuan për të, bile u frikësuan si njerëzit ashtu edhe armiqtë prej xhinëve.  
Kjo frikë nuk është e posaçme vetëm për Profetin tonë, sal-lallahu alejhi ue selem, por ajo është edhe për pasuesit e tij, të cilët sadopak afër që janë udhëzimit të tij, aq më shumë do t’u frikësohen armiqtë, gjë e cila është realitet i pamohueshëm i këtij umeti, i cili ishte i pranishëm gjatë gjithë historisë Islame dhe kjo na dëshmon se muslimanët kanë udhëhequr në çdo luftë dhe të tjerët u janë frikësuar akoma pa i parë për derisa kanë qenë pasues të Sunetit dhe larg mëkateve. Në momentin që ata filluan të largoheshin nga Suneti, të bënin mëkate apo edhe të mbështeteshin në fuqitë e veta Allahu e largoi këtë frikë nga zemrat e armiqve të tyre dhe e futi në zemrat e këtyre muslimanëve. Dëshmi për këtë kemi edhe nga vetë koha e sahabëve, të cilët dështuan në luftën e Uhudit vetëm pse nuk  i pasuan udhëzimet e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem.
Realiteti tregon se edhe sot qafirët frikësohen, por në të njëjtën kohë ata frikën nuk e kanë nga muslimanët pasi shumica e tyre janë larg Islamit, por frika e armiqve sot pothuajse është e përqendruar vetëm nga Islami si fe dhe mundohen me çdo kusht ta mbajnë atë larg praktikës së muslimanëve, sepse sikur myslimanët të bëheshin të denjë në zbatimin e kësaj feje, atëherë frika e armiqve do të dyfishohej.

  1. 1.“toka më është bërë xhami(vend-falje)dhe e pastër, prandaj çdo besimtar kudo që e zële ta falë atë(në këtë tokë)

Kjo veçori është e qartë se i takon edhe umetit të tij pasi edhe ata tërë tokën e kanë xhami, d.m.th. vendfalje në të cilin mund të falen kur iu vjen koha e namazit. Mirëpo kjo nuk nënkupton se falja në ato vende është më e mirë apo njësoj si falja në xhami e kështu të mos i kushtohet rëndësi faljes nëpër xhami. Për sa i përket Profetëve të tjerë ata nuk kanë pasur të drejtë të falen askund tjetër përveç nëpër vendfaljet e tyre të posaçme, kështu që ishin të detyruar të mos largoheshin shumë nga ato vende apo nëse ndodhte të largohen dhe të mos gjejnë xhami për t’u falur, atëherë e vononin namazin derisa gjenin xhami për falje. Kurse pastërtia e tokës do të thotë se toka për besimtarin është e pastër dhe e luan njësoj rolin si të ujit, nëse ky i fundit nuk gjendet ose mungon mundësia e përdorimit të tij. 
Dheu nuk luan rolin vetëm të abdesit, por edhe të guslit dhe me të kryhet çdo adhurim. Ai e luan rolin e ujit edhe nëse këtë të fundit nuk e gjen me vite të tëra. Nga Ebu Dherri, radijallahu anhu, përmendet të ketë transmetuar nga i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Dheu i pastër është pastrues për besimtarin, edhe nëse ai nuk gjen ujë dhjetë vite, e nëse gjen ujë atëherë lage me të lëkurën tënde, ngaqë kjo është më e mirë për ty.” (Sahih, shiko Irvaul galil, nr. 153).

  1. 1.“më është lejuar plaçka e luftës, e cila nuk i ishte lejuar askujt para meje”

Plaçkë e luftës quhet ajo pasuri, të cilën besimtarët e marrin pas fitores në betejë kundër armiqve të tyre. Përmendet se profetët para Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, e kishin të lejuar xhihadin, por atyre nuk u lejohej plaçka e luftës, që ta shfrytëzonin për interesat e tyre. Në ato kohë muslimanët pas betejës e tubonin çdo pasuri të armikut në një vend e pastaj zbriste zjarr nga qielli dhe e digjte të gjithë atë pasuri, duke mos lënë asgjë. Ky zakon nuk vazhdoi edhe me umetin e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, mirëpo atyre iu lejua shfrytëzimi i asaj pasurie, duke e ndarë fillimisht në pesë pjesë, një të pestën e shfrytëzojnë për interesat e fesë e katër të tjerat i ndajnë mes ushtarëve, këmbësori merr një pjesë kurse kalorësi tri pjesë.

  1. 1.“më është dhënë ndërmjetësimi(shefati)

Me fjalën “shefat” kihet si qëllim ndërmjetësimi i Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, që do të bëjë për njerëzimin Ditën e Gjykimit, që Allahu ta fillojë gjykimin. Ky ndërmjetësim ndryshe njihet edhe me shprehjen: “Ndërmjetësimi i madh”, pasi Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, do të ndërmjetësojë edhe në disa raste të tjera, por ky u quajt i madhi, ngaqë është më i madhi i llojit të vet dhe është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit. Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të kërkojnë nga Profetët e mëdhenj, që të ndërmjetësojnë tek Allahu për të filluar gjykimi, por ata do të arsyetohen, duke u frikësuar për mëkatet e veta, derisa kjo kërkesë të arrijë tek Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, e ai do ta pranojë këtë kërkesë të njerëzve dhe duke rënë në sexhde do të fillojë t’i lutet Allahut derisa Ai t’ia pranojë lutjen për të filluar llogaria. Ky rast ndryshe quhet edhe “Mekami mahmud” apo “pozita e lavdëruar” dhe e lakmuar nga të tjerët.

  1. 1.“çdo Profet është dërguar vetëm tek populli i tij kurse unë jam dërguar për mbarë njerëzimin”

Veçori e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem është fakti se ai u dërgua profet për mbarë njerëzimin, madje ai u dërgua edhe për xhinët. Për sa i përket profetëve të tjerë ata ishin të dërguar vetëm tek populli i tyre d.m.th. thirrja e tyre ishte detyrim për ta, që ta përhapnin vetëm tek populli i vet e jo më gjerë. Pati disa njerëz që menduan se edhe profeti Nuh, alejhi selam, ishte i dërguar për mbarë njerëzimin, pasi sipas tyre për shkak të mos-pranimit të thirrjes së tij të gjithë njerëzit e botës u shfarosën dhe pastaj ai pas tufanit ishte i vetmi profet në botë dhe besimtarët që e shoqëruan atë ishin e tërë raca njerëzore. Por kjo nuk qëndron për vet faktin se Allahu në Kuran thotë të kundërtën, Ai i Lartësuari thotë: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij.” (Nuh, 1).
Kurse sa i përket asaj se për shkak se nuk e pranuan thirrjen e tij u shkatërrua e tërë bota kjo nuk do të thotë, se ai ishte i dërguar tek të gjithë ata, por pasi ai thirri në rrugë të Allahut nëntëqind e pesëdhjetë vite atëherë pa dyshim kjo jetëgjatësi e tij në thirrje do të arrinte tek të gjithë njerëzit, edhe pse ai nuk ishte i dërguar për të gjithë ata. Kurse arsyetimi se ai ishte i vetmi profet pas tufanit dhe pasuesit e tij ishin të vetmit njerëz në fytyrë të tokës kjo nuk nënkupton asgjë tjetër përveç faktit, se diçka e tillë nuk ishte qëllim në vetvete, por ishte si pasojë e tufanit rast i cili nuk i jep atij epitetin “Profet i mbarë njerëzimit”.
Lulzim SUSURI
23/ 06/2010

Burimi: http://ehlihadithi.com/

http://islamifejaevertete.com

Must Read