BallinaPraktikaRamazaniLe të përjetohet Ramazani gjatë tërë vitit

Le të përjetohet Ramazani gjatë tërë vitit

Le të përjetohet Ramazani gjatë tërë vitit

Nga zelli i madh drejt plogështisë. Nga përpjekjet e shumta në adhurime drejt ftohjes. Kjo është gjendja e shumicës pas muajit të Ramazanit. Gjatë muajit të Ramazanit i intensifikojnë adhurimet, duke filluar me namaz, lexim Kurani, bamirësi, ruajtje të lidhjeve farefisnore… Pas përfundimit të tij çdo gjë rikthehet ashtu si ka qenë më parë. Njerëzit falen me përtaci, e braktisin Kuranin, i shkëpusin lidhjet familjare, kurse Ramazani me dhuntitë e tij të mrekullueshme mbetet thjesht vetëm një kujtim!
Si të shndërrohet Ramazani dymbëdhjetë muaj e jo një muaj, si të vazhdojë nënshtrimi ndaj Allahut në kulmin e tij edhe gjatë muajve të tjerë?

1- Namazi: Ashtu siç ka urdhëruar dhe e dëshiron Allahu i Lartësuar, burrat e falin në xhami, ndërsa gratë e falin në kohën e parë të tij, çfarëdo qofshin detyrimet, duke u kujdesur edhe për ato vullnetare. Në Ramazan adhurimet janë të lehta, si rezultat i butësisë së zemrës së besimtarit, prandaj Ramazani duhet të jetë rast për ushtrimin e vetes për sunetet para dhe pas farzit, namazin e duhasë, namazin e istihares, ndërsa namazin e teravisë që arritëm ta falim çdo natë, le të jetë pikënisje për namazin tonë të natës gjatë tërë vitit.

2- Ushtrimi i vetes në përkushtimin dhe frikën gjatë namazit: Këtë mund ta kuptosh atëherë kur kënaqesh me namazin dhe e pret me padurim atë. Kush nuk mund të arrijë t’i fitojë këto cilësi të bukura gjatë Ramazanit, nuk do të ketë mundësi ndonjëherë tjetër.

3- Kurani dhe kujdesi për përfundimin e leximit të tij: Imam Ebu Hanife e lexonte Kuranin 60 herë gjatë Ramazanit. Edhe pse Kurani duhet të lexohet me meditim dhe përsiatje, gjatë Ramazanit mund të lexohet me qëllim të fitimit të shpërblimeve, sepse e mira shpërblehet me dhjetë dhe për çdo shkronjë shpërblehesh.

4- Namazi i natës: Është një adhurim për të cilin kujdesemi gjatë Ramazanit, prandaj duhet t’i japim besën Allahut e pastaj vetes sonë që të vazhdojmë me namazin e natës edhe pas Ramazanit.

5- Shpenzimi i pasurisë: Shpirti është i krijuar për ta dashur pasurinë. Nëse ti e shpenzon atë në rrugën e Allahut, kjo nënkupton se dashuria jote për Allahun e tejkalon dashurinë tënde për pasurinë. Prandaj lëmoshën duhet ta praktikojmë çdo ditë gjatë Ramazanit, qoftë ajo edhe e paktë, në mënyrë që të mësohemi me atë në vazhdimësi edhe pas Ramazanit.

6- Kujdesi për thirrjen e të tjerëve në rrugën e Allahut të Lartësuar, për shkak se zemrat në Ramazan janë më të gatshme për udhëzimin e Allahut dhe largimin nga mëkatet.

7- Ruajtja e gjuhës: Ushtroje gjuhën tënde që ta thuash të vërtetën, në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, në largim nga përgojimi dhe të ndaluarat, uljen e zërit të lartë me bashkëshortin apo bashkëshorten, me fëmijët dhe me fqinjët. “Dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” (Lukman, 19). Le të jetë gjuha jote e lagur me përmendjen e Allahut të Madhërishëm.

8- Televizori: I ha të mirat ashtu siç i ha zjarri drutë. Koha e Ramazanit është e vlefshme dhe e shtrenjtë e nuk ka kohë për ta humbur. Gjithashtu në të ka plot lakuriqësi e ne s’kemi nevojë për të.

9- Ruajtja e lidhjeve farefisnore.

10- Pendimi për mëkatet tek Allahu i Lartësuar, me vendosmëri duke mos iu kthyer më mëkateve dhe keqardhja për veprimin e tyre.
Këto këshilla mund të shndërrohen në një projekt praktik përmes një orari ditor, në të cilin muslimani përcakton se çfarë do të bëjë. E lusim Allahun e Lartësuar të na ndihmojë!

Përktheu Almedin Ejupi

Must Read