BallinaTEZKIJELidhja me All-llahunDisa nga dobitë shpirtërore të agjërimit

Disa nga dobitë shpirtërore të agjërimit

Disa nga dobitë shpirtërore të agjërimit

“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim siç qe bërë obligim edhe për ata që ishin para jush me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm (të përkushtuar).”[1]

Devotshmëri nga ana fetare do të thotë të ruhesh nga gjynahet. Agjërimi e kryen këtë mision sepse gjynahet janë dy llojesh: nga njëri lloj i gjynaheve mund të largohesh si rezultat i aktivitetit mendor, siç është pija alkoolike, bixhozi, vjedhja, mashtrimi… etj. Tek ky lloj i gjynaheve bën dobi këshilla, premtimi për shpërblimin që ka ai që i lë ato dhe dënimin që merr ai i cili nuk i lë, në këtë botë dhe në tjetrën.

Ndërsa lloji tjetër i gjynaheve vjen si pasojë e shkaqeve natyrore, siç është zemërimi, epshi natyror i cili është i vështirë të lihet vetëm me anë të mendjes, ndaj dhe Allahu bëri e agjërimin një mjet për tu ruajtur prej këtyre gjynaheve. Kjo sepse agjërimi e vë në baraspeshë këtë forcë natyrore e cila të shtyn drejt këtyre gjynaheve, dhe kështu myslimani ngrihet mbi poshtërsitë e kësaj bote materiale në botën e lartë shpirtërore, kështu pra agjërimi është një mjet që të bën të krahasueshëm me engjëjt dhe të largon nga cilësitë shtazarake.

Tek agjërimi do të gjejmë mbrojte për të mos rënë në gjynahe, mbrojtje nga ndëshkimi në botën tjetër, mbrojtje nga sëmundjet dhe pasojat negative që lënë abuzimet në shijimin e kënaqësive trupore.

Njerëzit e pa fe në përgjithësi i japin përparësi kënaqësive trupore: ushqimit, pijeve alkoolike, grave, lojërave dhe muzikës. Të gjitha këto i japin një energji shtazarake trupit të njeriut dhe për rrjedhim forcohen edhe ndjenjat epshore dhe kafshërore tek ai dhe mbizotërojnë mbi forcën logjike dhe shpirtërore. Për këtë arsye fetë e ardhura nga Allahu kanë urdhëruar agjërimin, sepse agjërimi i rafinon dhe i edukon këto forca dhe energji duke e ndaluar njeriun të tejkaloj marrjen e tyre dhe si rezultat vendosjen e baraspeshës së domosdoshme ndërmjet trupit dhe shpirtit. Baraspeshë të cilën Islami e ka ruajtur në të gjitha urdhëresat e tij.

Agjëruesi nuk bën gjë tjetër vetëm se braktis të ngrënën, të pirën dhe epshin e tij për hir të Atij që adhuron, kjo do të thotë të braktisësh gjërat e dashura dhe të këndshme të trupit, dhe shijen që ato të japin, për hir të dashurisë ndaj Allahut dhe kënaqësisë së Tij, kjo është një e fshehtë ndërmjet njeriut dhe Zotit të cilën askush nuk mund ta dijë përveç tyre. Njerëzit mund të qëlloj që ta shohin një njeri që agjëron; që nuk ha, nuk pi dhe nuk kryen asgjë nga ato që e prishin agjërimin, por që ky njeri e ka lënë ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir të Atij që adhuron; kjo është diçka që nuk mund ta shohë asnjë prej njerëzve, dhe pikërisht ky është realiteti i agjërimit.

Agjërimi ka tre nivele: agjërimi i përgjithshëm, agjërimi i veçantë dhe agjërimi tepër i veçantë. Për sa i përket agjërimit të përgjithshëm ai kryhet duke ndaluar trupin të ushqehet si dhe të kryej aktin epshorë.

Agjërimi i veçantë kryhet duke ndalur shikimin, dëgjimin, gjuhën, dorën, këmbën dhe të gjitha organet e trupit që të mos kryejnë gjynahe.

Agjërimi tepër i veçantë është agjërimi i zemrës dhe i mendjes nga çdo pasion i ulët, dhe çdo mendimi të keq që të largon nga Allahu, ai është gjithashtu; largimi me shpirt nga kjo botë dhe veçim me Allahun.

Disa nga rregullat që duhet të kihen parasysh gjatë agjërimit të veçantë është: ruajtja e shikimit nga gjërat e ndaluara, përmbajtja e gjuhës në nxjerrjen e fjalëve të shëmtuara dhe të pahijshme, si dhe fjalëve të padobishme dhe në fund; ruajtja e të gjithë pjesëve të tjera të trupit nga çdo gjë e papëlqyeshme. I dërguari i Allahut, bekimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ai njeri i cili nuk i lë fjalët e këqija dhe të vepruarit me to, Allahu nuk ka nevojë që ky njeri të lërë të ngrënën dhe të pirën.”[2] “E sa prej atyre që agjërojnë nuk përfitojnë prej agjërimit të tyre vetëm se uri dhe etje?!”[3]

Vetvetiu kuptohet se agjërimi e humb vlerën edukativo-shpirtërore nëse njeriu nuk tërhiqet nga dëfrimet, madje edhe në mendime. Kjo mund të duket tepër e vështirë në sytë e njerëzve që nuk agjërojnë, por përvoja shekullore tregon se besimtarët e vërtetë gjatë agjërimit të Ramazanit e fitojnë një aftësi të tillë.

Njerëzit që jepen pas adhurimit kanë konstatuar se dëshira për të plotësuar kënaqësitë trupore natyrale e pengon përsosmërinë shpirtërore të njeriut. Që trupi t’i nënshtrohet shpirtit ai duhet t’i shmanget fuqisë trupore dhe kështu atij i jepet mundësia për shtimin e fuqisë shpirtërore. Është konstatuar se në këtë drejtim nuk ka asgjë më efikase sesa uria, etja, largimi nga epshi, kontrolli i gjuhës, zemrës, mendimeve dhe organeve të tjera. Një nga mënyrat për përsosjen e njeriut është edhe nënshtrimi që duhet t’i bësh natyrës shtazarake që shfaqet tek njeriu; nënshtrim ndaj logjikës dhe shpirtit. Natyra e njeriut ndonjëherë ndodhet në situata rebelimi ndaj dhe ka nevojë për ushtrime të ashpra, siç është agjërimi, për të mposhtur epshet e veta. Nëse njeriu gabon, pendimi dhe lodhja që vinë prej agjërimit e ndihmojnë atë për pastrimin e shpirtit dhe i forcojnë atij vendosmërinë për të mos i përsëritur gabimet e tij.

Një rregull tjetër që duhet pasur parasysh gjatë agjërimit është edhe mos ngrënia e tepërt gjatë natës, por mjafton që njeriu të hajë aq sa i nevojitet dhe të mos e teprojë. Për shumë njerëz muaji i Ramazanit është muaji i netëve ku hahet dhe pihet pa karar, gatuhet dhe shpenzohet për ushqim ajo që nuk bëhet edhe në muajt e tjerë! Këta njerëz nuk e kanë kuptuar siç duhet thelbin e agjërimit, ndaj për një gjë të tillë duhet tu hiqet vërejtje. Gjatë agjërimit njeriu ndryshon orarin e të ngrënit dhe kjo nuk do të thotë se ai ka nevojë të ushqehet më tepër sesa në muajt e tjerë. Trupi njeriut në çdo kohë ka nevojë për të njëjtën sasi ushqimi, dhe muaji i Ramazanit nuk bën përjashtim në këtë drejtim. Duhet ditur gjithashtu se ushqimi i tepërt gjatë natës është i dëmshëm si për trupin ashtu edhe për gjendjen shpirtërore të njeriut, nëse njeriu tejngopet gjatë iftarit atëherë ai do të rëndohet për kryerjen e adhurimit gjatë natës, dhe nëse ai gjithashtu tejngopet në kohën e syfyrit, ai do të rëndohet për orët që vinë më pas. Ushqimi i tepërt shkakton dembelizëm, dhe largim nga përmendja e Allahut, dhe ç’është më e rëndësishme ai nuk të lë të kuptosh dhe të ndjesh një nga qëllimet e agjërimit, i cili është të provosh shijen e urisë dhe të etjes, e pra ushqimi i tepërt e humbet këtë urtësi.

Nuk është e vërtetë se agjërimi në zonat e ftohta është në kundërshtim me kërkesat e shëndetit të njeriut. Vrojtimet biologjike tregojnë se egërsirat praktikisht nuk hanë asgjë, e veçanërisht kur bie dëborë, ato flenë, ose në ndonjë mënyrë tjetër e kalojnë kohën e vet duke agjëruar, dhe kështu në pranverë ato paraqiten të përmirësuara. E njëjta gjë vlen edhe për drunjtë, të cilët gjatë dimrit krejtësisht i bien gjethet dhe flenë, pa i ujitur, mirëpo pas disa muaj agjërimi ata përtërihen në pranverë dhe bëhen më të fuqishëm se më parë. Në realitet si të gjitha organet jetësore tek njeriu, edhe organet e tretjes gjithashtu kanë nevojë për pushim, agjërimi është një metodë e mirë për këtë gjë. Mjekësia bashkëkohore, në të gjitha shtetet e perëndimit i mjekon disa sëmundje, veçanërisht sëmundjet kronike, me anë të një periudhe të shkurtër apo të gjatë të agjërimit. Në fund duhet thënë se pavarësisht nga vlerat e dobitë trupore dhe materiale që ka agjërimi, prapë se prapë në thelb agjërimi është një detyrë fetare, ushtrimi shpirtëror i të cilit e afron njeriun te Allahu. Kushdo që agjëron në bazë të porosisë së mjekut ose për ndonjë shkak tjetër të kësaj bote, agjërimi në fjalë nuk i pranohet si adhurim fetar.

O mysliman! Mos harro ky është muaji që ti më tepër duhet t’i përkushtohesh punëve të mira, harroji për një çast lodhjet dhe punët e kësaj bote, që nuk mbarojnë kurrë dhe përkushtoju Zotit tënd që kaq shumë të do dhe të mëshiron.

Nëse nuk falesh fillo të falesh në këtë muaj të pesta kohët, dhe kurrë mos i lë ato!

Nëse falesh atëherë shtoji faljet e pëlqyera gjatë ditës dhe natës!

Jep zekatin nëse ke mundësi dhe shtoji lëmoshat për nevojtarët, veçanërisht për të afërmit dhe besimtarët, por nëse nuk ke bëj çka mundesh sepse dyert e sevapeve nuk janë të hapura vetëm për dhënien e parave.

Lexoje Kuranin në këtë muaj, ose qoftë edhe një pjesë të tij, sepse Kurani zbriti në këtë muaj të bekuar dhe ky është muaji i Kuranit!

Lexo libra fetarë dhe lëri mënjanë për ca kohë gazetat dhe revistat, televizionin dhe radion sepse ky Ramazan ikën dhe nuk kthehet më!

O njeri! Shpirti yt ka nevojë për pranverë dhe gjallëri dhe Ramazani është stina e tij!

[1] Sure El-bekare:183.
[2] Transmeton Buhari 1903.
[3] Transmeton Ahmedi 8639.

Hoxhë Justinian Topulli

Must Read