BallinaPraktikaPyetje dhe PërgjigjjeÇ’është përgojimi, dhe në cilat raste lejohet ai?

Ç’është përgojimi, dhe në cilat raste lejohet ai?

Ç’është përgojimi, dhe në cilat raste lejohet ai?

Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Është e vërtetë se në ditët e sodit është përhapur kjo sëmundje e madhe, e cila për fat të keq ka përfshirë edhe shumë prej muslimanëve të mirë, të cilët duke e nënçmuar këtë mëkat dhe duke e llogaritur atë si një gjë të thjeshtë dhe të lehtë, përgojojnë vëllezërit e tyre muslimanë. Ndërsa Allahu (azzevexhel) thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat, dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri tjetrit, dhe mos përgojoni njëri tjetrin. A mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është Mëshirues, Ai pranon
shumë pendimin”. (Huxhurat – 12)
E sa i përket definimit të tij, Pejgamberi (salallahualejhiveselem) tha: “A e dini ç’është përgojimi? Thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dijnë më së miri. Atëherë tha: (Përgojimi është) të përmendësh për vëllaun tënd, atë që ai e
urren. Tha (ndonjëri prej tyre): Po nëse është tek ai ajo që e them për të? Tha: Nëse është tek ai ajo që e thua për të, atëherë e ke përgojuar atë, e nëse nuk është, atëherë ke shpifur ndaj tij”. (Transmeton Muslimi dhe Tirmidhiu)
Thotë Imam Neveviu: Përgojimi është të përmendësh për vëllaun tënd, një gjë që ai e urren, qoftë ajo në trupin e tij, në fenë e tij, në jetën e tij, në moralin e tij, në pasurinë e tij, në fëmijët e tij, në prindët e tij, në bashkëshorten e tij, në veshjen e tij, në ecjen e tij, e të tjera, dhe qoftë ajo duke e thënë atë me fjalë, apo duke e shkruar, apo duke bërë me shenjë, qoftë me sy, apo me dorë, apo me kokë, e të ngjashme me këtë. (El-Edhkar 336)
Gjithashtu dijetarët, si Imam Neveviu dhe të tjerë, kanë përmendur disa raste, që përmendet për njeriun ajo që ai e urren, dhe kjo nuk llogaritet përgojim ndaj tij. Ato janë:
-Kërkimi i largimit të padrejtësisë – Kur dikujt i bëhet padrejtësi, ai ka të drejtë të tregojë para gjykatësit apo para dikujt që ka fuqi dhe mundësi për t’i ndihmuar, rastin, personin dhe padrejtësinë që i është bërë.
-Kërkimi i ndihmës për të larguar të keqen – Kur ndonjëri prej njerëzve vepron ndonjë të keqe ndaj vetes së tij apo ndaj muslimanëve në përgjithësi, dhe ti nuk ke mundësi ta pengosh atë prej asaj të keqe, ndërsa dikush tjetër ka fuqi dhe mundësi për ta ndaluar atë, lejohet t’i tregohet atij, personi dhe e keqja që ai e bën.
-Kërkimi i fetvasë – Sikur t’i thuhet muftiut se filani ka vepruar kështu ndaj meje, a i takon atij kjo gjë, apo si duhet zgjedhur këtë problem me të. Edhepse më mirë është të thuhet: Nëse “dikush” vepron ndaj meje kështu, a i takon atij.. Por megjithatë nëse përmendet personi me emër, lejohet dhe nuk ka mëkat për këtë, sikur që pyeti Hindi dhe tha: “Ebu Sufjani (burri im) është njeri koprrac, a lejohet të marr prej pasurisë së tij aq sa kam nevojë?..
-Tërhjekja e vërejtjes prej të keqes së ndonjërit – Sikur që është çështja e transmetuesve të haditheve, ku përmendet se filani e ka këtë të metë, apo filani është besnik e filani nuk është besnik, apo filani i harron gjërat, apo i ngatërrohen fjalët etj. (Kjo jo vetëm që nuk llogaritet përgojim, por kjo është edhe e obliguar, ngase kështu ruhet dhe mbrohet sheriati).
-Tërhejkja e vërejtjes prej atyre që i veprojnë mëkatet haptas – Sikur ndaj atij që pi alkool haptas, apo merr pasurinë e muslimanëve pa të drejtë, apo vepron ndonjë bidat prej bidateve haptas. Në këtë rast lejohet t’u tregohet tjerëve për mëkatin apo bidatin e tij, në mënyrë që të mos shoqërohen me të, dhe të mos ndikohen në mëkatin apo bidatin e tij. (Kjo lejohet vetëm për mëkatet që ai i vepron haptas, ndërsa ato mëkate që ai i vepron fshehtas, nuk lejohet përmendja e tyre).
-Interesimi për martesë – Nëse dikush të pyet për dikënd që e ke të afërm, dhe interesohet seriozisht për të martuar atë (vajzë), apo për t’i dhënë vajzën atij (djali), ndërsa tek ai/ajo ekziston ndonjë e metë, qoftë ajo në çështje të moralit (sikur të jetë djali apo vajza e prishur në moralin e saj, ndërsa i interesuari të jetë njeri i ndershëm dhe i devotshëm), apo qoftë ndonjë e metë serioze në trupin e tij/saj, atëherë lejohet të përmendet ajo e metë, në mënyrë që të mos shkaktohen probleme dhe pasoja në të ardhmen e tyre.
-Nofka me të cilën njihet dikush – Si: i verbëri, apo i shurdhëri, apo emri i tij në formë të shkurtuar, apo ndonjë nofkë tjetër, e cila nuk përdoret ndaj tij për ta nënçmuar atë, por ashtu është i njohur në mesin e njerëzve, dhe ai nuk hidhërohet me këtë, atëherë lejohet që kur të flasësh për të, ta përmendësh me këtë nofkë, edhepse ndërrimi i saj me ndonjë tjetër më të mirë është më mirë.
Ndërsa ai që e ka përgojuar dikënd prej vëllezërve të tij muslimanë, ai me këtë ka bërë një prej mëkateve të mëdha, dhe për këtë duhet të pendohet tek Allahu, duke i plotësuar kushtet e pendimit. E nuk ka nevojë t’i kërkon falje atij që e ka përgojuar, ngase me këtë ka mundësi që e keqja të shtohet edhe më shumë, por mjafton që t’i bën të mira atij, të lutet për të, dhe të kërkon falje tek Allahu për të. Thotë Hudhejfe (radijallahuanhu): “Shpagimi për atë që e ke përgojuar është të kërkosh falje tek Allahu për të”.
Allahu e di më së miri.

Burimi:
Pyetje dhe Përgjigje
nga Hoxhë Omer Bajrami
Përmblodhi: Hetem Ibrahimi

Must Read