BallinaARTIKUJHadith dhe SunetMë trego për ndonjë vepër që më shpie në xhenet dhe më...

Më trego për ndonjë vepër që më shpie në xhenet dhe më largon nga zjarri

Më trego për ndonjë vepër që më shpie në xhenet dhe më largon nga zjarri

Transmetojnë imamët: Ahmedi, Termidhiu dhe Ibën Maxhe nga Muadh ibën Xhebeli, i cili ka thënë: “Isha me të Dërguarin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, në një udhëtim dhe një ditë, përderisa po ecnim, iu afrova dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Më trego për ndonjë vepër që më shpie në xhenet dhe më largon nga zjarri!”

I Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, tha: “Tanimë më ke pyetur për një gjë madhështore, mirëpo ajo është e lehtë për atë që ia ka lehtësuar Allahu; ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh Atij askënd, ta falësh namazin, ta nxjerrësh zekatin (e pasurisë), ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhin.”

Pastaj vazhdoi dhe tha: “A nuk dëshiron të të shpie në dyert e hajrit? Agjërimi është mburojë (nga zjarri i xhehenemit). Lëmosha e shuan mëkatin ashtu sikur e shuan uji zjarrin. Namazi i njeriut në fillimin e 1/3 së fundit të natës është simboli i njerëzve të mirë.” Pastaj lexoi i Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, ajetet e Kuranit: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” (Sexhde, 16,17)

Pas kësaj i Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, më tha: “A nuk dëshiron të të informoj për bazën e çdo gjëje, shtyllën e tyre dhe gjënë më të lartë të tyre?” Gjithsesi o i dërguar i Allahut, – iu përgjigja.

“Baza e çdo gjëje është Islami (dëshmitë – shehadetet), ndërsa shtylla e tij është namazi, kurse gjëja më e lartë e tij është xhihadi.”

“A nuk do të të tregoj për brumosjen e gjithë kësaj?” – më tha pastaj i Dërguari

“Po si jo, o i dërguar i Allahut”, – i thashë.

E kapi gjuhën e tij dhe më tha: “Përmbaje këtë!”

O i dërguar i Allahut, ne fajësohemi për atë që flasim? – i thashë.

“Mbettë nëna pa ty, o Muadh! E kush i përmbys njerëzit në zjarr me fytyrat e tyre apo me vrimat e hundëve të tyre, përveç produktet e gjuhëve të tyre (fjalëve të kota).

Dobi të nxjerra nga ky hadith

Nga ky hadith shihet qartë vlera e adhurimeve të përmendura: namazit, zekatit, agjërimit dhe haxhit, gjithnjë duke i paraprirë besimi i pastër dhe adhurim i çiltër, duke iu larguar të gjitha formave të mundshme të shoqërimit dhe ortakërisë (shirkut) së Allahut të Lartësuar. Pra, këto gjëra janë çelës i përcaktimit të statusit të njeriut në Ditën e Gjykimit, banor i xhenetit të jetë apo i xhehenemit. Pastaj përmenden edhe vepra vullnetare ndihmëse prej llojit të tyre si: agjërimi, lëmosha dhe namazi i natës.

I dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, në këtë mesazh të drejtuar atyre që kanë ambicien e përcaktimit për xhenet dhe frikën që të mos jenë nga banorët e xhehenemit, tregon se si të ruhen këto vlera të adhurimit, duke treguar se baza e ndërtimit të këtyre është besimi, shtylla në të cilën mbahen është namazi, kurse kulmari i mbrojtjes së këtyre adhurimeve është xhihadi.

Po ashtu i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të, tërheq vëmendjen në mëkatet e mëdha dhe të vogla, duke sqaruar se rreziku nga fjalët e kota, përçmuese, tendencioze, lënduese etj. është i madh sa lehtë mund ta hedhin njeriun në zjarr me fytyrën e tij.

Përktheu dhe punoi:
Muhamed Dërmaku

Must Read