Punët vlerësohen sipas qëllimeve
Transmetohet nga Prijësi i besimtarëve Ebu Hafsa (Umer bin el Hatabi) radijAlalhu anhu se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Kështu, kush emigron për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, emigrimi e tij do të jetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa kush emigron për ndonjë interes të kësaj bote, apo për ndonjë grua që të martohet me të, emigrimi e tij do të jetë tek ajo që ai ka synuar.”
Transmetuesi i hadithit: Hadithin e transmeton Umer bin el Hatabi radijAllahu anhu. Ai është prijësi i dytë i besimtarëve pas Ebu Bekrit radijAllahu anhu. E ka pranuar Islamin në vitin e 5-të ose të 6-të pas dërgimit të Muhamedit alejhis selam. Kur vdiq u varros pranë Profetit alejhis selam dhe Ebu Bekrit radijAllahu anhu në dhomën e nënës së besimtarëve Aishes radijAllahu anha.
(Hadithin e transmeton: Buhariu dhe Muslimi)
Dobitë që përfitohen nga hadithi:
1. Sqarimi i rëndësisë së nijetit (qëllimit) gjatë veprës, sepse saktësimi i veprës dhe shpërblimi për të është në bazë të nijetit. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Veprat e mira me qëllime të mira” Po ashtu ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Qëllimi i mirë nuk e konverton veprën e keqe në të mirë”.
2. Obligueshmëri e qëllimit të pastër për Allahun e Madhëruar. “Megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë…” El Bejjine, 5.
3. Çdo punë e cila nuk është e sinqertë për Allahun ajo është e kotë (pavlefshme). Po ashtu çdo punë e cila nuk është në përputhje me legjislacionin me të cilën erdhi i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ajo është e kotë.
4. Qëllimi (nijeti) është kusht për saktësimin e adhurimeve siç është namazi, haxhi, agjërimi etj. Pra, adhurimi nuk pranohet përveç se me të. Po ashtu ai (qëllimi/nijeti) është kusht për abdesin, gusulin (larjen në tërësi). Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve.
5. Vendi i nijetit (qëllimit) është zemra dhe nuk lejohet shqiptimi i tij me gojë, sepse një gjë e tillë është shpikje (bidat). Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Shqiptimi i nijetit është shpikje (bidat) dhe nuk e ka vepruar i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe as shokët e tij.”
6. Obligueshmëria e bërjes së hixhretit në rrugë të Allahut, sepse hixhreti me këtë kuptim dhe qëllim është detyrë për muslimanin, ndërsa qëndrimi i tij në vendet e kufrit mund të jetë prej dashurisë që ka për jobesimtarët, madje kjo është një prej shumë shkaqeve që personi ta lërë fenë e tij. Allahu na ruajttë! Për këtë shkak Allahu i Madhëruar e ka ndaluar qëndrimin e muslimanit në mesin e jobesimtarëve nëse ai ka mundësi që të bëjë hixhret. Allahu thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që janë keqbërës të vetvetes,[1]u thonë: “Në ç’gjendje ishit?” Ata thonë: “Ishim të pafuqishëm në Tokë.” (Engjëjt)u thonë: “A nuk ishte Toka e Allahut e gjerë që të emigronit në të?”[2]Por vendi i këtyre është xhehenemi, e ku ka vend më të keq se ai! Me përjashtim të të pafuqishmëve prej burrave, grave e fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqi, as mundësi të drejtohen në rrugë. Allahu do i falë ata, sepse Allahu është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.[3]” En Nisa, 97-99.
Allahu i Madhëruar, në ajetin e mësipërm nuk ka lejuar dikë që të arsyetohet për qëndrimin në vendet e kufrit, përveç të dobëtëve të cilët nuk kanë mundësi që të bëjnë hixhret (të emigrojnë). U lejohet qëndrimi në ato vende edhe atyre të cilët aktivizohen në përhapjen e Islamit duke i ftuar njerëzit në fenë e Zotit.
7. Hixhreti për tek Allahu është prej veprave të mira, sepse personi me këtë synon Allahun dhe të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Çdo punë me të cilën njeriu ka për qëllim Allahun dhe të Dërguarin e Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ajo është prej veprave të mira.
8. Tërheqja e vërejtjes për atë që bën hixhret për dikë tjetër përveç Allahut.Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!)thotë: “Emigrues (el-muhaxhir) konsiderohet ai që emigron nga vendi i shirkut dhe mëkatit për në vendin e teuhidit dhe bindjes. Ndërsa udhëtimi për në vendet e jobesimtarëve nuk konsiderohet emigrim (hixhret). Po, ai është shtegtimi (hixhreti) i zogjve”.
Burimi:
Përktheu: Unejs Sheme
http://burimijetes.info/
[1]Duke vepruar vepra që janë shkak për zemërimin e Allahut ndaj tyre dhe duke mos emigruar te muslimanët por duke ndenjur në mesin e jomuslimanëve apo duke luajtur rolin e hipokritit dhe duke përkrahur jomuslimanët kundër muslimanëve. Ajeti përfshin ata që kanë qenë në këtë gjendje në kohën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si dhe të gjithë ata që u përputhen gjendjes së tyre në të gjitha kohët.
[2]A nuk mund ta linit vendin tuaj dhe të largoheshit prej atyre që ju pengonin nga besimi në Allah dhe nga pasimi i të Dërguarit të Allahut alejhis selam, dhe të shkonit në atë vend ku ishit të ruajtur nga idhujtarët dhe ku mund të adhuronit vetëm Allahun dhe të pasonit të Dërguarin e Tij?
[3]Allahu i shlyen gjynahet robërve të Tij besimtarë, duke mos i dënuar ata për shumë gjynahe që bëjnë, përderisa nuk i kanë bërë shok Atij dhe ua mbulon gjynahet atyre duke mos ua shpejtuar dënimin për to, prandaj mos u ktheni më kurrë tek ato që u kam ndaluar, që të mos ju vijë ndonjë dënim i madh.