BallinaARTIKUJHadith dhe SunetMos na harroni me lutjet tuaja apo më parësore që muslimani t'i...

Mos na harroni me lutjet tuaja apo më parësore që muslimani t’i drejtohet vetë Allahut me dua

Qënia e muslimanit që lutet për vëllain e tij musliman, ose për vëllezërit e tij, ose shokët dhe kolegët e tij, është gjë e mirë, el-hamdulilah. Kjo është prej mirësisë dhe bamirësisë. Allahu thotë: {..por bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit.}(El-Bekare 195).(Sheh bin Baz).

Allahu thotë për vëllezërit e Jusufit alejhi selam: {Ata thanë: O babai ynë, kërko falje për ne e për gabimet tona! Ne paskemi qenë vërtet gjynahqarë.}(Jusuf 97).
Te hadithi Uejs Bin Karn-it, i dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam i tha Umerit: “… nëse mundesh (t’i kërkosh) që të kërkojë falje për ty, bëje!” Umeri i shkoi Uejsit dhe i tha: Kërko falje për mua! (Sahih Muslimi)
Gjithashtu, nga Safuan bin Abdullah transmetohet: Shkova për të takuar ebu Derdanë në shtëpinë e tij dhe nuk e gjeta, por gjeta (gruan e tij) umu Derdanë, e cila e pyeti: Ke ndërmend të shkosh në haxh këtë vit? Safuani u përgjigj: Po.
Ajo tha: Lute Allahun për neve për hajrësi, sepse i dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam thotë: “Lutja që muslimani bën për vëllain e vet (musliman) në mosprezencën e tij, është (lutje) e pranuar. …”
Safuani thotë: Pastaj u largova dhe shkova në treg e atje takova ebu Derdanë. Edhe ai më tha të njëjtën gjë, të transmetuar nga profeti alejhi salatu ue selam. (Sahih Muslimi)
Gjithashtu, Umer bin Hatab thotë: i kërkova leje të dërguarit të Allahut alejhi salatu ue selam që të shkoja në umre. Ai më lejoi dhe më tha: “O vllai im, mos na harro me lutjet e tua!” Umeri thotë: Më tha një fjalë që nuk do doja ta këmbeja me të gjithë dynjanë.(Ebu Daud; sheh Albani e konsideron të dobët)
Imam Neveviu thotë: Kapitulli i pëlqyeshmërisë së duasë nga njerëzit me vlerë, edhe nëse ai që e kërkon është më i dalluar nga ai të cilit i kërkohet duaja. Duaja kërkohet në situatat e favorshme dhe dihet se hadithet në këtë temë, janë të shumta, kjo është çështje që ka unanimitet.(El-Edhkar).( Faqja Islami – pyetje përgjigje)
Megjithatë, është më parësore që muslimani t’i drejtohet vetë Allahut me dua, sikurse nuk është e pëlqyeshme që kërkimi i duasë nga të tjerët( të gjallë) të bëhet zakon dhe rutinë, aq më tepër për gjëra të parëndësishme. Nuk është e rregullt që besimtari ta bëj zakon që sa herë të ndahet në takim me besimtarin, t’i kërkojë vllait të vet të bëjë dua, por kjo të jetë në raste të veçanta dhe situata me vlerë dhe favorizuese. Gjithashtu, nuk është e pranueshme kur kihet frika se muslimanit i varet zemra te të tjerët me kërkimin e duasë prej tyre dhe nënvleftëson duatë e veta drejtuar Allahut.

Nga hoxhë Altin Plumbi

Allahu e di më mirë!

Must Read