BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirKURANI – Fjala e fundit dhe më e gjerë e Allahut mbi...

KURANI – Fjala e fundit dhe më e gjerë e Allahut mbi njerëzimin

KURANI – Fjala e fundit dhe më e gjerë e Allahut mbi njerëzimin

Kur’ani është Fjala e All-llahut. Ai nuk është krijesë. Ai përmes engjullit Xhibril i është japur Muhammedit (alejhis-selam – paqja qoftë mbi të) i cili mësonte përmendësh vargjet (Ajetet) të cilat i pranonte, ua lexonte shokëve të tij të cilët ndonjëherë ishin me të përderisa ngjante kjo dhe i urdhëronte ata që menjëherë t’i shkruajnë ato. Muhammedi (alejhis-selam – paqja qoftë mbi të) mbante një kopje të pjesëve të shpallura ose të zbritura në shtëpinë e tij. Kur’ani është i fundit nga librat e All-llahut, i cili ka zbritur ose shpallur vazhdimisht gjatë një periode prej njëzet e tre vitesh. Ai është i ndarë në 144 kaptina (Surah) me gjatësi jo të barabartë. Ai është një nga burimet themelore të mësimeve islame. Disa nga vargjet dhe kaptinat e tij janë zbritur në Mekë, kurse të tjerat në Medinë. Kaptinat dhe vargjet mekase kryesisht janë përqëndruar në qështje themelore të besimit (akideh), siç është për shembull monoteizmi – besimi në një Zot, shenjat e ekzistimit të All-llahut, ringjallja, jeta pas vdekjes dhe Dita e ringjalljes. Theksi në besimin në të qenurit e All-llahut Një Zot dhe i vetëm ishte gjëja kryesore në të cilën fokusoheshin mesazhet me të cilat All-llahu i kishte dërguar të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit gjithë njerëzimit, duke u nisur nga Ademi e deri te Muhammedi (alejhimus-selam – paqja qoftë mbi ta) në fund. Kaptinat e shpallura në Medinë interesoheshin për veprat e adhurimit dhe për punët që kanë të bëjnë me të gjitha aspektet e jetës.

Autenticiteti i Kur’anit Fisnik

Asnjë popull kurrë nuk është intersuar, nuk ka respektuar dhe nuk ka ruajtur librat e tij të shenjtë sikurse që populli musliman është interesuar për Kur’anin, e ka respektuar dhe e ka ruajtur atë. Për dallim nga librat dhe shkrimet tjera të shenjta që i kanë paraprirë atij, Kur’ani kurrë nuk është mbajtur në duart e ndonjë grupi apo klani të caktuar musliman që dikush të mund të dyshojë se është falsifikuar apo është ndryshuar ai. Muslimanët janë të obliguar ta recitojnë atë në lutjet e tyre ditore dhe t’i drejtohen për gjykim final atij për të gjitha debatet dhe kundërshtimet mes tyre. Kur’ani u përmbledh në kohën kur ata të cilët e kishin mësuar përmendësh atë sa ishte gjallë Pejgamberi (alejhis-selam – paqja qoftë mbi të) ishin ende gjallë. All-llahu kishte premtuar ta ruajë atë. Ai ashtu i ruajtur do të jetë deri në Ditën e ringjalljes. Muslimanët sot lexojnë dhe recitojnë po atë tekst kur’anor i cili lexohej dhe recitohej gjatë jetës së pejgamberit Muhammed (alejhis-selam – paqja qoftë mbi të) dhe shokëve të tij. Asnjë gërmë e vetme nuk iu shtua Kur’anit, e as nuk u fshi nga ai. Pasi që Dr. Maurice Bucaille studioi dhe provoi Kur’anin përfundoi:

“Falënderuar autenticitetit të tij të padyshimtë, teksti i Kur’anit zë një vend të pa shok në mesin e librave të shpallura.” *

Kur’ani si mrekulli

All-llahu i Lartëmadhërishmi ka sfiduar arabët dhe jo arabët të prodhojnë një Kur’an të njejtë me atë hyjnorin. Sfida pastaj u reduktua në dhjetë kaptina, dhe përsëri ata nuk patën sukses ta bëjnë atë. Më në fund, All-llahu i sfidoi ata të prodhojnë vetëm një kaptinë të njejtë me të tijin. Megjithëse arabët në atë kohë ishin zotërues të gojëtarisë dhe retorikës ata nuk patën mundësi të përballojnë këtë sfidë. Ata kuptuan se ai nuk mund të jetë nga askush tjetër pos All-llahut, Zotit të botërave.

Dallimi në mes mrekullive të të dërguarve të mëparshëm, të cilat argumentonin vërtetësinë e tyre, dhe të dërguarit të fundit të All-llahut është ajo se ato kishin ndikim vetëm gjatë kohës së ngjarjes së tyre, ndërsa mrekullia e tij, fjala është për Kur’anin, ka mbetur dhe do të mbetet ndikuese, e përhershme dhe e pasfiduesshme deri në Ditën e ringjalljes.

Kur’ani si ligj gjithpërfshirës

Kur’ani konstituon konceptin më gjithpërfshirës të Islamit në nivel praktik, si burim i Ligjit hyjnor (Sheriah, Sheriat). Ai është gjithëpërfshirës, ngase përmban ligj, si dhe parime morale dhe besimin të cilin çdo musliman duhet ta pranojë. Sheriati islam nuk është i përshtatshëm vetëm për muslimanët, por për gjithë njerëzimin në të gjitha kohët. Ligji islam qeveris të gjitha veprat njerëzore duke planifikuar detyrat publike dhe private të çdo personi karshi All-llahut dhe njerëzve tjerë.

Ligjet njerëzore mund të pësojnë ndryshime dhe mbështeten në teori. Kur disa ligjvënës propozojnë dhe aprovojnë një ligj të ri si rezultat i nje teorie të re, ligjet ndryshojnë vazhdimisht si shkak i kësaj. Legjislatura hyjnore, në anën tjetër, është e pandryshueshme dhe e përhershme, ngase vënësi i saj është i Përjetshmi dhe i Gjithmonshmi. Ai është Krijuesi i cili krijoi njerëzit dhe caktoi për ta atë çfarë do t’u përshtatet nevojave të tyre deri në fund të botës. Për këtë arsye Kurani, si Shpallje e fundit të Dërguarit të fundit, zëvendëson të gjitha shpalljet e mëparshme.

Shumë profeci në Kur’an janë përmbushur. All-llahu u premtoi atyre të cilët besuan dhe bënë punë të mira se me siguri do t’i bëjë fitues në tokë. Ata qeverisën një sipërfaqe të gjërë të tokës e cila përfshinte shumë shtete në tokë. Kur’ani paralajmëroi fitoren e romakëve kundër persianëve . All-llahu thotë:

“Romakët u mundën. Në tokën e afërt, dhe pas humbjes ata do të jenë fitimtarë . Brenda tri deri nëntë vjetësh. Vendosja e çështjes, para dhe pas është vetëm nga All-llahu. Dhe atë ditë besimtarët (muslimanët) do të gëzohen (nga fitorja që All-llahu u jep romakëve kundër persëve).“ (30 :2-4)**

Personi i cili lexon Kur’anin objektivisht do të vërejë se profecitë në Kur’an nuk janë rastësi, pandehje dhe spekulime. Kjo është sepse, Ai i cili i shpalli ato është mu Ai i cili i paracaktoi të gjitha ngjarjet deri në Ditën e ringjalljes.

* Dr. Maurice Bucaille është kirurg i cili shprehi një interesim të madh për aspektet shkencore të Kur’anit. Ai mësoi arabishten dhe pati mundësi të mësojë Kur’anin në tekstin origjinal të tij. Ai u mahnit me të dhënat precise shkencore të tij. Si rezultat i studimit të tij, Dr. Maurice Bucaille kaloi në Islam.

**Kjo profeci haset në kaptinën 30 të titulluar Ar-Rum (Romakët). Fjala është për betejën që ngjau në mes të persianëve dhe romakëve në vitin 614, kur romakët u mposhtën. Tetë vite më pas, romakët fituan persianët, dhe profecia e Kur’anit u përmbush.

Nga: (A Brief Look Upon Islam, …)

Përktheu: Gëzim Selaci

Albislam.com

Must Read