Allahu i Lartmadhëruar thotë:
{مَنۡ عَمِلَ صَـٰلِحࣰا مِّن ذَكَرٍ أَوۡ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤۡمِنࣱ فَلَنُحۡیِیَنَّهُۥ حَیَوٰةࣰ طَیِّبَةࣰۖ وَلَنَجۡزِیَنَّهُمۡ أَجۡرَهُم بِأَحۡسَنِ مَا كَانُوا۟ یَعۡمَلُونَ}
“Kushdo që bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë dhe do t’u japim shpërblimin më të mirë të asaj që kanë punuar.” [En-Nahl: 97]
Dhe mendimi më i saktë rreth këtij ajeti është kështu:
“Vepra e mirë është ajo që i plotëson dy kushte:
1- Të jetë e sinqertë vetëm për hir të Allahut.
2- Të jetë sipas sunetit të Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Për shkak të punës së tyre të mirë, Ne do t’ia bëjmë atyre jetesën e mirë, dhe do të jenë të kënaqur në të. Dhe kjo për shkak se kushdo që është i kënaqur me furnizimin që ia ka caktuar Allahu, ai nuk lodhet shumë në këtë botë, dhe as nuk has vështirësi në të. Dhe as nuk ia prish qetësinë vetes, duke kërkuar atë që i ka ikur prej saj, dhe as nuk merret me qortimin e saj, duke menduar gjithë kohën pse më iku, e si më iku.”
Një nga gjërat e bukura që ajeti përmban është se njerëzit që e lexojnë Kur’anin dhe kapen pas tij, dhe kapen pas sunetit të Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, janë të parët që hyjnë në kuptimin e këtij ajeti. Dhe duket sikur ky ajet nuk ka për qëllim dikë tjetër, sepse lumturia dhe jeta e tyre e mirë është për shkak të punës së tyre të mirë, të ngritur mbi besimin e drejtë, diturisë së tyre mbi Kur’anin, dhe Sunetin dhe praktikimin e tyre.
Nga hoxhë Hariz Allkoçi