Kur njeriu Ditën e Llogarisë do të dëshpërohet, Pse?!
Njeriu, jo çdoherë i gëzohet fundit të gjërave. Ndonjëherë, ani pse planifikon dhe pret rezultatet pozitive, ai shokohet kur të mësojë se gjërat nuk kanë shkuar siç ka menduar. Është një ndjenjë e keqe, e cila nganjëherë ka edhe përfundim tragjik. Ka pritur të korrë rezultate në provime, por ka dështuar; ka shpresuar në sukses të biznesit, por ka humbur; ka ëndërruar pasuri, por ka përfunduar i varfër…
Kjo “befasia” me atë që fare nuk e ke menduar, e përcjellë njeriun edhe në botën tjetër. Edhe atje njeriu do të ngelë i habitur kur të del para Allahut ndërsa, edhe pse është falur dhe ka agjëruar, edhe pse ka dhënë Zekatin dhe ka kryer Haxhin, veprat e tij nuk do të pranohen. Thotë Allahu i Madhëruar:
…E prej All-llahut do t’u prezentohet (lloji i dënimit), çka as nuk kanë mundur ta mendojnë.“ (ez-Zumer, 42)
Kanë thënë disa nga gjeneratat e para të myslimanëve: “Sa shumë herë në Ditën e Llogarisë njeriu do të dëshpërohet ndërsa nuk e ka menduar fare!”
Përse parashikimet e njeriut nuk do të dalin në Botën tjetër?
Për ç’shkak njeriu nuk do të shpërblehet ndonëse është falur, ka agjëruar, ka dhënë Zekatin dhe ka kryer Haxhin?
Ku qëndron problemi?
Janë këto pyetje, përgjigja ndaj të cilave përbën materien kryesore të kësaj ligjërate.
Defektet në sinqeritet
Shkaku pse njeriu pëson këtë të papritur të hidhur, në radhë të parë, siç kanë përmendur shumë komentues në shpjegimin e ajetit që cituam më parë, ka të bëjë me mungesën e sinqeritetit. Njeriu që nuk ka punuar për të arritur kënaqësinë e Allahut, por atë të njerëzve, veprat e tij do të jenë të papranuara. Për njeriun e këtillë dijetarët kanë marrë një shembull. Kanë thënë se ai i ngjan njeriut që kalon nëpër treg me një thes përplot gurë. Njerëzit mendojnë se ka gjësende me vlerë, por ai ka vetëm gurë, me të cilët nuk mund të blen asgjë. Për këtë shkak, Sufjan Theuriu thoshte: Mjerë për hipokritët! Mjerë për hipokritët! Ky është ajeti i tyre dhe kjo është storia e tyre.
Allahu i Madhëruar ka shpjeguar në Kur’anin Famëlartë se veprat e të tillëve janë të asgjësuara në botën tjetër.
E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” (el-Furkan, 23)
Njerëzit që nuk ia kanë frikën Allahut por iu fshehën vetëm syve të njerëzve, janë ata që ndonëse mund të kenë vepra të mira, ato do t’iu bëhen hi e pluhur. Ibni Maxheh [Allahu e mëshiroftë!] transmeton se Theubani [Allahu qoftë i kënaqur me të!] se Muhammedi [sal-lAllahu alejhis ves sel-lem] ka thënë:
“Unë do t’i njoh disa njerëz nga Ummeti im që do të vijnë Ditën e Kiametit me të mirat të shumta sikur kodrat e bardha të Tihames, por të cilat Allahu i Madhëruar do t’i shndërrojë në hi e pluhur! Theubani tha: O i Dërguari i Allahut, na i përshkruan ata që të mos jemi prej tyre nga padija! Atëherë, ata -tha i Dërguari i Allahut- janë vëllezër tuaj, nga lëkura (lloji, raca) juaj, ata falen gjatë natës siç faleni dhe ju, por kur të vetmohen me ndalesat e Allahut, atëherë i shkelin ato!” (Albani e vlerëson hadithin si autentik.)
Gafleti apo pakujdesia
Njeriu ndonjëherë tregohet aq i shkujdesur aq sa harron edhe vdekjen. Ai vazhdon me mëkatet e tij, vazhdon me kryeneçësinë, vazhdon me injorimin e së vërtetës deri në momentet e fundit, atëherë kur i kupton të gjitha por që është tepër vonë. Allahu në kaptinën Kaf na rrëfen se vdekja sjell të vërtetën, të cilën e ka anashkaluar dhe i ka ikur asaj njeriu gjatë tërë jetës.
(I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta hoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.“ (Kaf, 22)
Perdja u hoq dhe ai mësoi atë që nuk e kishte llogaritur kurrë se mund t’i ndodhte. Ja si na e përshkruan këtë Allahu i Madhëruar:
E sikur të ishte e atyre që nuk besuan, e tërë ajo çka ka në tokë e edhe një herë aq, do ta jepnin kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. E prej All-llahut do t’u prezentohet (lloji i dënimit), çka as nuk kanë mundur ta mendojnë. 48. Dhe do t’u dalin në shesh të këqijat që i kanë punuar dhe i përfshin ata ajo me të cilën talleshin.“ (ez-Zumer, 47-48)
Mendojnë se janë vepra të mira, por janë të këqija
Pse njerëzit mund ta pësojnë keq dhe të ballafaqohen me këto të papritura të hidhura është edhe gabimi i tyre në perceptimin e të mirës. Ata ndonjëherë bëjnë keq ndërsa deklarohen sikur bëjnë mirë. Ose, sikur ajo që bëjnë nuk është mëkat. Fudajl Ibn Ijjadi në koment të ajetit bazë ka thënë: Ata kanë bërë vepra për të cilat kanë menduar se janë të mira por kanë dalë që ato të jenë të këqija. Të këtillët do të ndihen shumë keq kur të mësojnë për fatin e veprave të tyre. Këta janë humbësit më të mëdhenj. thotë Allahu:
Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” 104. Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.“ (el-Kehf, 103-104)
Risimtarët apo ata që shpikin në fe
Nga ata që dijetarët kanë nënvizuar si njerëz që do të përjetojnë tmerrin e asaj që nuk e kanë kujtuar are janë dhe risimtarët ose shpikësit e traditave fetare të pabaza. Imam Gazaliu në Ihjau Ulumidddin shpjegon se si atyre, që besojnë forma të gabuara në besim dhe aplikojnë po kështu forma të gabuara në adhurim, ende pa u larguar nga kjo botë, respektivisht në momentet e vdekjes, iu bëhet e qartë kotësia e veprimeve të tyre. Për këtë shkak ata edhe përjetojnë llahtarinë e këtij ballafaqimi me aë që e kanë kujtuar si të mirë. (Shih: 4/175.)
E keqja në rastin e këtyre bidatxhinjëve është se ata, duke qenë se e mendojnë si të qëlluar atë vepër, nuk pendohen kurrë për gabimet e tyre. Ky është shpjegimi i thënies se ‘Për bidatxhiun nuk ka pendim!’, pra për shkak se atij nuk i shkon ndërmend të pendohet ngase e sheh rrugën e tij të drejtë dhe të duhur.
Mëkatet i marrin për të vogla
Shkak tjetër pse ndodhë kjo befasi e hidhur është nënvlerësimi i rrezikut të mëkateve. Disa gjëra janë të mëdha ndërsa ne nuk i marrim për të tilla. Alkooli është shumë i dëmshëm për shëndet, por qindra litra alkool nuk mund të kenë ndikim sa ka një pikë helmi. Ka thënë Enes Ibn Maliku [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: Ju po i bëni disa gjëra që për ju janë më të imta se qimja e flokut (pavlera) ndërsa ne, në kohën e të Dërguarit të Allahut, i merrnim për shkatërruese. (Transmeton Buhariu në Sahihun e tij.) Ne sot përgojojmë njerëzit ndërsa bëhemi sikur nuk kemi bërë mëkate fare. Buhariu dhe Muslimi [Allahu i mëshiroftë!] transmetojnë se Muhammedi [sal-lAllahu alejhis ves sel-lem] ka thënë:
“…dhe njeriu nga pakujdesia do ta flet në fjalë nga ato që e hidhërojnë Allahun ndërsa do të futet thellë në Xhehennem.”
Mëkatet e shumta ose shlyerës të shpërblimeve
Ashtu sikur të mirat që shlyejnë të këqijat, po kështu,e dhe të këqijat shlyejnë të mirat, ose, pamundësojnë përfitimin prej shpërblimit të të mirave. Kjo është kur mëkatet të jenë më shumë se të mirat apo të jenë prej atij llojit që zhvleftëson të mirat. Muhammedi [sal-lAllahu alejhis ves sel-lem], siç përmendëm edhe më lartë, ka thënë:
“Unë do t’i njoh disa njerëz nga Ummeti im që do të vijnë Ditën e Kiametit me të mirat të shumta sikur kodrat e bardha të Tihames, por të cilat Allahu i Madhëruar do t’i shndërrojë në hi e pluhur! Theubani tha: O i Dërguari i Allahut, na i përshkruan ata që të mos jemi prej tyre nga padija! Atëherë, ata -tha i Dërguari i Allahut- janë vëllezër tuaj, nga lëkura (lloji, raca) juaj, ata falen gjatë natës siç faleni dhe ju, por kur të vetmohen me ndalesat e Allahut, atëherë i shkelin ato!” (Albani e vlerëson hadithin si autentik.)
Kjo ndonjëherë ndodhë kur pas të mirës pason e keqja. Allahu na ka ndaluar nga një traditë e tillë. P.sh. përkitazi me lëmoshën ka thënë:
O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim…” (el-Bekare, 264)
Pra, i ka dhënë lëmoshë por në anën tjetër ia ka përmendur atë, pra e ka ulur paksa, për ta poshtëruar e ofenduar më pas. Këto gjëra bëjnë që njeriu të mos ketë shpërblim fare për veprën e tij. e dini që një grua ka hyrë në Xhehennem për shkak të gjuhës së saj,e dhe pse është falur dhe ka agjëruar.
Padrejtësitë dhe rreziku i tyre
Se njeriu mund të befasohet për të keq në botën tjetër, edhe pse ka vepra të mira, është kur ai sillet padrejtësisht ndaj njerëzve. Muhammedi [sal-lAllahu alejhis ves sel-lem], ka thënë:
“A e dini se kush është i falimentuari?” Thanë: I falimentuar mes nesh është ai i cili nuk ka asnjë dërhem e asnjë plaçkë. Ai tha: “I falimentuari prej ummetit tim është ai që vjen Ditën e Kiametit me namaz, agjërim, zekat por ka sharë dikë, ka shpifur për dikë tjetër, ka ngrënë pasurinë e dikujt tjetër, ka derdhur gjakun e këtij apo ka qëlluar atë tjetrin. Atyre i jepen nga të mirat e këtij derisa kur mbarojnë të mirat e tij para se atyre t`u jepet e drejta, merren nga të këqijat e atyre dhe i hidhen atij e pastaj ai hidhet në Zjarr.” (Transmeton Muslimi.)
Shpresa e rreme
Thirrja në mëshirën e Allahut dhe mashtrimi me shpresën se mund të më fal Zoti, ndonjëherë mund të jenë shkak i hidhërimit të Allahut, e kështu kur të del njeriu para Tij të befasohet për atë që fare nuk e ka papritur. Fjala është gjithnjë për ata që shpresën e marrin pretekst për të vazhduar në mëkate. Ka thënë Hasan Basriu:
“Një grup njerëzish janë ngazëllyer (mashtruar) nga shpresat e faljes aq sa dolën nga kjo botë ndërsa nuk patën asnjë të mirë. Ata thanë: Ne ndajmë mendime të mira për Zotin, por, gënjyen, ngase po të ndanin mendimet të mira, edhe do të punonin mirë.”
Tek Allahu i drejti dhe i padrejti nuk janë të njëjtë. Besimtari i devotshëm dhe mëkatari nuk janë njësoj. Thotë Allahu:
A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t’i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?“ (el-Xhathije, 21)
Për këto dhe gjëra tjera njeriu do të befasohet për të keq kur të gjejë tek Allahu atë që fare nuk e ka kujtuar dhe as që e ka pritur. Andaj, të nxitojmë që më parë të përmirësojmë veten tonë, të kërkojmë hallallin nga njerëzit nëse iu bëjmë keq, të rishikojmë veprat që kemi bërë se a janë në përputhje me traditën profetike si dhe ta lusim Allahun e Madhëruar për falje. Të bëjmë mirë, të angazhohemi me vepra të mira dhe ta lusim Allahun e Madhëruar që fundi i jetës sonë të jetë ashtu siç Ai dëshiron!
Burimi:
Hoxhë Sedat Islami
sedatislami.com