Mbreti dhe katër gratë e tij
Përmendet se një mbret kishte katër gra, të katërtën prej tyre e donte me dashuri të çmendur dhe gjithçka bënte që ta kënaqte atë.
Ndërsa, të tretën gjithashtu e donte, por e ndjente se ajo po e braktiste për një person tjetër…
E dyta ishte ajo tek e cila kthehej kur ishte në vështirësi, ajo çdo herë e dëgjonte dhe gjendej kur ai ishte ngushtë.
E gruan e parë zakonisht e neglizhonte, nuk kujdesej për atë dhe nuk ia jepte hakun edhe pse ajo e donte shumë dhe kishte dorë të fortë në ruajtjen e mbretërisë së tij.
Ishte sëmurë mbreti dhe ndjente se po i afrohej vdekja. Mendoi, dhe tha:
Unë për momentin kam katër gra, dhe nuk dua që në varr të shkoj i vetëm.
E pyeti gruan e katërtë: Të kam dashur më shume se sa gratë e tjera dhe t’i kam plotësuar të gjitha dëshirat dhe kërkesat, a pranon që të vish dhe të më shoqërosh mua në varr?
U përgjigj: E pamundur, dhe u largua menjëherë pa shfaqur asnjë ndjenjë ndaj mbretit.
E ftoi gruan e tretë dhe i tha: Të kam dashur gjatë gjithë jetës, a më shoqëron në varr?
U përgjigj: Jo, jeta është e bukur dhe pas vdekjes tënde do të martohem me dikë tjetër.
E ftoi gruan e dytë dhe i tha: Tek ti jam kthyer sa herë që kam qenë ngushtë dhe sa shumë ke sakrifikuar për mua, a do të më shoqërosh mua në varr?
U përgjigj: Më fal, nuk mundem t’i përgjigjem kërkesës tënde, por më e shumta që mund të bëj për ty, të të përcjell deri në varr.
U mërzit mbreti shumë për mospranimin e grave të tij.
Papritmas dëgjoi një zë që vinte nga larg duke thënë: Unë të shoqëroj në varr…
Unë do të jem me ty kudo që të shkosh.
Shikoi mbreti dhe pa se ajo ishte gruaja e parë, ishte në një gjendje të hollë, të dobët dhe të sëmurë përshkak të neglizhencës së tij ndaj saj.
Mbreti u pendua për moskujdesin e duhur ndaj saj gjatë jetës dhe tha: Ka qenë më e dashur të kujdesem për ty më shumë se sa për gratë tjera, dhe sikur të kthehej koha për mua, ti do të ishe ajo që më së shumti do të përkujdesesha nga gratë tjera.
Realisht, vëllezër të nderuar, çdo njeri prej nesh në këtë botë është me katër gra.
E katërta: Trupi, sado që përkujdesemi për trupin tonë të ia plotësojmë dëshirat, prapëseprapë, do të na braktisë menjëherë, në momentin e vdekjes.
E treta: Pasuria, pas vdekjes do të na braktise dhe do të shkojë tek të tjerët.
E dyta: Familja dhe shokët, sa do e madhe të jetë sakrifica e tyre për ne në këtë botë, nuk mendojmë se mund të presim më shumë se sa kur vdesim të na dërgojnë në varreza.
E para: Puna e mirë, po e lëmë pas dore dhe nuk po përkujdesemi, e gjithë kjo në llogari të epsheve, pasurisë dhe shokëve tanë edhe pse punët tona janë të vetmet të cilat do të jenë me ne në varre.
Çka mendon nëse puna jote personifikohet në formë të njeriut, si do të jetë forma dhe gjendja e tij?
I dobët, i hollë, i neglizhuar?
Apo i fortë, vital dhe i përkujdesur?
Përktheu: Valdet Kamberi
Burimi: www.islamifejaevertete.com