Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Muhammed ibn Abdurrahman En-Neushan
1. Ai është shkak për të fituar dashurinë e All-llahut të Madhërishëm:
I Lartësuari ka thënë: “Pa dyshim, All-llahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.”[1]
2. Ai është shkak për shpëtim:
I Lartësuari ka thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek All-llahu të penduar, që të arrini shpëtimin!“[2]
3. Ai është shkak për pranimin e veprave të robit dhe falje për të këqijat e tij:
I Lartësuari ka thënë: “Ai e pranon pendimin e robërve të Vet, i fal gjynahet.”[3] Po ashtu i Lartësuari ka thënë: “Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga All-llahu.” [4]
4. Ai është shkak për hyrjen në Xhennet dhe shpëtim nga Xhehennemi:
I Lartësuari ka thënë: “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mira. Këta do të hyjnë në Xhennet dhe nuk do t`u bëhet kurrfarë padrejtësie.”[5]
5. Ai është shkak për faljen dhe mëshirën:
I Lartësuari ka thënë: “Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë.”[6]
6. Ai është shkak për ndërrimin e veprave të këqija në të mira:
I Lartësuari ka thënë: “E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t`i dyfishohet në Ditën e Kijametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë All-llahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. All-llahu është Falës e Mëshirëplotë.”[7]
7. Ai është shkak për çdo mirësi:
I Lartësuari ka thënë: “Nëse ju pendoheni, është më mirë për ju.”[8] Po ashtu ka thënë:“Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta.”[9]
8. Ai është shkak për iman (besim) dhe shpërblim madhështor:
I Lartësuari ka thënë: “Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek All-llahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për All-llahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. All-llahu do t`u japë shpërblim të madh besimtarëve.”[10]
9. Ai është shkak për zbritjen e begative dhe shtimin e forcës:
I Lartësuari ka thënë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t`ju sjellë shi të begatshëm dhe do t`ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!”[11]
10. Ai është shkak që melekët (engjëjt) të bëjnë du`a (lutje) për të penduarit:
I Lartësuari ka thënë: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues.”[12]
11. Ai paraqet bindje ndaj dëshirës së All-llahut të Madhërishëm:
I Lartësuari ka thënë: ”All-llahu dëshiron që t`jua pranojë pëndimet tuaja.”[13] Pra, i penduari vepron çka do dhe është i kënaqur Ai.
12. Vërtet All-llahu gëzohet për pendimin e robit:
I Dërguari, sal-lAll-llahu `alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Vërtet All-llahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Tij kur ai pendohet, sesa ndonjëri prej jush të kishte qenë në një shkretëtirë të madhe me devenë e tij, e ajo papritmas humbet; e mbi të ka pasur të ngarkuar ushqimin dhe pijen e tij. (Pasi e kërkoi) I humbë shpresat se mund ta gjejë, shkon dhe shtrihet nën hijen e një peme. Duke pushuar, papritmas sheh devenë që është kthyer pranë tij. E kapë atë për kapistrin e saj dhe nga gëzimi i tepërt thotë: O All-llahu im, Ti je robi im, kurse unë jam zoti Yt; gaboi nga gëzimi i tepërt.”[14]
Marrë nga: www.saaid.net
E pas gjithë kësaj s`po pendohesh tek All-llahu i Madhërishëm?!
Përktheu: Burim Koçinaj – 07.12.2011
Burimi: http://www.islamifejaevertete.com
——————————
[1] Surja el-Bekare: 222.
[2] Surja en-Nur: 31.
[3] Surja esh-Shura: 25.
[4] Surja el-Furkan: 71.
[5] Surja Merjem: 59, 60.
[6] Surja el-A`raf: 153.
[7] Surja el-Furkan: 68-70.
[8] Surja et-Teube: 3.
[9] Surja et-Teube: 74.
[10] Surja en-Nisa: 146.
[11] Surja Hud: 52.
[12] Surja el-Gafir: 7.
[13] Surja en-Nisa: 27.
[14] Shënon Muslimi.