Llogaritja e vetvetes
Bërja e llogarive me vetveten është e rëndësishme për mirëmbajtjen dhe përtëritjen e imanit, siç thotë Allahu xh.sh.:
“O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër.” (El-Hashër, 18)
Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Llogariteni veten tuaj para se të llogariteni.”
Ndërsa El-Basriu ka thënë: “Nuk do të takosh ndonjë besimtar që të mos e llogarisë vetveten.”
Mejmun ibn Mihrani ka thënë: “Me të vërtetë ata që i frikësohen Allahut e llogarisin veten e tyre me një rigorozitet më të madh sesa partnerët që janë koprracë në punë.”
Me të vërtetë mosllogaritja e vetvetes është shkak që njeriu të zhytet edhe më shumë në mëkate. Edhe jobesimtarët kënaqen me jetën e kësaj bote duke mos llogaritur se një ditë do të dalin para Allahut xh.sh.. Allahu xh.sh. thotë: “Ata ishin që nuk pritnin se do të japin llogari.” (En-Nebe 27)
Ibn Kajimi thotë: “Shkatërrimi i shpirtit vjen si pasojë e lënies pas dore të vetëllogaritjes, duke u pajtuar me kërkesat dhe ndjekjen e epsheve.“
Prandaj muslimani patjetër duhet të gjejë kohë për t’u vetmuar me vetveten dhe të shikojë se ku gjendet dhe çka ka përgatitur për të nesërmen (Ditën e Gjykimit).
Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi