BallinaAKIDEAkide të ndryshmeKush janë grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar?!

Kush janë grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar?!

Grupi i shpëtuar

Grupi i shpëtuar (el-firkatun naxhije). Ky emër është marrë nga kuptimi i hadithit të përçarjes së ymetit në 73 grupe, të cilët do të përfundojnë të gjithë në zjarr, përveç një grupi që do të shpëtojë. Për këtë arsye, grupi që Pejgamberi (alejhisselam), ka lajmëruar se do të shpëtojë, ka marrë emrin “grupi i shpëtuar”. Ibën Tejmijje ka thënë: “Përderisa ‘grupi i shpëtuar është cilësuar se janë pasuesit e sahabeve që shoqëruan Pejgamberin, dhe kjo gjë është simboli dhe rruga e ‘ehli sunetit’, atëherë ata janë grupi i shpëtuar.
Pala e ndihmuar (et taifetul mensure). I dërguari i Allahut në hadithin e Muavijes ka thënë: “Do të vazhdojë të qëndrojë një grup prej umetit tim i kapur pas së vërtetës. Atyre nuk u bën dëm askush që i braktis (nuk i ndihmon) apo i kundërshton. Kështu ata do të vazhdojnë të jenë ngadhnjimtarë, triumfues e të shfaqur mes njerëzve derisa të vijë Dita e Gjykimit.” (Muslim).

Gjithashtu në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Theubani, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Do të vazhdojë një grup prej umetit tim të jetë i shfaqur e ngadhnjimtar me të vërtetën, të cilin nuk e dëmton ai që e braktis dhe nuk e ndihmon. Ai do të vazhdojë të qëndrojë i pandryshueshëm derisa të vijë Dita e Gjykimit.” Transmeton Muslimi. Këtë hadith e kanë transmetuar edhe mjaft të tjerë nga shokët e Pejgamberit, gjë e cila tregon se hadithi është i njohur, ose “mutevatir”.

Dijetarët kanë thënë se “pala e ndihmuar” janë të diturit rreth hadithit të Muhamedit. Prej dijetarëve që e kanë thënë këtë, përmendim këtu Abdullah ibnul Mubarek, Ali ibnul Medini, Jezid ibën Harun, Ahmed ibën Hanbel, Ahmed ibën Sinan, Muhamed ibën Ismail el Buhari etj.

Të diturit rreth hadithit të Pejgamberit janë “pala e ndihmuar”, sepse ata e njohin Sunetin dhe çdo gjë që ka të bëjë me hadithin. Ata janë njerëzit më të ditur rreth Sunetit të Pejgamberit, udhëzimit të tij, sjelljes e moralit të tij, luftrave të tij dhe të çdo gjëje që lidhet me të. Gjithashtu, sepse ata e praktikojnë dhe e zbatojnë Sunetin dhe i japin përparësi atij para mendimeve, thënieve dhe shijeve të njerëzve. Kjo për faktin sepse atë njohin dhe pas tij do të jenë të kapur. Ndërkohë që të tjerët të cilët nuk e njohin Sunetin dhe nuk merren me studimin e tij, janë fanatikë për mendimet dhe thëniet e tyre apo të mësuesve e të dijetarëve të tyre, të cilat bien ndesh me të.

Në palën e ndihmuar dhe grupin e shpëtuar përfshihet edhe masa e muslimanëve që pasojnë dijetarët e hadithit në besim, ibadet, rregulla e sjellje, por që nuk janë të ditur. Sepse edhe në kohën e Pejgamberit, njerëzit nuk kanë qenë të gjithë dijetarë, por ka pasur të ditur dhe të paditur. Imam Neveviu në “Sherh sahihul Muslim” rrëfen se Kadi l’jad, në lidhje me thënien e Imam Ahmedit ka thënë: “Ahmedi përmes fjalës së tij ka pasur për qëllim “ehlus suneh vel xhemaah”, të cilët janë të gjithë ata që kanë besimin e “ehlil hadithit” (të diturit rreth hadithit dhe pasuesit e tij).

Meqenëse “ehli suneh uel xhemaah” e njohin hadithin e saktë të Pejgamberit, punojnë me të dhe i japin përparësi atij përpara logjikës dhe thënieve të njerëzve të humbur, si dhe i largohen bidateve, janë quajtur “ehlul hadith”.

Hoxhë Ismail Bardhoshi

Must Read