BallinaARTIKUJKëshilla dhe UrtësiKush konsiderohet vërtetë i pasur?!

Kush konsiderohet vërtetë i pasur?!

Kush konsiderohet i pasur?

Duke lexuar disa gazeta lidhur me një raport rreth statistikave, të cilat sqarojnë popujt më të pasur në botë, vura re se në krye të tyre qëndronte Singapori, shteti i dytë ishte Katari, i treti Zvicra, pastaj Emiratet e Bashkuara arabe, Kuvajti etj.

Duke lexuar këtë lajm, pyeta se cili është kriteri i të qenët i pasur. Pas kësaj mësova se kriteri është “kush posedon një milion dollar e më tepër”! Përqindja e atyre të cilët posedojnë miliona nga popullata e Singaporit është 10.6 %, e Katarit 9.7 %, ndërsa e Zvicrës 7.3 %.
Pas leximit të kësaj statistike, iu drejtova tim biri duke e pyetur se kush konsiderohet i pasur. Ai u përgjigj duke thënë: “I pasur konsiderohet kush ka para”.
Nga këtu mësova konceptin e brezave të ardhshëm lidhur me disa dukuri, e veçanërisht lidhur me pasurinë. A thua jetojmë në kohën e ndryshimit të koncepteve?

Furnizimi nuk përfshin vetëm pasurinë, edhe pse konsiderohet një pjesë e tij. Edhe shëndeti është furnizim, fëmijët janë furnizim, bashkëshortja e mirë është furnizim, banesa, siguria, stabiliteti, lëvizja, të qeshurit, të gjitha këto janë furnizim dhe çdo gjë që e kaplon njeriun nga mirësitë e kësaj bote janë prej furnizimit nga ana e Allahut të Lartësuar. Koncepti i furnizimit nganjëherë është edhe në kuptimin negativ. Si ilustrim, fëmijët e tu, kur nuk sëmuren, kjo është furnizim. Gjithashtu ekzistojnë edhe koncepte të tjera lidhur me të, si suksesi në punë, që konsiderohet furnizim nga i Madhi Zot. Mbi të gjitha, është të qenët i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu dhe që ta ka caktuar si furnizim në jetën tënde. Të gjithë këta shembuj janë vetëm për furnizimin individual të njeriut.
Ekziston edhe furnizim për Tokën, që është shiu. Furnizim për shoqërinë, ulja e çmimeve… etj.

Kësisoj shtohen konceptet dhe kuptimet e furnizimit. Furnizimi nuk konsiderohet vetëm pasuria. Fëmijët tanë, kur i edukojmë sipas besimit se “Allahu është Furnizuesi”, këtë nuk duhet ta kufizojmë vetëm në furnizimin e pasurisë. E as mos ta e ndërlidhim pasurinë me kënaqësinë e Allahut, kurse varfërinë me përuljen e Allahut e të bëhemi ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.” Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar.” (Fexhr, 15-16)

Qëllimi nuk është në atë që posedon, por si e shpenzon atë! Njeriu mund të jetë i pasur, por pasuria e tij të shpenzohet për shërimin e tij nga ndonjë sëmundje e caktuar! A thua këtë quajmë pasuri? Edhe të kundërtën, mund të gjejmë një person të varfër materialisht, porse ai kënaqet dhe i shijon begatitë e shumta të Allahut të Lartësuar. A e quajmë këtë varfëri? Rëndësia e kësaj tematike buron nga natyra e kohës materialiste në të cilën kemi filluar të jetojmë. Si do t’i përcjellim këto koncepte tek fëmijët tanë? Një pyetje e rëndësishme që duhet të parashtrohet fuqishëm dhe seriozisht.

Xhasim Mutava
Përktheu: Almedin Ejupi

Must Read