BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeKëshilla për faljen e namazit me rregull

Këshilla për faljen e namazit me rregull

Këshilla për faljen e namazit me rregull

Pyetja:

Ju lutem e kam një brengë…
Nuk jam praktikuesi rregullt i namazeve. Fal xhumanë por edhe ndonjë vakt kur kam kohë.
E kam një brengë kur fal namaz sepse më shkon mendja për keq. Shpresoj që Zoti të më falë.
Ju lutem më jepni ndonjë  këshillë.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Vëlla i nderuar, ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqen tonë. Gjithashtu ndihemi të gëzuar për pyetjen tuaj, pasi na shkruani, ashtu si ju shpreheni, për një brengë që ju preokupon. Kjo na bën të besojmë se jeni një person i cili ka synim afrimin me Allahun e Madhërishëm dhe forcimin e raportit me Të. Për këtë ju merakoseni sepse në momentet kur ju jeni në kërkim të forcimit të kësaj lidhjeje me Krijuesin tuaj, ballafaqoheni me pengesa që ua humbin përqendrimin.

Gjëja e parë me të cilin do t`ju këshillonim është se ju duhet ta kuptoni se në fenë tonë, pas imanit (besimit) të cilin e dëshmon njeriu me fjalën: “La Ilahe Ilallah, Muhamedurr Rresulullah”, ibadeti më i vlefshëm dhe më i domosdoshëm është namazi. Namazi është shtylla e fesë, është kushti i dytë i Islamit.

Me të vërtetë ky adhurim është prej adhurimeve themelor dhe më të rëndësishme që duhet të kryejë besimtari. Prandaj, ju këshillojmë që sa më shpejt të filloni praktikimin e faljes së pesë kohëve të namazeve, pasi kjo është e domosdoshme për besimtarin.

Transmetohet nga Ibn Umeri se i Dërguari ynë, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla: mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabes për kë ka mundësi.

Allahu i Madhërishëm në ajete të shumta i ka nxitur besimtarët që ta kryejnë atë sa më mirë. Ai në Kuran thotë:

Të kthyer tek Ai (Allahu), kijani frikën Atij, kryejeni më së miri namazin dhe mos jini nga idhujtarët të cilët e përçanë fenë duke u ndarë në grupacione ku çdo palë i gëzohet idesë së tij.” (Rrum: 31)

Dhe thotë: “E nuk qenë të urdhëruar (njerëzit) për diçka tjetër përveçse ta adhurojnë Allahun sinqerisht me përkushtim, vetëm ndaj Tij ta falin më së miri namazin, ta japin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejineh: 5)

Dhe ka thënë: “Thuaju robërve të Mi të cilët kanë besuar: ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar, të japin fshehtas dhe haptas para se të vijë ajo ditë ku nuk ka shitblerje dhe as lidhje të ngushtë.” (Ibrahim: 31)

Gjithashtu, nga lutjet e të dashurit të ngushtë të Mëshiruesit, Ibrahimit alejhi selam, ishte: “O Zoti im, më bëj mua falës të namazit, po ashtu dhe pasardhësit e mi, o Zoti ynë, na e prano lutjen!” (Ibrahim: 40)

Vëlla i nderuar, këto citate janë vetëm disa nga ato që nxisin dhe dëshmojnë domosdoshmërinë e faljes së pesë kohëve të namazeve. Prandaj ju këshillojmë që ta filloni faljen e rregullt sa më shpejt, pasi këtu është fitimi juaj, të cilit do t’i gëzoheni në këtë botë dhe në botën tjetër. Dijeni se Ditën e Gjykimit njeriut nuk do t’i bëjë dobi as pasuria e as pasardhësit, por do ta shpëtojnë vetëm veprat e mira të cilat i ka manifestuar si nënshtrim ndaj krijuesit të Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët (por bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Shuara, 88-89)

Zemra e shëndoshë e përmendur në këtë ajet ka për qëllim njeriun i cili ka pasur besim të dëshmuar edhe me vepra.

– Ndërsa problemin e mendimeve të cilat u vijnë gjatë namazit e kemi shtjelluar në disa përgjigje, prandaj kthehuni aty. Allahu e di më së miri!

http://www.klubikulturor.com/pyetje/2008/pse_namazi_nuk_me_qeteson.htm

http://www.klubikulturor.com/Nuk-po-perqendrohem-mire-ne-namaz.htm

http://www.klubikulturor.com/pyetje/2007/si_mund_te_arrihet_perqendrimi_maksimal_ne_namaz.htm

Alaudin Abazi

Burimi: klubikulturor.com

www.islamifejaevertete.com

Must Read