Kam problem me lesbizmin

 

Pyetja:

Allahu qoftë i kënaqur me punën që po e bëni dhe Ai na ndihmoftë që të shmangemi nga të gjitha format e mëkatit. Besoj që faqja juaj elektronike ka ndihmuar shumë persona dhe shpresoj që të më ndihmojë edhe mua. Jam një vajzë e re që kam familje të mrekullueshme muslimane, por fatkeqësisht jam shumë nervoze dhe ndodh që grindem shpesh me familjarë, sado që mundohem s’po di ç’të bëj që të qetësohem. Mirëpo më mundon një çështje tjetër më tepër se kjo, është diçka shumë delikate dhe do doja mendimin tuaj. Te populli i Lutit e kemi të përmendur vetëm rastin kur burrat shprehin dëshirë për marrëdhënie me burra (nëse mund ta quaj kështu), p.sh. nëse femrat dëshirojnë të kenë marrëdhënie me femra (nga vetë logjika duket e ndaluar dhe mëkat i njëjtë si i pari), por si ta shmangim? Ju mund ta kuptoni se kam një problem të tillë dhe mjaft serioz pasi sa herë takohem me një vajzë gaboj, edhe pse them që s’do e përsëris më këtë mëkat. Ajo më ka nxitur dhe vazhdon ende, edhe pse në fillim kam kundërshtuar, tani jo, pra vazhdoj të futem në mëkat. Çfarë të bëj që të largohem edhe vetë nga kjo rrugë e gabuar, por ta largoj edhe atë pasi e kam të afërme? Më shqetëson edhe fakti se ajo ka lidhje me një djalë pa dijeninë e familjes së saj, si ta bind që është gabim? 
Tani e mora guximin t’ju pyes, ju kisha lutur të më falni për kohën e marrë dhe pyetjet ndoshta tepër të pakëndshme për ju, por përgjigjet e të cilave do të kenë një rëndësi të madhe për mua. Allahu na faltë për gabimet tona.
Ndoshta do ta merrni në shqyrtim edhe letrën time. Falënderimi i takon Allahut që ma dha mundësinë t’ju pyes për diçka që më shqetëson vërtet.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Motër e nderuar më lejoni që në këtë fillim t`ju përshëndes me përshëndetjen Islame Eselamu alejkum ve rahmetullahi ve berkatuh-Shpëtimi, paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit qofshin mbi ju! Ju dëshirojmë mirëseardhje në faqen tonë e tuajën dhe shpresojmë se kjo përgjigje do t`ju ndihmoj në tejkalimin e problemit me të cilin ballafaqoheni. Lus Zotin e Plotfuqishëm t`ju forcoj në fenë e Tij dhe t`u mbroj nga te këqijat e dukshme dhe të padukshme, vërtet Ai është i Dashur për robërit e Tij!

Më pastaj ua bëjmë me dije se kemi një numër të letrave të lexuesve që nuk kanë marrë përgjigje, por për shkak të rëndësisë që ju të merrni sa më shpjet një përgjigje dhe për shkak të problemit serioz të cilin e parashtroni, i dhamë përparësi letrës suaj, me shpresë se do t`u dalë në ndihmë që ta zgjidhni rrugën e duhur, në këtë udhëkryq shumë të rrezikshëm në të cilin gjendeni.

–         Për t’i shkuar rend letrës suaj themi se nervoza të cilin e ndieni, mund të jetë si shkak mosha e adoleshencës, edhe pse nuk e kemi të qartë moshën tuaj, mirëpo kjo fazë tek disa është më e gjatë dhe manifestohet me shumë fenomene dhe ndër ta është nervoza. Mundë të jetë edhe natyra e njeriut, pasi që njerëzit nuk janë të njëjtë, sido që të jetë, e sakta është se ajo shkallë, shkallë mund të përmirësohet dhe me një qasje të drejtë, mund ta qetësojmë vetën shumë dhe ti korrigjojmë sjelljet tona gjatë rrethanave në të cilat ndoshta më herët reagonim në formë të pakontrolluar. Për këtë kemi dhënë një përgjigje të mëhershme prandaj për hapat që duhet ndërmarrë ju këshillojmë të lexoni këtu:

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1621

–         Problemi tjetër për të cilin na keni shkruar është mjaft serioz, prandaj edhe u munduam që të japim përgjigje sa më shpejtë që kemi arritur.

Është i vërtetë konstatimi i juaj se Islami ndalon marrëdhëniet intime në mes të gjinisë së kundërt dhe kjo është në kundërshtim me natyrën njerëzore me të cilën është krijuar njeriu. Marrëdhënia seksuale në mes femrës e femrës quhet “lezbizëm”-“lesbizëm” dhe në gjuhën arabe quhet “Es Sihak”, ndërsa në mes mashkullit dhe mashkullit “homoseksualizëm”.  Neve në një përgjigje të mëhershme kemi folur në lidhje me homoseksualizmin dhe e kemi trajtuar në formë të detajuar. Ajo çfarë është thënë për të vlen edhe për lezbizmin prandaj ju rekomandojmë gjithsesi ta lexoni. Kliko:

http://www.klubikulturor.com/klubiri/?aid=1655

Nuk do të flasim rreth dëmit të këtij mëkati, e as rreziqet shëndetësore, pasi që për këto kemi folur në përgjigjen që ua rekomanduam, mirëpo menjëherë do të kaloj në çështjen tuaj. Ju themi se rruga në të cilën jeni është mjaft e rrezikshme, prandaj në atë moment që do ta lexoni këtë përgjigje, duhet të ndërmerrni hapa shumë të shpejta dhe mjaft të rëndësishme. Nga letra juaj mund të kuptojmë se ju jeni e re dhe arsyeja pse i jeni futur këtij veprimi të shëmtuar është shoqja, me një fjalë rrethanat ju kanë bërë që të arrini aty ku jeni, e jo se vuani nga ky çrregullim. Femra mund ti qaset këtij veprimi jo pse ka ndjenja të çrregullta, por mund të jetë për shkaqe se nga kureshtja e njohjes së seksualizmit i futet rrugës së keqe, ose për shaka, ose mund të jetë periudhë momentale e jetës suaj, ose një afërsi me shoqen të shndërrohet nga pakujdesia në afrim seksual, etj. I përmendëm këto, për faktin se në këto raste ky problem nuk trajtohet si devijim ose sëmundje, por është sjellje e gabuar e tejkalueshme, me kusht që kjo mos të kaloj në shprehi. Prandaj ju këshillojmë para se të bëhet vonë dhe para se të komplikohet situata t’i largoheni kësaj rruge dhe të vendosni që nga ky moment se kurrë më nuk do ti nënshtroheni mëkatit në fjalë.

Dijeni motër e nderuar, se ju jeni e re dhe para vetes keni jetën, mos e shëmtoni atë me veprime të cilat do ta devijojnë tërë jetën tuaj dhe për të cilat do të pendoheni se pse ia keni lejuar vetës, veprimet e tilla. Për Zotin motër, dije se tani ju në këtë fazë të jetës disa gjëra i shikon me sy tjetër dhe ju duken të thjeshta, mirëpo ato me kalimin e kohës do t`ju fusin në humnera dhe do të shpresoni ta rikorrigjoni atë që ka kaluar, por do të jetë shumë vonë. Gjendja e njerëzve të cilët i janë futur kësaj rruge të shëmtuar është përplot fëlliqësira, neveri dhe përbuzje. Ata shpresojnë që të kenë jetë të qetë dhe normale sikur njerëzit tjerë, por kjo mbetet vetëm shpresë. Ata mundohen të paraqiten te njerëzit si normal dhe ndoshta arrijnë edhe të krijojnë familje, por në brendësinë e shpirtit të tyre digjen, pasi nuk gjejnë qetësinë të cilën e kanë të tjerët. Paramendo një grua ta ketë burrin, fëmijët, familjen dhe të gjitha premisat për të qenë e lumtur, ndërsa ajo të vuajë nga çrregullimi që ia ka lejuar vetes dikur.

Çfarë është edhe më keq, paramendon ta takoni Zotin e Madhëruar me këtë mëkat, si do të jetë gjendja juaj? Si do të reagoni kur të jepet libri i veprave tuaja dhe të lexohet para njerëzve se me çfarë mëkati jeni marrë në këtë botë? E përmendëm disa herë se ju jeni e re, por sa e sa njerëz si ti kanë shkuar nga kjo botë pa pasur mundësinë t’i kthehen Zotit të tyre. A i garantoni ju vetes se jeta e kësaj bote nuk do të mbarojë shumë shpejt dhe nuk do të keni mundësinë as edhe ta thoni një fjalë kërkimi falje Krijuesit tuaj para se të shkoni nga kjo botë?    

Pa u zgjeruar më shumë ju këshillojmë që t’i ndërmerrni hapat si në vijim:

1.      Në këtë moment ndërpriteni lidhjen me shoqen që ju ka futur në këtë shëmti dhe në këtë duhet të jeni kategorike, duke ia komunikuar asaj se rruga që ajo ua mëson është rrugë e shkatërrimit dhe që nga ky moment distancoheni nga ajo. Ju duhet të keni karakter të fortë në këtë edhe nëse ajo është më e madhe se ju duhet ti dëshmon se nuk jeni në gjendje për një mashtrim të saj dhe një “dëfrim” të shëmtuar ta humbni dynjanë edhe ahiretin.

2.      Nga letra e juaj kuptojmë se ajo është e afërme e juaj, prandaj ndoshta është shumë vështirë distancimi fizik nga ajo, por ju tërheq vërejtjen që të jeni e vetëdijshme dhe mos i lejoni vetes, qoftë edhe një çast të vetmoheni me të. Dijeni se ky do të jetë momenti më kritik për ju dhe se shejtani do të tentojë të krijojë situata të tilla që ju të hiqni dorë nga vendimi i ndërmarrë. Prandaj mos i lejoni vetes të bini në gracka të këtilla, por së pari nëse është mundësia të mos e takoni fare do të ishte më së miri për ju, nëse kjo nuk është e mundur, atëherë vazhdimisht le të jetë në takimet tuaja prezent dikush që ju mos të vetmoheni.

3.      Mos t’ju brengosë fare gjendja e asaj vajze që ju ka futur në këtë rrugë, që të tentoni të ndikoni tek ajo, pasi ashtu si kuptojmë nga përshkrimi i juaj këtë nuk do ta arrini. Nuk them se ajo nuk mund të ndryshojë, por tatëpjeta të cilën e ka marrë ajo, (përveç problemit të lezbizmit, ajo ka marrëdhënie me djem, etj.) nuk është në mundësinë tuaj që të ndikoni tek ajo e ta marrë këshillën tuaj dhe çdo tendencë e juaja do të jetë në dëm tuajin. Ajo mund ta shfrytëzojë këtë kontakt që t’ju fusë edhe më shumë në këtë mëkat; primare për ju është ta mbroni vetën nga rreziqet që mund t’ju kaplojnë. Edhe njëherë e theksoj se fillimi dhe fundi i shpëtimit tuaj nga kjo rrugë e keqe është distancimi nga shoqja juaj, prandaj mos e neglizhoni këtë.

4.      Ashtu si e përmendni thoni se jeni familje fetare, kjo është pozitive për ju, pasi familjarët ndikohen njëri me tjetrin. Angazhojeni vetën me vepra të mira, faljen e namazit, mësimin e fesë dhe dijeni se nëse doni shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër, atëherë duhet të kapeni pas fesë së Allahut. Islami nuk e shpërfilli instinktin seksual që ekziston te çdo i ri, por edhe nuk e lejoi që ai instinkt të shtrembërohet. Ju jeni e re dhe i kemi parasysh ndjenjat seksuale që i ka çdo i ri, por mos u mashtroni me këto mëkate të devijuara. Prandaj mos mendoni shumë rreth këtyre gjërave pasi që këto e kanë kohën dhe momentin. Tani angazhohuni që të përgatiteni për jetën, të fitoni edukatë të shëndoshë, arsimim dhe sjellje të cilat forcojnë personalitetin tuaj.

5.      Lexoni pak më shumë rreth dëmit të mëkatit të homoseksualizmit e lesbizmit që të informoheni se me këto rrugë njeriu manifeston rebelimin nga natyrshmëria në të cilën Zoti i Madhërishëm e krijoi. Mos u mashtroni me atë që promovohet nga disa qarqe që pretendojnë se janë model i botës moderne që kanë trajtim të gabuar ndaj këtyre çrregullimeve e devijimeve.

6.        Një nga indikacionet e rrezikshme është edhe shikim i filmave dhe telenovelave që nxisin të rinjtë në veprime të pahijshme dhe çrregullime të ndryshme.

7.      Hulumto të gjesh shoqëri të mirë dhe të ruajtur nga devijimet e këtilla. Shoqërimi me vajza të moralshme të cilat të mësojnë për të mirën tënde dhe të ndihmojnë ta veprosh vetëm atë me të cilën është i kënaqur Krijuesi yt duhet të jetë synimi yt.

8.      Më e rëndësishmja nga të gjitha këto është mos harro lutjen e vazhdueshme që t’ia drejtosh Zotit tënd për falje që ta tejkalosh këtë problem. Forcimi i lidhjes dhe raportit me Zotin e gjithësisë është arma më e fortë që mund të posedojë besimtari.

Në fund, themi se ndoshta jemi zgjatur, por nga shpresa se këto fjalë të cilat do t’i shkruajmë do të jenë ndihmesë për ju (pasi e keni përmendur në fund të letrës se ajo çfarë do të themi është e rëndësishme për ju), u munduam që të përmendim disa gjëra që do t’ju bindin për shëmtinë e mëkatit të cilit i jeni qasur.

Lus Zotin e Madhërishëm që t’ju falë, mëshiroj dhe jep sukses në këtë botë dhe në botën tjetër. E Lus Atë që ajo që ka ndodhur me ju të jetë një etapë e mbyllur e errët e jetës suaj, të cilin do ta fshini me pendim të sinqertë ndaj Zotit tuaj dhe që t’ju hapin dyert e fatit dhe lumturisë në këtë dunja dhe ahiret. Amin!


Me respekt

Alaudin Abazi

Burimi: Klubikulturor.com

www.IslamiFejaeVertete.com


Must Read