Enes ibën Maliku përmend se e ka dëgjuar Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke thënë:
“Kush synon ahiretin (botën tjetër) Allahu ja bashkon (zvogëlon) problemet, ja mbjellë pasurinë në zemër dhe i vjen dynjaja nga pas edhe pse nuk dëshiron (që të vijë). Ndërsa kush synon dynjanë (këtë botë) Allahu do t’ia shpërndajë (shumojë) problemet, varfërinë ja vendosë mes syve të tij dhe nuk i vjen nga dynjaja më shumë se ajo që i është caktuar (në kader)”
Zinxhiri i hadithit:
Hadithin e transmeton Enes ibën Maliku dhe Zejd ibën Thabiti. Kurse e shënon imam Ahmedi në Musned, 5/183, Ibën Maxhe në Sunen, Darimiu në Musned, Ibën Hibani nr. 82 dhe 83, etj. Ky hadith konsiderohet i saktë në bazë të senedit (zinxhirit të transmetuesve) i cili e përcjellë atë. Atë e saktëson Ibën Hibani, kurse Busiri thotë: “Ky zinxhir i hadithit është i saktë, atë e transmetonë Ebu Davud Tajalisiu (ky nuk është i njëjti autor i Sunenit të Ebu Davudit por është dijetarë tjetër) gjithashtu e transmeton Taberaniu me senet tjetër jo të keq” (Ez-Zeuaid, 252/1). Të njëjtat fjalë rreth saktësisë së tij i përmend edhe Shejh Albani, Allahu i mëshiroftë të gjithë, në librin e tij: Silsile sahiha, hadithi nr. 404. Ky hadith është përmendur edhe me disa ndryshime fjalësh me shtojca dhe mungesa në disa fjalë por më i sakti dhe i ploti është ky që e përmendëm në këtë temë. Në disa sosh përmendja e dynjasë ceket në fillim e në disa të tjera ajo e ahiretit. Megjithatë të gjitha kanë të njëjtin kuptim.
Komentimi i hadithit:
Dhënia pas dynjasë është njëra nga dy sprovat më të mëdha me të cilat mund të pushtohet njeriu dhe të harrohet pas saj. Allahu dynjanë e ka bërë të bukur, të hijshme aq sa nëse nuk është i vetëdijshëm e përmbledhë me vete duke e larguar nga Zoti dhe duke e hedhur në zjarr. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, dynjanë e përshkruan me këto fjalë: “Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbëruar (zbukuruar) në të cilën Allahu ju bëri përgjegjës për të parë se çfarë do të punoni, kështu ruajuni nga dynjaja dhe nga gratë” (Muslimi). Nga hadithi kuptojmë se dynjaja është e lezetshme dhe e zbukuruar gjithashtu kuptohet se është njëra nga dy fitnet më të rrezikshme e cila pasohet me fitnen e grave. Allahu na ruajt prej çdo sprove!
Hadithi në fjalë në vete përmend disa pika të rëndësishme që tregojnë se cilat janë pasojat e dhënies pas dynjasë dhe në të kundërtën cilat janë dobitë e dhënies pas ahiretit. Hadithi përmendë:
-Dobinë e dhënies pas ahiretit
-Fitnen dhe rrezikun e dynjasë
-Forma e vetme e mposhtjes së dynjasë dhe fitores mbi të.
Duke mos harruar se dobitë e interesimit pas ahiretit dhe largimit nga dynjaja nuk janë vetëm këto që përmenden në këtë hadith por ato janë më shumë se kaq por pasi vetëm këto janë përmendur në hadith do të mjaftohemi me to të cilat janë të bollshme për atë që dëshiron të kuptojë.
Besimtari i cili qëllim të jetës së tij e ka fitimin e Xhenetit dhe punon për të ai ndër të tjera përfiton edhe në këtë dynja, duke mos i munguar asgjë prej saj, duke mos u dalluar prej të tjerëve por përkundrazi jeton më mirë se ta është më i qetë, përfiton të gjitha të mirat e kësaj botë duke mos u munduar shumë pas tyre dhe në anën tjetër e fiton edhe Xhenetin. Njeriu që me jetën e tij e ka synuar arritjen e shpërblimit dhe të Xhenetit ndër të tjera në këtë hadith përmendet se do të përfitojë edhe:
1- “Allahu ja bashkon (zvogëlon) problemet”
Kjo do të thotë se atij nuk i përzihen e as nuk i dalin prej dore punët e tij, çdo gjë e ka të programuar dhe ec sipas nevojës duke mos lënë mangut asgjë nga ajo që i nevojitet. Zvogëlimi i problemeve nuk është nuk është definuar vetëm me ato të dynjasë por është përgjithësuar duke na thënë të kuptojmë se në të futen të gjitha dertet si ato të kësaj bote ashtu edhe të varrit, Ditës së Gjykimit dhe të botës tjetër. Pa dyshim se kush e banë dertin e asaj për çka është krijuar dhe për çka ka ardhur në këtë botë që të interesohet për të atëherë tjetër kush do t’i bartë dertet e tjera të këtij njeriu dhe do t’ia rregullojë ato, e ai është Allahu i Gjithmëshirshëm.
Përmendet se atij të gjitha punët i shkojnë mbarë dhe i mblidhet çdo e mirë, i mblidhet mendja, truri i qëndron i përqendruar, i mblidhet familja dhe fëmijët në devotshmëri dhe rreth tij, i mblidhet paraja, i mblidhen në dashuri zemrat e të tjerëve duke filluar ta duan, ta respektojnë etj. pra në përgjithësi i mblidhet rreth veti çdo e mirë e kësaj bote dhe e botës tjetër.
2- “ja mbjellë pasurinë në zemër”
Shumë njerëz mendojnë se pasuri është paraja, duke mos e ditur se pasuria e vërtet është pasuria e zemrës e jo e xhepit. Rregull për të cilin Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Pasuri nuk konsiderohet malli i shumtë por pasuri është pasuria e shpirtit”(Tirmidhiu, Ibën Maxhe-sahih)
Pasuria shpirtërore do të thotë është kënaqësia e njeriut me atë që i është caktuar nga Allahu dhe me atë që e ka në duar të tij duke mos lakmuar në atë që e kanë të tjerët, duke mos harruar se kjo nuk do të thotë mosinteresimi për pasuri. Njeriu i tillë nuk jepet pas dynjasë, nuk interesohet për atë që s’është e tij, nuk ju lyp të tjerëve por vetëm Zotit, e ka shpirtin e ngopur, nuk ka ëndje për atë që është e huaja. E tërë kjo vjen si pasojë se ai synim të tij e ka ahiretin i cili është në Duar të Allahut e jo atë që të tjerët e kanë në duart e tyre.
Njeriu të cilit i mungon pasuria shpirtërore atij edhe sikur t’i ka me miliona të holla të deponuara do ta shihje se në fakt është i varfër në shpirt, në sjellje, në bashkëpunim me të tjerët, është i pakënaqur me atë që e posedon dhe mundohet që tërë dynjanë ta fus në duart e tij, ëndje kjo e cila e nxitë që të largohet nga rruga e Allahut për shkak se është i nxënë pas grumbullimit të parave.
Pra i pasur është ai që e bind veten se ka nevojë për Allahun e jo për paratë, ai që mendon se është i varur nga Zoti dhe jo nga të hollat pa marrë parasysh njeriu i tillë sa të holla posedon,kurse i varfër është ai që mendon se ka nevojë për të holla, tek to beson dhe pas tyre jepet duke e harruar Allahun dhe nevojën për Të.
3- “i vjen dynjaja nga pas edhe pse nuk dëshiron (që të vijë)”
Besimtari nuk jepet pas lezeteve të dynjasë sepse e di se ato janë të përkohshme, janë mashtruese dhe kjo do të ndikojë që ta pengojë nga arritja e kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimit të Tij. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë gjë edhe i rri larg asaj, frikësohet prej saj sikur që frikësohet nga dallgët e mëdha të detit të cilat përmbledhin para vetes çdo gjë që u del përpara. Ai e di se Xhehenemi është i zbukuruar me lezetet e kësaj dynjaje të cilat kush mundohet t’i provojë dhe t’i arrijë të gjitha ato pak nga pak do ta shpijnë në destnacionin e padëshiruar pra në Zjarr.
Megjithatë, edhe se besimtari ik prej dynjasë është për tu habitur se si ajo i shkon nga prapa dhe çdo gjë që Allahu ja ka shkruar për ta pasur dhe poseduar nga ajo i vjen këtij besimtari edhe pse vet dynjaja nuk ka dëshirë që tu shkoj nga pas atyre që nuk e duan por rregulli i Zotit për të është asisoj që ajo të shkojë pas çdokujt që nuk e do dhe e kundërta të largohet prej çdokujt që e dashuron dhe jepet pas saj. Shembulli i dynjasë është sikur i hijes së njeriut, të cilën njeriu nëse e ndjek hijen e vet në shesh të hapur kurrë nuk e arrin sepse ajo ikë para tij dhe e kundërta nëse largohet dhe ja kthen shpinën hija është ajo që e ndjek duke mos u larguar kurrë prej tij.
Në të dy rastet tona në këtë hadith sikur tek ai i besimtarit si tek pasuesi i dynjasë që të dy nuk do të arrijnë prej saj asgjë më shumë se ajo që u është shkruar apo caktuar nga Allahu që kur kanë qenë në barkun e nënës së tyre.
Megjithatë që përmendëm në këtë pikë duhet pasur kujdes faktin se Allahu nuk do nga besimtari që të vdesë për bukë, për ujë apo ilaçe, ai duhet ta shfrytëzojë dynjanë për aq sa ka nevojë për të, të punojë dhe ët angazhohet por ky angazhim të jetë për t’i shërbyer qëllimit final të cilit myslimani ja ka vendosur vetes. Ai duhet dynjanë ta vendos në shërbim të ahiretit të tij, ta shfrytëzojë aq sa ka nevojë për të,duke i ngjarë kështu shembullit të udhëtarit nëpër shkretëtirë, ngase edhe dynjaja është rrugë përmes shkretëtirës, i cili ndalet nën hijen e pemës së rastit të cilën e shfrytëzon sa ka nevojë për të e pastaj largohet duke e vazhduar rrugëtimin e tij. Pra ai e shfrytëzon hijen jo për hir të vet hijes por e vendos në shërbim të qëllimit të tij dhe për hir të rrugëtimit që e ka marrë. Kështu duhet shfrytëzuar dynjaja jo për hir të saj por për hir të ahiretit duke e vënë në dispozicion dhe shërbim të ahiretit. Në të kundërtën ai që e synon dynjanë ai qëllim e ka që ta ndërtojë dhe të punojë për të, sikurse udhëtari të jepej pas ndreqjes dhe rregullimit të asaj peme dhe hije kështu atij edhe do t’i ikte koha e pushimit kurse nga ana tjetër nëse do ta rregullonte mirë do të ndalej tek ajo hije dhe ta anulonte udhëtimin e tij për atje ku është nisur, e njeriu që prej lindjes së tij është nisur për diku, kjo rrugë ka vetëm dy stacione; Xhenetin ose Xhehenemin.
Në të kundërtën e kësaj që u përmend deri tani është njeriu që jepet pas kësaj dynjaje dhe qëllimi i jetës së tij është ta arrijë atë, të kënaqet në të dhe nuk mendon se a ekziston diçka pas saj apo jo. Njerëzit e tillë Allahu i dënon me shumë të këqija të cilat përmenden në disa referenca në Kuran e Synet, kurse në hadithit tonë në fjalë veçohen me përmendje tri prej tyre, të cilat janë:
1- “Allahu do t’ia shpërndajë (shumojë) problemet”
Atij çdo gjë që e ka pasur nën kontroll i del nga kontrolli, i përhapen dhe shumohen problemet, asnjë punë nuk mund ta kryej me rregull, gjithmonë është i mangët, me vërejtje dhe parregullsi në atë që e punon. Njerëzit e tillë nuk kanë sukses në asnjë punë, ardhmërinë e kanë të zymtë, nuk dalin fitimtarë e as të kënaqur me askënd, bile edhe familjet e veta janë në kundërshtim dhe të përçarë me të, pra është në shumë telashe edhe pse mund të mendojë se i ka punët mirë. atij i mjafton se me Allahun nuk qëndron mirë, i mjafton se Zoti është i hidhëruar dhe i pakënaqur me të.
2- “varfërinë ja vendosë mes syve të tij”
Me këtë fjali nënkuptohet se ai jo vetëm që është i varfër në zemër, kjo është mëse e sigurt, por ajo e përcjellë në çdo kënd, i është vendosur mes syve të tij. Kjo vendosje mes syve simbolizon faktin se ai gjithmonë e sheh para syve do të thotë gjithmonë i kujtohet varfëria, frikësohet prej saj dhe kurrë nuk është i qetë, e sikur vetëm ta kishte në zemër këtë frikë nga varfëria ndoshta ndonjëherë do ta harronte por ja që nuk mund ta harrojë sepse i qëndron para syve. Njeriut të tillë nuk i dhet pasuria kur gjithmonë është i frikësuar dhe në stres të varfërisë. Kështu është me atë i cili jepet pas dynjasë, e synon atë dhe punon pandërprerë për të duke e harruan Allahun e botën tjetër. me rastet e tilla është interesant fakti se personat e tillë e kanë harruar Allahun dhe mundohen me çdo kusht të arrijnë pasurinë e dynjasë e në fakt Allahu ua kthen me të kundërtën e asaj që ata synojnë, pra ua kthen me varfëri të pandërprerë, me stres të gjithmonshëm.
3- “nuk i vjen nga dynjaja më shumë se ajo që i është caktuar (në kader)”
Ky person edhe pse vrapon pas dynjasë ai prapë nuk arrin të fitojë asgjë më shumë se sa ia ka caktuar Allahu në kaderin (caktimin) e Tij. Kështu që njeriu i tillë humbë shumë gjëra, dhe jeton me shumë probleme të gjitha këto vetëm për shkak të dhënies pas dynjasë e në fakt i shkreti nuk ka asnjë mundësi që të arrijë m shumë se ajo që i është caktuar nga Allahu. Vrapon pas parasë, pas autoritetit, pozitës e emrit por prapë nuk i vjn më shumë se çfarë i është caktuar. Për këtë arsye nuk duhet harruar veten pas këtyre gjërave sepse edhe paraja, autoriteti, karrigia, emri dhe dynjaja do të vijnë aq sa të është caktuar nga Allahu që para lindjes deshën apo nuk deshën, por për besimtarin me rëndësi është të jepet pas ahiretit.
Në fund mos harro:
-Nënshtroje dynjanë e jo ajo ty. Ky nënshtrim arrihet vetëm me një mënyrë, duke mos u dhënë pas saj.
-Pasuria e myslimanit është në pasimin e fesë e jo të kësaj bote, sepse dynjaja sado e ëmbël të jetë prapë i vjen fundi kurse ahireti është i pafund.
-Dynjanë fute në duar por jo në zemër, robëroje atë e jo ajo ty.
-Të jesh i pasur nuk është në kundërshtim me këtë që përmendëm deri tani por të harrohesh pas saj dhe të largohesh prej fesë është në kundërshtim me këtë që u tha.
-Në këtë botë jemi krijuar për të mbjellë e jo për të korrë. Ahireti është ai në të cilin korret ajo që mbillet këtu. Kush mundohet ta bëjë të kundërtën nuk mund të marrë asgjë nga puna e tij sepse nuk ka në botë askund që të korrësh para kohe apo para se të mbjellësh.
-Askush nuk e harxhoi e as e morri me vete këtë dynja andaj merr mësim nga të parët e mos u mashtro.
Njeriu kurrë nuk ngopet përveç nëse nuk lakmon. Lakmitari po ta ketë një luginë me arë do ta kërkojë të dytën e pastaj të tretën e kështu me radhë, kështu biri i Ademit nuk ngopet me asgjë përveç me dheun që i futet në gojë pasi të hyjë në varr, siç na mëson Profeti ynë, sal-lallahu alejhi ue selem.
Bëhu asket ndaj dynjasë të do Allahu dhe bëhu asket ndaj asaj që kanë njerëzit të donë ata.
Lulzim Susuri
24/06/2011
Burimi: www.ehlihadithi.com
http://www.islamifejaevertete.com