Mëshira që s’ka kufi

Mëshira që s’ka kufi

I dashur vëlla, shpeshherë ndodh që njeriun e kaplon mërzia, dëshpërimi , stresi , ankthi, dhe shumë e shumë probleme të kësaj dynjaje , nganjëherë tejkalohet kjo derisa njeriut i lindin dyshimet për ibadetin e tij, e mundon ankthi i dënimit të Ditës së Gjykimit , çdo njëri prej nesh e din mirë që është tepër neglizhues dhe jo korrekt ndaj urdhërave të All-llahut , dhe të gjitha krijojnë atë që njeriu vërtetë po e humb veten e tij , dhe se Shejtani e ka futur atë nëpër labirinthet e gjynaheve.

Zgjohu vëllai im ! Po të tregoj ty një rrugë për shpëtimin e shpirtit tënd , nuk po të them që të adhurosh apo të falesh më shumë , apo të agjërosh më tepër, pasi e dij mirë që ti i di këto gjëra , por ajo që dua të të kujtoj është ajo që Shejtani mundohet t’ua largojë njerëzve nga zemra , dhe ajo është kërkimi i faljes tek All-llahu ( pendimi)!

Dua t’ju tregoj për këtë sepse vërtet në të ka mirësi të madhe , Profeti as. ka qenë ai i cili i kërkonte falje All-llahut më tepër se 70 herë në ditë. Nuk e pranon haxhin e asnjë njeriu All-llahu derisa ai të pendohet sinqerisht , nuk e hoqi All-llahu gurin nga shpella atyre tre personave vetëm pasi u penduan , dhe nuk e dërgoi All-llahu shiun te populli i Musait as. vetëm pasi u pendua ai person i cili e kishte tepruar me gjynahe!

O bir i Ademit mos harro se All-llahu ty të ka krijuar të mangët dhe padyshim njeriu gabon dhe më i miri njeri është ai që pendohet dhe e zbut zemrën e tij me lotët e pendimit, për këtë dhe All-llahu e quajti insan (harrues), sepse i pastërt është vetëm All-llahu, Zoti botërave . Prandaj nuk të ngelet ty gjë tjetër vetëm se të pendohesh tek All-llahu dhe më pas të zbatosh urdhërat e Tij!

Porse më e çuditshmja është se All-llahu nuk mërzitet kurrë me pendimin e robit, sado i shumtë të jetë ai , vetëm nëse njeriu mërzitet duke u penduar. Dhe për këtë po cekim një histori që është shënuar në një libër të Ibn Kajjimit el Xheuzij (“Medarixh es-salikin”,) ku tregohet :

Transmeton një i ditur se duke ecur ai nëper një rrugicë, pa derën e një shtëpie që u hap nga e cila doli një vogëlush duke qarë dhe duke kërkuar falje prej nënës së tij. Mirëpo, nëna e nxorri jashtë dhe nuk iu përgjigjte. Pasi e nxorri jashtë, ia mbylli derën dhe hyri brenda. Vogëlushi mbeti jashtë duke qarë, u largua nga shtëpia ca hapa pastaj u ndal, mendoi pak dhe pa se nuk mundte ta strehonte askush pos nënës së tij. Në atë rast u kthye kah shtëpia me zemër të thyer dhe të mërzitur, mirëpo dera ishte e mbyllur. U shtri para derës, vuri krahun në prag të derës dhe e zuri gjumi. Pas pak kohe doli nëna dhe kur e pa të birin e saj në atë gjëndje nuk mundi ta mbajë vehten, u hodh mbi të duke e puthur e qarë e i tha:” O biri im, ku do të shkosh përpos se tek unë? Kush do të strehojë përpos meje? A të kam thënë mos më kundërshto, mos më detyro që gabimi yt të ma humbë mëshirën që posedoj ndaj teje”. Pastaj e mori djalin dhe e futi brenda.

Tani po ju përkujtoj edhe një hadith të profetit as. ku thotë : “ All-llahu është më i mëshirshëm ndaj robërve të Tij se sa nëna ndaj birit të saj ”.

Atëherë Mëshira e All-llahut është më e gjërë se sa mëshira e nënës ndaj birit të saj, atëherë çfarë ngelet për ty?! All-llahu i do njerëzit më shumë nga se çfarë mendojmë , Ai e ka bërë mëshirën e Tij të gjërë , prandaj pendohu dhe zbute zemrën, që të fitosh Xhennetin e Tij . Ti vetëm pendoju Atij sa herë që të bësh mëkate , kurrë mos u brengos se po e mërzit apo po e tepron duke kërkuar falje, sepse ti je njeri dhe gabon për këtë ka ardhur në një hadith të saktë të profetit as., thuhet : Një njeri erdhi te i Dërguari i All-llahut të Lartësuar dhe i tha: ” O i Dërguari i All-llahut, njëri prej nesh bën gjynah”. I Dërguari ‘alejhi selam i tha: “I shkruhet atij”, tha njeriu:” Pastaj kërkon falje dhe pendohet”, tha i Dërguari ‘alejhi selam: “I falet atij dhe i pranohet pendimi”, tha njeriu :” Nëse përsëri kthehet dhe bën gjynah”, tha i Dërguari ‘alejhis selam: “I shkruhet atij”, tha njeriu:” Kthehët dhe pendohet”, tha i Dërguari ‘alejhis selam: “I falet atij dhe i pranohet pendimi”, tha njeriu :” Nëse përsëri kthehet dhe bën gjynah”, tha i Dërguari ‘alejhis selam: “ I shkruhet atij, dhe All-llahu i Lartësuar nuk mërzitet nga kërkimi i faljes suaj përderisa ju të mërziteni prej kërkimit të faljes nga Ai”.

Dhe së fundi kërkoj faljen e All-llahut të Madhëruar me një dua që profeti as. e ka bërë gjithmonë: “ Tek All-llahu I Madhëruar kërkoj faljen, nuk ka të adhururar tjetër përveç Tij , që është I Gjallë përgjithmonë dhe Mbikqyrës I Përhershëm dhe tek Ai pendohem”.

Përshtati: Ibrahim Fehimi

Must Read