BallinaPraktikaFikhuLLOJET E UJIT TË PASTËR

LLOJET E UJIT TË PASTËR

UJI I PASTËR

Uji i pastër është ai i cili ka mbetur në gjendjen e tij të natyrshme dhe që nuk i është ndryshuar shija, era dhe ngjyra me diçka të papastër. Në ujin e pastër bënë pjesë:

1. Uji i shiut, borës dhe breshrit.

Çdo ujë që zbret nga qielli pa marrë parasysh a është shi, borë ose breshër, konsiderohet i pastër, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi zbritur nga qielli ujë të pastër.” Furkan, 48.

Dhe thënien e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) gjatë duasë në fillim të namazit: “O Allah, pastroi mëkatet e mia (siç pastron natyrën) me borë, me shi dhe me breshër[1]!”.

2. Uji i detit.

Uji i detit lejohet të përdoret për pastrim edhe pse shija e tij është e njelmët, pasi që ky nuk është ndryshuar me diçka nga jashtë, por natyra e tij është ashtu. Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri e pyeti Muhamedin (salallahu alejhi ue selem): “O i dërguar i Allahut, neve lundrojmë në det dhe mbajmë pak ujë me vete, nëse marrim abdes me këtë ujë, atëherë nuk do të arrijmë ta shuajmë dot etjen. A lejohet të marrim abdes me ujë të detit?” Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) i përgjigjet: “Uji i detit është i pastër dhe është e lejuar ngordhësira në të.[2]”

3. Uji i lumit.

Prej argumenteve se ky ujë është i pastër është thënia e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem): “Vini re! Po të kishte ndonjëri nga ju lum para derës së tij dhe të pastrohej në të çdo ditë pesë herë, a do t`’i mbetej ndonjë ndyrësirë?[3]”

4. Uji i pusit (i bunarit).

Në këtë bënë pjesë edhe uji i zemzemit. Transmeton Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) me një rast kërkoi që t’i sillnin një kovë me ujë zemzemi, ku ai piu dhe më pas mori abdes prej tij[4].

5. Uji i ndryshuar dhe i përzier.

Është ai ujë që ka pësuar ndryshim me diçka të pastër, si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë në ndonjë vend. Si p.sh.: uji në të cilën rriten myshqet (algat), ose kanë rënë gjethet e pemëve dhe ka ndryshuar ngjyrën, ose lumi i turbulluar pas shiut, etj. Ky ujë mbetet i pastër edhe pse ndodh që t’i ndryshohet ngjyra, era ose shija, pasi që nuk e ndryshon emrin ose me fjalë të tjera hyn në kuptimin e përgjithshëm të domethënies së ujit. Allahu i Lartësuar thotë: “ …dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum.” Maide, 6. Pra në ajet ka ardhur i pashquar që nënkupton çdo lloji i cili quhet me këtë emër. Se ky ujë është i pastër dhe mund të përdoret për pastërti, janë dakord dijetarët.

-Në këtë lloj të ujit mund të llogaritet edhe uji i cili është përzier me lëndë të pastra si: klor, sapun, shafran, lule, sidër (lotus), kamfur, etj. Ky lloj i ujit konsiderohet i pastër dhe mund të përdoret për largimin e papastërtisë deri sa e quajmë me këtë emër (ujë). Kur ky uji ndryshon pas përzierjes shumë sa që nuk mund të quhet më ujë, atëherë nuk përdoret për të larguar nga muslimani papastërtinë, (për gusëll, abdes, etj)[5].

6. Uji i përdorur.

Është për qëllim uji që kullon nga njeriu pas marrjes së abdesit ose guslit. Mendimi më i saktë në këtë është se ky ujë konsiderohet i pastër dhe mund të përdoret për t’u pastruar nga xhunubllëku ose për abdes edhe për herë të dytë. Argument për këtë është se uji në esencë ishte i pastër dhe kur me të për herë të parë u largua xhunubllëku, ajo nuk e ka humbur pastërtinë e vet. Me fjalë të tjera nuk është bërë i papastër. Derisa nuk është bërë i papastër, atëherë nuk kemi argument se nuk mund të përdoret për të larguar xhunubllëkun për herë të dytë.

Ebu Hurejre, transmeton se njëherë është takuar me Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) në një rrugë të Medinës, duke qenë xhunub, ai u fsheh nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), shkoi e u pastrua dhe u kthye. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e pyeti: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?” Ai tha: “Isha xhunub dhe duke qenë ashtu, nuk e ndjeva veten të disponuar të të shoqëroj”. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Subhanallah! Muslimani kurrë nuk bëhet i ndyrë![6]”

Nga ky hadith kuptojmë se deri sa muslimani nuk është asnjëherë i papastër edhe uji që kullohet nga ai është i pastër dhe mund ta përdorim.

7. Uji i mbetur-Suri.

Uji i mbetur është uji i cili mbetet në enë pasi është pirë një pjesë e tij nga dikush. Në terminologjinë e sheriatit ky ujë quhet “Sur” dhe është disa lloje.

Uji i mbetur në enë pasi kanë pirë njerëzit në të

Ky ujë konsiderohet i pastër dhe lejohet të përdoret për të larguar xhunubllëkun, pavarësisht nëse në të ka pirë muslimani i pastër, xhunub, femra me menstruacione[7], madje edhe nëse në atë enë me ujë ka pirë jobesimtari dhe ka mbetur sasi prej saj.

Pasi që domethënia e ajetit: “Vërtet, idhujtarët janë të ndyrë” Teube, 28, është qëllim besimi që ata praktikojnë e jo gjendja fizike e tyre[8].

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë kafshët që lejohet t’u hahet mishi

Edhe ky ujë është i pastër dhe lejohet të përdoret për pastrim nga xhunubllëku dhe për abdes, pasi që pështyma e këtyre kafshëve është e pastër dhe kjo nuk e ndyn ujin. Ibën Mundhiri sqaron se në këtë ka konsensus te dijetarët në përgjithësi (ixhma).

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë macja, gomari, mushka dhe zogjtë

Edhe ky ujë është i pastër, bazuar në hadithin e Xhabirit, në të cilin Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) është pyetur në lidhje me ujin e mbetur në enën ku kanë pirë gomarët; ai është përgjigjur se lejohet[9].

Kurse për macen, kur është pyetur se a është ndyrësirë apo çfarë të bëhet me të, ai ka thënë se ajo nuk është ndyrësirë dhe se ajo është prej atyre kafshëve që sillen nëpër shtëpi[10].

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë qeni dhe derri

Qeni dhe derri janë të papastër dhe se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar që të pastrohet ena në të cilën ka llapitur qeni. Ai thotë: “Nëse qeni ka lëpirë ndonjë nga enët tuaja, lajeni atë shtatë herë dhe larjen e parë bëjeni me dhe.[11]”

Burimi:
Alaudin Abazi
Burimijetes.indi

[1]Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[2]Shënon Maliku, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe, hadithin e cilësojnë të saktë Ibën Huzejme, Ibën Hiban dhe Hakimi, kurse Tirmidhiu e cilëson se është hasen shahih.

[3]Shënon Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.

[4]Shënon Ahmedi.

[5]Disa dijetarë të medh`hebit maliki dhe shafi, kanë mendimin se ky ujë nuk ngrit papastërtinë (xhunubllëkun) pasi që uji është përzier. Prandaj ata kushtëzojnë që gjatë pastrimit nga xhunubllëku së pari duhet të marrim gusull me ujë, pastaj të kalojmë në përdorimin e sapunëve ose shamponëve. Por mendimi më i saktë në këtë është qëndrimi i dijetarëve Hanefi dhe imam Ahmedit në një transmetim tjetër, se uji i cili përzihet me diçka të pastër si: sapun apo sidër, lejohet të përdoret për pastrim dhe ngrit xhunubllëkun. Gjithashtu kjo është përzgjedhja edhe e Shejhul Islamit Ibën Tejmije, se uji që përzihet me diçka të pastër, lejohet të përdoret për ngritjen e xhunubllëkut derisa emërtohet me emrin ujë (pra nuk i ndryshon emri). Dhe për këtë argumentojnë me hadithin se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) grave të cilat e kanë pastruar vajzën e tij u ka thënë:

“Lajeni 3 herë apo 5 herë, apo edhe më shumë herë me ujë dhe sidër (fletë të bluara të një druri aromatik) e në herën e fundit lajeni me ujë dhe kafur (lule e palmës aromatike).”

Gjithashtu argument është hadithi të cilin e shënon Muslimi se kur Esmaja e pyeti Muhamedin (salallahu alejhi ve selem) se si të pastrohet gruaja pas menstruacioneve ka thënë: “Merrni ujë dhe sidër dhe pastroheni me të me një pastrim të mirë…”. Po të mos ngritëte xhunubllëkun ky ujë i përzier me sidër do ta tërhiqte vërejtjen Muhamedi (salallahu alejhi ve selem) që fillimisht të fillonte me ujë të papërzier.

Shejh Abdulaziz Ibën Baz është pyetur rreth përdorimit të sapunit dhe shamponit gjatë gusulit dhe ai ka thënë: “…Nuk prish punë në përdorimin e sapunit, shamponit, sidrit dhe gjërave të ngjashme që të largohen ndyrësirat.”. “El mexhele Arabije” nr; 218, viti: 1416.

[6]Shënnon Buhariu, Muslimi, dhe të tjerët.

[7]Aishja tregon: “Pija nga ena duke qenë e papastër dhe kur ia jepja Profetit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), ai e vente buzën e tij në vendin ku unë kam pirë (dhe pinte nga ajo).” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[8]Kjo vërtetohet nga praktika e Profetit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), se si ai përzihej me mushrikët, ka pirë nga enët e tyre, ata hynin në xhami kur vinin delegacionet, por ai asnjëherë nuk ka urdhëruar që të pastrohet diçka që atë preknin.

[9]Shënon Darekutni dhe Bejhakiu.

[10]Shënon Maliku, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu. Tirmidhiu e cilëson hadithin si hasen sahih, kurse të saktë e cilësojnë: Buhariu, Ibën Huzejme, Ibën Hibani dhe Hakimi.

[11]Shënon Muslimi dhe Ahmedi

Must Read