Kur lexon fjalën e Atij që e zbriti fjalën
Ta lejosh mendjen tënde të jetojë në inferioren jep të kuptosh të bëhesh inferior dhe ta rrethosh veten me gjëra inferiore. Kështu, kur e merr të lexosh një letër në dorë nuk është sikurse të kesh një letër në dorë e ta lexosh. Njeriu është qenie që mendon dhe njeriu e merr gjithmonë formën e asaj për të cilën mendon. T’ia shuash etjen një të eturi është sikurse t’ia ofrosh dashurinë një të dashuri. Njeriu mund që të gjallërojë me fjalë vetëm kur fjalën e merr nga i Gjalli, por dihet se ai s’mund të ndryshojë asgjë, ngase vetë ishte asgjë kur u ndryshua. Të dish të lexosh jep të kuptosh se dinë ta lexosh jetën që je duke e jetuar. Nëse e udhëzon dikë në një vepër që nuk është i aftë që ta kryejë veprën, rezulton që tjetri ta marrë përsipër kryerjen e veprës për të cilën është i paaftë i udhëzuari. Në çastin kur njeriut i ngushtohen rrugët dhe i mbyllen dyert, m’u tani ndodhin befasitë dhe dalin në shesh rrugëdaljet. Tani, qëllimi e lehtëson jetën vetëm kur jeta jetohet me qëllim. Pra, shikimi mund ta mbrojë dijen e nxënë kur dija paraprakisht është nxënë nga ruajtja e shikimit. Mënyra se si i bën gjërat njeriu është rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës se si mendon njeriu për gjërat. Sekreti është një e përbashkët mes të dy gjërave, andaj edhe kur e thëna kërkohet të mbetet sekret, kërkohet e përbashkëta mos të thuhet prej dy gjërave. Njeriu mund të drejtojë në një vepër të dobishme dikë që e donë, por sërish, dashuria nuk shihet, porse dashuria lë gjurmë përmes veprës së dobishme. Leximi që lind nga inspirimi për të lexuar rezulton me arritjen e kënaqësisë kur je duke u marrë me lexim. Tani, nëse fjalën e përdor për ta arsyetuar mosdijen e të shkruarit të fjalës nuk e tregon dobësinë tënde, porse vërtetohet vlera jote që me fjalë e shpreh atë që është e shkruar. Kështu, kur arsyetimin e merr si bazë për të arsyetuar dikë lind nga ndikimi i arsyes që ta arsyetosh të arsyetuarin. Të lexosh fjalën e Atij që e zbriti fjalën të mundëson ta kuptosh fjalën përmes leximit të fjalës së Tij. Në fakt, njeriu më tepër mund ta kuptojë dashurinë përmes leximit në letër se sa që ta ndiejë dashurinë përmes ndjenjës së dashurisë. Nëse pyetjen e shtruar s’mund ta kuptosh, dije se s’do të mund ta kuptosh edhe përgjigjen e marrë nga shtrimi i pyetjes. Shikimi shkon paralel me kuptimin, kurse të dëgjosh s’të nevojitet asgjë të vijë paralel me dëgjimin, veç duhet zhurmimi i zërit. Ideja që lind për të lexuar për idenë lind nga interesimi që ta kuptosh idenë nga ajo pjesë e leximit. Në fakt, në zemër pëshpërit fjala e pashqiptuar, kurse me gjuhë shqiptohet fjala e zemrës. Të përjetosh dhimbjen në heshtje nuk është sikurse në mënyrë të heshtur të të dhemb ajo që e përjeton. O njeri! Dije se kur të synosh një udhëtim, mund të jesh në dijeni veç për nisjen, e jo edhe për kthimin. Njeriu me sy mund të sheh çdo gjë, por rrallë në jetë mund të sheh atë që vërtetë dëshirojnë sytë ta shohin. Kur mendon për gjuhën përmes së cilës e nxjerr fjalën rezulton që fjalën nga gjuha ta nxjerrësh me mend. Andaj, ke parasysh se dallim i madh ekziston në mes kureshtarit që dëshiron të lexojë librin dhe të lodhurit që e dëshiron librin vetëm sa për të lexuar diçka!
Shkroi: Blerim Muhaxheri
Burimi: www.islamifejaevertete.com