Dijetarët janë dalluar rreth asaj se ku duhet të shikojë personi që fal namaz. Ajo që është e mirënjohur nga Imam Malik është se personi që falet duhet të shikojë përpara vetes. Kurse, mendimi i Imam Ahmedit është se ai duhet të shikojë në vendin e sexhdes, dhe ky, po ashtu, është mendimi i Imamëve Shafiu dhe Ebu Hanife. Argumenti i tyre është transmetimi i Muhamed ibn Sirinit, i cili përcolli se pejgamberi salallahu alejhi ue selem “ulte kokën dhe shikonte në vendin e sexhdes”, për shkak se kjo është më me ndikim sa i përket përuljes në namaz (khushu).Disa dijetarë kanë thënë: Imami si dhe ai që falet i vetëm shikon në vendine sexhdes. Kurse, sa i përket personit që udhëhiqet në namaz (me’mûm), ai shikon në imamin, dhe argument për këtë është hadithi në el-Buhari, ku thuhet se, kur i Dërguari salallahu alejhi ue selem fali namazin e eklipsit (salâtul-kusûf), ai i informoi Sahabët se atij i ishte paraqitur Xheneti dhe Xhehenemi, kështuqë ai u tha atyre:”Kjo ishte kur ju më patë të lëvizja përpara dhe mbrapsht”. Kjo është argument se ata po shikonin në atë dhe nga argumentet për këtë është hadithi ku thuhet se, kur u ngrit minberi i pejgamberit , ai qëndroi mbi të (për t’u falur), kështu që ai ngrihej dhe bënte rukunë në të, dhe, kur donte të bënte sexhde, zbriste poshtë dhe bënte sexhde në tokë, dhe tha:”Unë e bëra këtë vetëm që të ndiqni dhe ta mësoni namazin tim”. Ky është një argument se ata po shikonin në të.Po ashtu, Sahabët përmendën se i Dërguari salallahu alejhi ue selem recitonte edhe në namazet që nuk falen me zë dhe, kur u qe thënë atyre (Sahabëve):”Nga e dini këtë?”, ata thanë:”Nga lëvizja e mjekrës së tij”.Krejt kjo gjendet në Sahih el-Buhari, kështu që kjo është argument se me’mûmi shikon në imamin, për shkak se kjo e bën më të plotë ndjekjen e imamit dhe për shkak të faktit se imami mund të ngrihet apo të ulet nga harresa, kështu që me’mûmi të shikojë në imamin është më e plotë sa i përket ndjekjes së imamit.
Sa i përket imamit dhe atij që falet i vetëm, ai duhet të shikojë në vendin e sexhdes. Ky mendim është më së afërmi së vërtetës, sidomos nëse me’mûmi ka nevojë për këtë (shikim në imamin). Për shembull, (rasti kur)ai s’ka mundësi ta shohë imamin, kështu që e shikon imamin në mënyrë që ta ndjekë atë, dhe gjëra të ngjashme me këtë.Mirëpo, përjashtim nga kjo bën rasti kur personi është i ulur, sepse atëherë ai duhet të shikojë në gishtin e vet tregues, për shkak të transmetimit të Abdullah bin Zubejrit se pejgamberi salallahu alejhi ue selem asnjëherë nuk largonte sytë nga gishti tregues. Po ashtu, dikush ka bërë përjashtim në rastin kur personi falet te Qabja ndërsa ka mundësi të shikojë në Qaben; atëherë, ai shikon në Qaben. Dhe, po ashtu, (kjo vlen) kur personi fal namazin e frikës (salâtul-khawf) ndërsa armikun e ka përreth vetes, kështu që ai shikon në drejtim të armikut. Sidoqoftë, mendimi i saktë lidhur me rastin e Qabes është se ai që falet nuk shikon në të, për shkak të mungesës së argumentit për këtë, dhe ngaqë kjo mund të jetë largim i vëmendjes, sidomos nëse ka njerëz që bëjnë tawaf te Qabja.
Shejh Ibn Uthejmin, Tefsir Suretil-Bekareh, 2/126-127