BallinaARTIKUJHadith dhe SunetKujdes nga mendjemadhësia sepse përfundimin e ka të dhembshëm!

Kujdes nga mendjemadhësia sepse përfundimin e ka të dhembshëm!

Ndalimi i mendjemadhësisë

Abdullah ibën Mes’udi, radijall-llahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sellem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhennet ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë mendjemadhësie. Një njeri tha: Ndonjëri dëshiron që rrobet e tij dhe këpucët e tij të jenë të bukura. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: Allahu është i bukur dhe e don bukurinë kurse mendjedhamësia është mospranimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve.” (Muslimi)
Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Atë vend të përjetshëm (xhenentin) ua kemi përcaktuar atyre që nuk duan mendjemadhësi e as ngatërresë në tokë, e përfundimi i mirë u takon atyre që i frikësohen Allahut.” (Kasas, 83), poashtu thotë: “Mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnje mendjemadh e që shumë lavdërohet” (Llukman, 18) “A nuk është në xhehennem vendi i mendjemëdhenjeve?” (Zumer, 60) Mendjemadhësia në gjuhën arabe vjen me shprehjet: kibër, tekebbur dhe istikbar qe janë me kuptim të përafërt. Kibri (mendjemadhësia) është ndjenjë që ka të bëjë me njeriun i cili është narcisoid (Njeriu që dashurohet ne vetvete), sepse e sheh veten më të mirë se tjerët. Grada më e lartë eshtë që të paraqitet mendjemadh ndaj Zotit të tij, duke mos pranuar të vërtetën dhe duke mos iu nënshtruar Ati me besim dhe respekt. Tekebburi (lartëmadhëria) është dy llojesh:
1. të jenë veprat e mira më shumë se sa cilësitë e mira të tjerëve, që këndej Allahu, subhanehu ve teala, cilësohet me këtë kuptim.
2. ta teproj duke u lavdëruar më gjëra që nuk i posedon, kjo është cilësi e shumicës së njerëzve, Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Po kështu Allahu vulos çdo zemër të mendjemadhit, të arrogantit.” (Gafir.35)

Nga hadithi i lartëpërmendur kuptojmë kërcënimin e ashpër ndaj mendjemadhit dhe se ai nuk hyn në xhennet pa e shijuar dënimin e Allahut nëse e dënon ose hadithi mund të kuptohet se ky është dënimi i tij nëse Allahu e dënon. Ka shumë transmetime që qortojnë dhe ndalojnë mendjemadhësinë, si dhe kërcënime të ashpra ndaj mendjemadhit, prej tyre hadithi që u përmend në fillim të këtij kapitulli, pra mendjemadhësia është prej cilësive të banorëve të xhehenemit, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “A doni t’ju tregoj se kush janë banorët e xhehenemit? Çdonjëri që është arrogant, i ashpër dhe mendjemadh.” (Buhariu)
Ai cili ka këtë cilësi Allahu, subhanehu ve teala, nuk do t’i flet Diten e Kijametit e as që do ta shikon, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Tre lloje të njerëzve Allahu nuk do t’ju flet, nuk do ta lavdëron e as që do t’i shikon por do t’i dënon dhembshëm: plakun që bën kurveri, mbretin që genjen dhe të varfërin mendjemadh.” (Muslimi) Mendjemadhi do të takon Allahun, subhanehu ve teala, të hidhëruar me të, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Ai që paraqitet mendjemadh apo ec me mendjemadhësi e takon Allahun të hidhëruar.” (Imam Ahmedim kurse Hakimi dhe Dhehebiu vërtetojnë hadithin).
Prandaj përfundimi i tij do të jetë gjuajtja në zjarr me fytyrën e tij, thotë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë mendjemadhësi, atë Allahu e gjuan me fytyrë në zjarr.” (lben Ebi Dunja)

Lartmadhëria është prej cilësive të Allahut, subhanehu ve teala, dhe nuk i takon askujt përveç Tij, sepse vetëm Ai ka emra të bukur dhe cilësi të përkryera, Atij i takojnë të gjitha lavdërimet dhe falenderimet, në një hadith kudsij qëndron “Krenaria është ridaja ime, Lartmadhëria është izari Im, ai që don të më shoqëron në to, e dënoj.” (Muslimi)
Është për t’u habitur me njeriun i cili bëhet mendjemadh, edhe pse dy herë ka kaluar nëpër kanalin urinor, një herë pikë uji e ndytur, së dyti trupth i ndytur, e mes kësaj ai bartë në vete ndytësirë! Pse pra mendjemadhësia , për shkak pasurisë ? Pasuria harxhohet. Për shkak fuqisë? Fuqia dobësohet. Për shkak pushtetit? Nesër mund të humbet. Habi, habi me atë i cili bëhet mendjemadh dhe e di se kah vdekja ec dhe fundin e ka në varr!! Me’muni ka thënë: Asnjëri nuk bëhet mendjemadh vetëm se për shkak të metave që i gjenë në vetvete, as që bëhet kryelartë vetëm për shkak dobësisë që e ndien në vetvete. Haseni, radijall-lahu anhu, pa një njeri pranë xhamisë i cili paraqitej mendjemadh dhe tha: Shikoni këtë njeri, nuk ka pjesë të trupit e Allahu të mos e kishte begatuar, dhe nuk ka pjesë të trupit e djalli të mos e kishte nëpërkëmb. Është thënë: Nuk bëhet kryelartë vetëm i poshtëri e as modest vetëm i larti.
Dije vëlla musliman se përfundimi i mendjemadhësisë është i afërt, shembujt për këtë janë të shumtë, Karuni ishte prej popullit të Musait alejhis-selam, Allahu e pat begatuar mirëpo ai u bë kryelartë dhe i padrejtë. Si ishte përfundimi i tij? Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Karuni ishte nga populli i Musait dhe ai shtypte atë popull ngase ne i patëm dhënë aq shumë pasuri saqë një grup i fuqishëm mezi bartnin çelsat e (pasurisë së) tij, e kur populli i vet tha: mos u kreno aq shumë sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit. Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bë Allahu ty, e mos bën të këqia në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit. Ai (Karuni) tha: Më është dhënë vetëm në sajë të dijes time! Po a nuk e di se Allahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë asish që ishin edhe më të fuqishëm e më të pasur se ai, por mëkatarët kriminel as që do të pyetën për fjalët e tyre (meqë Allahu i di). E ai (Karuni) doli përpara popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: Ah, të kishim patur edhe ne ashtu si i është dhënë Karunit, vërtetë ai është fatbardhë! E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: Të mjerët ju, shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepra të mira, po atë nuk mund ta arrijë përveç durimtarëve. Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe, përveç Allahut nuk pati ndonjë që ta mbrojë e as vetë nuk pati mundësi të mbrohet.” (Kasas, 76-81)
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:”Derisa një njeri ecte dhe zvaritte izarin e tij për toke nga mendjemadhësia, shembet toka dhe ai fundoset në të deri në Ditën e Kijametit.” (Buhariu)
Seleme ibën Ekva, radijall-llahu anhu, transmeton se një njeri u ushqye në prezencë të Pejgamberit, sal-tallahu alejhi ve sel-lem, me dorën e tij të majtë, dhe i tha: “Ushqehu me dorën e djathtë! Ai ia ktheu: Nuk mundem. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, tha: “Mos paç mundësi”. Atë nuk e pengoi të ushqehet me dorën e djathtë vetëm se mendjemadhësia dhe nuk mundi më asnjëherë të afroj dorën e tij te goja e vet.” (Muslimi)
Kujdes, kujdes vëlla musliman nga mendjemadhësia sepse përfundimin e ka të dhembshëm, e shembujt për këtë janë të shumtë. Imran ibën Musa thotë: Lexova në disa libra; nuk kam parë askend që është bërë mendjemadh ndaj atyre që ishin nën të, vetëm se në të njëjtën masë ka shijuar nënçmim prej atyre që ishin mbi të.

Ahmed Muadh Hakkij
Përktheu: Agim Bekiri (libri: Katërdhjet hadithe mbi moralin, NuN, Shkup, 2005)

Must Read