Fjalët më fal i do miku dhe armiku, zbuten zemrat në kohën kur vlojnë nga hidhërimi, inati, hakmarrja. E tha baba i njerëzimit Ademi alejhi selam kur gaboi. Është pjesë e fjalorit të njerëzve më të mirë që njohu njerëzia, Pejgamberët e Allahut. Mbretër e burrështetas e shqiptuan kur gabuan karshi popullit të tyre. Pejgamberi Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e thoshte dhe i mësonte të tjerët që ta thonë.
Këtë fjalë e tha edhe burri i madh i këtij umeti, Omeri radijAllahu anhu. Kjo tregon kulturën, vlerat, personalitetin, virtytet e një njeriu që e thotë.
Koha më e mirë për ta shprehur këtë fjalë është kur je në pozitën dhe anën e të fortit.
Ju kujtohen ato ditë kur ne pritëm mysafirin e Allahut në shtëpitë tona? Kur ne mësonim si të silleshim me të? Ja, ky tani po shkon e duhet t’i kërkojmë falje.
Më fal Ramazan!
Më fal sepse nuk u solla me ty siç duhet të sillet nikoqiri me mysafirin.
Më fal sepse shpesh të rëndoja me fjalë dhe bëja shaka “e ka zënë Ramazani”, “e ka lodhur Ramazani”, “ja po e përzë Ramazanin”.
Më fal kur ti u ndieje i shqetësuar kur unë ngatërrohesha me njerëzit e ti këtë nuk e pëlqen.
Më fal kur para teje unë përgojoja, mashtroja njerëzit e ti na mëzove të kundërtën.
Më fal sepse unë në ditët e tua e harxhoja kohën para televizorit duke shikuar filma, seriale e lojëra, kurse ti nuk i shikon këto.
Më fal për ditët që kalova pa agjëruar. Kam turp, kam frikë që ndoshta do të vijë një ditë kur unë do të të dua, por ti nuk do të më pranosh sepse unë atëherë mund të jem i sëmurë.
Më fal sepse:
- kohën më të madhe e kalova në gjumë, kurse ty të lash vetëm duke më pritur që të zgjohem’
- kohen nuk e kaloja me Kur’an;
- shumë namaze i anashkalova;
- teravitë nuk i fala me rregull, edhe pse ti ma kërkoje;
- sofrën unë e mbushja plot e ti më thoshe ndaj edhe pak për të varfrin.
Ramazan më fal!
Të kërkoj falje në emër të popullit tim ata, të atyre që janë nga gjaku im, që flasin të njëjtën gjuhë, ata që i thonë vetes muslimanë dhe nuk ta hapën derën. Vinte syfyri, kaloja pranë shtëpive të tyre e ata ishin në gjumë. Vinte iftari e ata nuk bënin iftar me ne sepse iftar e kishin tërë ditën.
Më fal në emër të tyre sepse ata nuk dinë.
O Zot, na fal për çdo lëshim që bëmë në këtë muaj.
Kërkojmë kënaqësinë dhe shpërblimin Tënd.
Zot, bëje zjarrin haram për ne.
O Allah, o Zoti i gjithësisë, flladitna atë ditë ku nuk ka fllad pos flladit që Ti na ofron. O Zot, ashtu siç gëzoheshim në kohën e iftarit, mundësona të gëzohemi ditën kur të takojmë Ty.
Ndihmona ta mposhtim epshin, armikun tonë.
O Zot, çdo muslimani mbi rruzullin tokësor ruaja gjakun, pasurinë e nderin!
Zot, ruaj vëllezërit tanë në Gaza. Bëje Bajramin fitore për ta. Mposhte armikun e tyre se ata janë të mallkuar. Shpalose fuqinë Tënd mbi ta. Ti je i pamposhtur. Ktheja gëzimin, largoja pikëllimin, dhembjet shndërroja në rehati për këto ditë Bajrami!
Zot, bëji fytyrat e muslimanëve të qeshin në këtë Bajram në dynja dhe në ahiret!
Autor: Rashit Zylfiu
Burimi: rashitzylfiu.com