BallinaAKTUALEFakte dhe StatistikaLamtumirë “Vehabizëm”

Lamtumirë “Vehabizëm”


Lamtumirë “Vehabizëm”

 

Më 24 .11. 2008 gjykata themelore Shkup 1 në Shkup, doli me vendim nga ana e gjykatëses Gordana Spirevska, duke vepruar në bazë të akuzës private të Bekir Halimit nga Shkupi ndaj veprës penale shpifje nga neni 172 alineja 1 i ligjit penal.

 

Vendimi:

Vërejtje gjyqësore kundër Jakup Selimovskit, sepse në vitin 2007 nëpërmjet televizionit maqedonas Kanal 5, në emisionin “Vo Centar” (në qendër) në dosjerin “Al Kaida dhe Vehabitët në Ballkan” redaktor dhe udhëheqës i të cilit është gazetari Vasko Eftov, i akuzuari Jakup Selimovski ka deklaruar fakte të pavërteta të dëmshme për nderin dhe autoritetin e Bekir Halimit, duke e paraqitur atë rrejshëm si lider i vehabitëve në Maqedoni.

Në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar gjyqi konstatoi se në veprimet e të akuzuarit Jakup Selimovski gjenden të gjitha elementet kyçe të veprës penale SHPIFJE, nga neni 172 alineja 1 nga KP. Sipas dispozitës së cituar ligjore, veprën penale SHPIFJE e kryen ai që shpreh ose paraqet për tjetrin diçka të pavërtetë, e cila është e dëmshme për nderin dhe autoritetin e tij. Nga faktet e nxjerra gjyqi vërtetoi se i akuzuari Jakup Selimovski me deklaratën e inkriminuar ka pohuar fakte të rrejshme. I akuzuari nuk është siguruar nga burime relevante për saktësinë e akuzës ndaj të dëmtuarit, se ai është lider i vehabitëve në Maqedoni dhe i është përgjigjur pozitivisht pyetjes së gazetarit.

I akuzuari nuk ofroi prova që ta vërtetojnë akuzën ndaj të dëmtuarit si lider i vehabitëve, por përkundrazi sipas bindjes së tij qartësoi se bartja e mjekrës nga i dëmtuari ndoshta aludon se ai është anëtar i kësaj lëvizjeje. Duke pasur parasysh faktin se termi vehabizëm dhe ndërlidhja e tij me organizatën e akuzuar për terrorizëm Al Kaida në emisionin e cituar dhe kuptimi radikal i lëvizjes vehabite në shoqërinë tonë e që gjenden në fjalët e të akuzuarit, ato janë të dëmshme për nderin dhe autoritetin e paditësit privat, nga çka rrjedh se veprimet e tij janë elemente kyçe për veprën penale SHPIFJE sipas  nenit: 172 alineja 1 e Kodit Penal.

Në pajtim me nenin 102 të ligjit për procedurë penale kërkesën për dëmshpërblim, i dëmtuari Bekir Halimi do ta realizojë me procedurë gjyqësore civile në pajtim me nenet 89 dhe 92 të ligjit për procedurë penale. I padituri  Jakup Selimovski  detyrohet t’i paguajë harxhimet e procedurës penale në shumë prej 11,660 denarë (përafërsisht 200 euro) prej së cilës 1300 denarë për përpilimin e padisë private, 9360 den për përfaqësimin e të autorizuarit nga paditësi privat në 6 seanca (nga 1560 den  për çdo seancë), 1000 denarë pulla për paditje dhe 2000 den paushall gjyqësor, në një afat 15 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit gjyqësor.

 

Kush është Jakup Selimovski ?

U lind në vitin 1946 në Kërçovë. Rrjedh nga një familje sufito-dervishe e tarikatit halveti. Brez pas brezi familja e tij kujdeset për teqenë e halvetive në xhaminë-teqe Hajati Baba, në Kërçovë. Babai i tij ishte sheh i tarikatit halveti. Medresenë e Gazi Husrev Beut e kreu në Sarajevë në vitin 1966, kurse fakultetin dega “civilizimet dhe kulturat” në Universitetin e Az’harit në Kairo (1972). Pas kthimit në Bashkësinë Islame të Maqedonisë ushtroi detyrën e referentit fetaro-arsimor, më vonë sekretar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Pas vdekjes se haxhi Bedri ef. Hamidit (1980) kryetarit të deriatëhershëm të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Selimovski ushtron detyrën e përkohshme të Kryetarit e pastaj me vendimin e Kuvendit Suprem të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë në vitin 1981 emërohet Kryetar i  Kryesisë së Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Duhet përmendur se aktivitetet e tij për organizimin dhe ndërtimin e medresesë së Isa Beut në Shkup, janë nga më të rëndësishmet të asaj kohe për muslimanët. Në fillim të vitit 1990 Jakup Selimovski ushtron detyrën reisul ulema. Në këtë periudhë shpallen zgjedhjet në të gjitha nivelet në Bashkësinë Islame. Gjithashtu kryhen edhe ndryshimet e Kushtetutës së Bashkësisë Islame, kurse një vit më vonë, më 9 mars 1991 me votime të fshehta u zgjodh reisul ulema në Sarajevë, ku fitoi kundër katër kandidatëve. Fitorja e tij njihet si zgjedhja e parë demokratike dhe e lirë e reisul ulemasë, po ashtu njihet si reisul ulemaja i parë dhe i vetëm i Jugosllavisë, i cili nuk ishte boshnjak.

 

Kush është Bekir Halimi?

Lindi në Shkup në vitin 1971, pasi kreu tre vite të medresesë së Isa Beut në Shkup, në vitin e katërt (1990) privohet nga diplomimi në këtë shkollë. Atëbotë Jakup Selimovski ishte reis i Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Halimi vazhdon studimet në Jordani, ku takohet edhe me muhadithin e madh shqiptar Muhamed Nasirudin Albanin dhe nga ai pasurohet me njohuri të shumta të Fesë e posaçërisht me Sunetin e pastër të Pejgamberit, salAllahu alejhi ue selem. Vlen të përmendim se ka pasur shumë takime edhe me dijetarë tjerë të famshëm sikurse shejh Abdulkadër Arnautin në Damask, me të cilin ka lexuar edhe një pjesë nga libri Zadul Mead (i përkthyer: Furnizimi për Ahiret). Pas kthimit në vendlindje i përkushtohet përkthimit të librave të shumta dhe ligjëratave të llojllojshme dhe shumë të nevojshme për shqiptarët e këtij nënqielli. Ai tani drejton shtëpinë Botuese “NuN” dhe shoqatën qytetare për afirmim “Bamirësia”. Po ashtu punon si redaktor fetar pranë faqes së internetit albislam.com. Ndërsa, këtë vit (2009) në Stamboll u zgjodh përfaqësues i Ballkanit në Komisionin për Organizim dhe Themelim të Ligës së Dijetarëve të Botës Islame.


Selimovski dhe rinia Islame? 

Viteve të ’90-ta, Jakup Selimovski ishte kryetar i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, kur drejtori i medresesë së bashku me këshillin e arsimtarëve të atëhershëm përjashtuan Bekir Halimin nga bankat e medresesë Isa Beu, pasi e akuzuan si i rrezikshëm dhe destruktiv për medresenë. Me këtë e privuan nga diplomimi pak muaj para kryerjes se maturës në vitin e katërt. Asokohe Bekiri u detyrua të vazhdojë dhe të shkollohet me skamje jashtë vendlindjes së tij në Jordani. Po ashtu vlen të përmendim se Jakup Selimovski ishte i pari, i cili shpiku termin vehabi në Maqedoni duke quajtur një grup te rinjsh muslimanë, të cilët pas rënies së komunizmit filluan të kenë aktivitete kulturore dhe fetare me popullatën.

Me interes është të përmendim, se ai për një farë kohe pati formuar Bashkësinë Muslimane, si organizatë paralele të Bashkësisë Islame, me çka pasoi edhe vendimi (dekreti) i Reisit të atëhershëm Sulejman Rexhepit, se Jakup Selimovski është renegat (murted, i dalë nga feja).

Tani Jakup Selimovski sërish ushtron detyrën e drejtorit të sektorit  fetaro-arsimor pranë Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, ku sërish reis i Bashkësisë Fetare Islame është personi kontrovers Sulejman Rexhepi. Arabët kësaj do t’i kishin thënë: “Jeto me Rexhepin për të parë çudira – Ish Rexheben tera axheben”.

 

Përgatiti: Sedat Shabani

Burimi: http://www.albislam.com

http://www.islamifejaevertete.com

Must Read