Kushtet e adhurimit të vërtetë
Lavdërimi i takon vetëm Allahut, i cili na e plotësoi fenë, përmbushi begatitë, na e bëri Islamin fe të vetme të pranuar dhe na udhëroi t’i përmbahemi asaj deri në vdekje.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe vetëm se duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran, 102)
Kjo ishte edhe porosia e Ibrahimit dhe Jakubit ndaj djemëve të tyre: “E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi, (u thanë) “O bijtë e mi! Allahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” (Bekare, 132)
Allahu i Madhëruar i krijoi njerëzit dhe xhinët për të adhurar Atë siç thotë Ai: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, përvç që të më adhurojnë.” (Dharijat, 56)
Dhe për këtë është krenaria, lumturia, dhe nderi në këtë botë dhe në botën tjetër, për shkak se njeriu ka nevojë për Zotin e tij dhe nuk mundet ai të pavarësohet asnjë moment, kurse Allahu nuk është i nevojshëm për adhurimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ju nuk besoni, Allahu nuk është nevojtar për ju…” (Zumer, 7)
“E Musai tha: “Nëse ju dhe të gjithë ata që janë në tokë mohoni, Allahu është i panevojshëm (për falenderim), është i lavdishëm (vetvetiu).” (Ibrahim, 8 )
Adhurimi është afrim tek Allahu me fjalë dhe vepra të dukshme dhe të padukshme. Adhurimi është obligim i njeriut ndaj Allahut dhe dobia e saj i kthehet njeriut.
Kush refuzon adhurimin e Tij, ai është jobesimtar kryelartë, kush adhuron së bashku me Allahun dikë tjetër, ai është idhujtar (mushrik), kush adhuron Allahun me diçka që Ai nuk e ka shpallur, ai është bidatçi; kush adhuron Allahun me atë që Ai ka shpallur, është besimtarë i vërtetë.
Pasi kuptuam se njerëzit janë të nevojshëm për adhurimin e Allahut dhe ata nuk janë në gjendje të kuptojnë nga vetja mënyrën e ibadetit që Allahu është i kënaqur me të dhe seAi nuk i ngarkoi me këtë, por dërgoi profetë dhe zbriti libra për sqarimin e kësaj. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largohuni djajve (adhurimit të tyre)…!” ( Nahl, 36 )
Dhe thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk meriton të adhurohet zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!” ( Enbija, 25)
Ai njeri që devijon nga ajo që kanë qartësuar profetët dhe kanë zbritur librat për adhurimin e Allahut e adhuron Atë sipas shijes, epshit dhe asaj që ia zbukurojnë atij djajtë, njerëz e xhinë, atëherë ai njeri është i humbur dhe në realitet ai nuk adhuron Allahun, por epshin e tij. “…e kush është më i humbur se ai që duke pasur fakt prej Allahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se Allahu nuk udhëzon popullin zullumqar.” (Kasas, 50)
Në këtë grup bëjnë pjesë shumica e njerëzve, ndër ta të krishterët dhe ato sekte (grupe) që kanë devijuar nga muslimanët. Ata i shpikën vetës së tyre rite të ibadetit që janë në kundërshtim me atë që ka zbritur Allahu dhe mendojnë se me këtë janë afruar tek Allahu e në të vërtet, ata me këtë vepër vetëm janë larguar nga Ai. Kjo shikohet qartë gjatë sqarimit të realitetit të adhurimit që Allahu ka caktuar me gjuhën e Profetit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!)
Adhurimin, të cilin e ka bërë obligim Allahu për njerzit, është i ndërtuar në themele e baza të shëndosha, të cilat do t’i përmendim në vazhdim.
E para: Ritet e adhurimit janë të përcaktuara, që do të thotë se në mënyrën e tyre nuk ka vend të ndërhyjë mendja e njeriut, por patjetër duhet të jenë të caktuara nga Allahu ose të sqaruara nga Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) Allahu i Lartësuar thotë: “Ti (Muhamed) përqëndrohu vendosmërisht, ashtu si je i urdhëruar e bashkë me ty edhe ata që u penduan (prej idhujtarisë) dhe mos tejkaloni (kufijtë e caktuar)…” (Hud, 112) “Pastaj, Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, pra ti ndiqe atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.” ( Xhathije, 18)
Kurse për të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) thotë: “Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua.” ( En’am, 50 )
E dyta: Patjetër adhurimi duhet të jetë me sinqeritet për hirë të Allahut, duke u larguar nga shirku. Allahu i Lartësuar thotë: “…E kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd. “ ( Kehf, 50 ) Nëse adhurimin e tij e përzien me shirk, atëherë ai adhurim asgjësohet. Allahu i Lartësuar thotë: “…E sikur t’i përshkruajnë (edhe ndonjë nga këta) shok Zotit kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepuar.” ( En’am, 88) “Pasha Allahun, ty të është shpallur e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve. Prandaj, vetëm Allahun adhuroje dhe bëhu mirënjohës!” (Zumer, 65-66)
E treta: Patjetër duhet të jetë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) shëmbëlltyrë në sqarimin e adhurimit. Thotë Allahu I Madhëruar: “ Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut” ( Ahzab, 21) “Çfarë t’ju japë Pejgamberi, atë merreni e çfarë t’ju ndalojë, përmbahuni dhe kinie frikë Allahun se Allahu është ndëshkues i ashpër.”( Hashr, 7)
Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) thotë : “Kush e bën një vepër që ne nuk e kemi urdhëruar, ajo vepër është e refuzuar.”
“Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur unë!”
Ekzistojnë shumë ajete e hadithe përveç këtyre që aludojnë në obligueshmërinë e pasimin e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!)
E katërta: Adhurimet që janë në kohë të caktuara nuk lejohet tejkalimi i tyre si p.sh: namazi ku thotë Allahu i Madhëruar: “ … namazi është obligim (në kohë) të caktuar për besimtarët.” ( Nisa, 103) apo haxhi, Allahu thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar…” ( Bekare, 197) apo agjërimi, Allahu thotë: “(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, i cili është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë…” ( Bekare, 185)
E pesta: Patjetër adhurimi duhet të jetë rezultat i dashurisë, rrespektit, nënshtrimit, frikës dhe shpresës që kemi ndaj ndaj Allahut të Madhëruar. Allahu thotë: “…Ata përpiqeshin për punë të mira, na u luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj nesh.” (Enbija, 90) dhe thotë: “Thuaj (oMuhamed)! Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, sepse Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë. Thuaj! Binduni Allahut dhe të dërguarit, e ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët!” (Ali Imran, 31-32)
Allahu i Lartësuar në këto ajete sqaroi shenjat e dashurisë ndaj Allahut dhe frytet e saj.
E gjashta: Adhurimi nuk bie nga asnjëri nga njerëzit e moshërritur, të mençur deri sa t’i arrijë vdekja. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë (besimtarë)! “ (Ali Imran, 102) “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë ty e vërteta (vdekja).” (Hixhr, 99)
Salih el Feuzan
Përktheu: Alaudin Abazi