Reflektime rreth leximit të Kuranit:
Ka transmetuar imam Muslimi nga Ebu Musa el-Esh’arij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Kur’ani është argument për ty ose kundër teje…”
Ky hadith tregon domosdoshmërinë e të vepruarit sipas Kuranit, respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të tij, e se ai është argument për ata të cilët veprojnë sipas tij dhe ndjekin atë që ai përmban. Ai gjithashtu është argument kundër atyre të cilët nuk i përmbahen atij, që nuk veprojnë sipas kërkesave të tij, dhe nuk ndjekin atë që ka në të.
Disa nga selefët e sinqertë kanë thënë:
“Askush të mos mendojë se thjeshtë mbajtja e Kuranit ose të qëndruarit mbi të e shpëton, përkundrazi, ai ose ka fituar, ose ka humbur.”
Pastaj kanë përmendur fjalën e Allahut në suren El- Isra:
{ وَنُنَزِّلُ مِنَ ٱلۡقُرۡءَانِ مَا هُوَ شِفَاۤءࣱ وَرَحۡمَةࣱ لِّلۡمُؤۡمِنِینَ وَلَا یَزِیدُ ٱلظَّـٰلِمِینَ إِلَّا خَسَارࣰا }
“Dhe Ne zbresim nga Kur’ani prej asaj që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, dhe zullumqarëve nuk ua shton vetëm se humbjen.” [ El- Isra: 82]
Qëllimi kryesor i shpalljes së Kur’anit është besimi i lajmeve të tij dhe të vepruarit sipas tij, duke respektuar atë që ai urdhëron dhe duke iu shmangur asaj që ai ndalon. Dhe nuk është qëllimi kryesor i zbritjes së tij thjesht leximi, edhe pse kjo kërkohet dhe është e rregullt, sidomos duke qenë lexuesi i pajisur me cilësitë e bukura dhe sjelljet e mira, duke filluar me bindjen ndaj Allahut dhe Fjalëve të Tij, por se qëllimi është një tjetër lexim, një lexim vendimtar, ku rreth tij sillet lumturia, begatia, dhe shpëtimi i robit; ky është pasimi i Kuranit dhe i mësimeve të tij.
ShejhuI Islam Ibnu Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur se fjala: “lexim” kur përdoret në tekstet e Kuranit, sikurse është Fjala e Allahut:
{ ٱلَّذِینَ ءَاتَیۡنَـٰهُمُ ٱلۡكِتَـٰبَ یَتۡلُونَهُۥ حَقَّ تِلَاوَتِهِۦۤ}
“Atyre që ne u kemi dhënë Librin, ata e lexojnë atë ashtu siç duhet të lexohet.” [El-Bekare: 121]; don të thotë të vepruarit me Kuran, ashtu siç është interpretuar nga shokët e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe pasuesit e tyre.
Hoxhë Hariz Allkoçi