Kur presim thonjtë, a duhet të marrim përsëri abdest?
Pyetja:
Kam dëgjuar se kur pret thonjtë, duhet marrë përsëri abdest sepse thonë që prerja e thonjve e prish abdestin. Unë nuk e di që ka ndonjë argument për këtë dhe për këtë nuk ua vë edhe shumë veshin por në zemër kam frikë se mos kanë të drejtë. Për këtë çfarë mund të më thoni, a mund të ketë ndonjë argument për këtë? Allahu ju shpërbleftë me xhenetin Firdeus!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Prerja e thonjve nuk e prish abdestin me pajtueshmëri të umetit. Në të gjitha librat e fikhut sqarohet kjo mesele qartë, prandaj nuk ka nevojë të përsëritet abdesti pasi t’i kemi prerë thonjtë. Kjo çështje është e njëjtë sikurse rruajtja ose prerja e flokëve me abdest, pasi edhe në këtë rast me konsensus të fukahave nuk përsëritet abdesti.
Vlen të përmendet se disa dijetarë të medhhebit maliki kanë thënë se nëse priten thonjtë me abdest, atëherë duhet t’i lajmë gishtat me ujë (vendin ku i kemi prerë thonjtë), por ky mendim nuk është i qëndrueshëm. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
26.4.2009
Burimi: klubikulturor.com