Kushdo që bën llogari, do të shpëtojë
Ditët po shkojnë, muajt po ecin dhe vitet kalojnë, çdo gjë po mbetet mbrapa dhe jetës po i vjen fundi. Një ditë të gjitha krijesat do të qëndrojnë para Krijuesit Allah dhe do të japin llogari për çdo të madhe dhe të vogël. Kjo konfirmohet edhe me fjalët e Tij: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Surja Zelzele, 7 dhe 8)
Që nga dita kur njeriu filloi jetën në këtë botë, ai filloi të ecë drejt botës tjetër. Ti o njeri më afër e ke botën tjetër, atëherë mendo për faljen dhe pendimin.. Fillo të bësh llogarinë serioze mbi jetën tënde dhe për ditët e kaluara.
Pendimi korrekt ishte pendimi i një njeriu i cili, kur arriti të gjashtëdhjetat, filloi t’i numërojë ditët e viteve të kaluara dhe përfundoi me mbi njëzet e një mijë ditë (21000 ditë). Më pas bërtiti me zë të lartë duke thënë: “Ah, mjerë për mua! Ah, mjerë për mua!”
Vallë, a ta takoj kështu Allahun tim me mbi njëzet e një mijë gabime, nëse kam bërë vetëm nga një gabim, kurse është e mundur që brenda ditës të bëjë edhe me mijëra gjynahe?!
Miqtë e mi të dashur!
Njerëzit mund të ndahen në dy grupe:
1. një kategori njerëzish bën llogari paraprake dhe dominon mbi vete; këta ia kanë lehtësuar vetes rrugën e xhenetit;
2. një kategori njerëzish nuk ka bërë llogarinë e duhur dhe ka qenë viktimë e epsheve, këta janë buzë xhehenemit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka, dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote, sigurisht që do të ketë për strehë xhehenemin. Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë xhenetin.”(Surja Naziat, ajetet nga 37 deri 41)
“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”
(Surja Shems, 9 dhe 10)
Ky vit shkoi dhe nuk përsëritet më deri në Ditën e Gjykimit, kështu vazhdimisht po largohemi nga kjo botë dhe po afrohemi afër ahiretit. Dëshirova me këtë rast t’i kujtoj vetes dhe juve që të bëjmë llogarinë e duhur para se të dalim para Allahut, Sunduesit të dy botëve në Ditën e Llogarisë, ku nuk të bën dobi pasuria dhe fëmija. Por vetëm besimi i drejtë i argumentuar me vepra të mira. Atëherë ju mbetet juve të vendosni se në cilin grup dëshironi të rreshtoheni.
Ju lë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Allahut të Lartësuar.
Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ju!
Ulvi Fejzullahu