BallinaARTIKUJKuran dhe TefsirMREKULLIA E PËRHERSHME KUR'ANORE DHE PAMUNDËSIA E RIVALIZIMIT TË SAJ

MREKULLIA E PËRHERSHME KUR’ANORE DHE PAMUNDËSIA E RIVALIZIMIT TË SAJ

MREKULLIA E PËRHERSHME KUR’ANORE
DHE PAMUNDËSIA E RIVALIZIMIT TË SAJ
Kjo është mrekullia më e madhe dhe paralajmërimi më i rëndësishëm i Kur’anit. Allahu i Lartësuar ia zbriti Kur’anin fisnik Muhammedit alejhis-selam, i cili ishte analfabet, që nuk dinte as shkrim-leximin e as që kishte njohuri për ndodhitë që kanë kaluar prej fillimit të krijimit të kësaj bote dhe për ato që do të ndodhin deri në ardhjen e çastit të fundit të Kijametit dhe pas tij. Andaj, Allahu i Lartësuar kërkoi prej arabëve, të cilët shumë mirë e dinin mrekullinë retorike të Kur’anit, të përpilonin diç të ngjashme me Kur’anin, pastaj kërkoi nga mbarë njerëzimi, po edhe sikur të bashkohen njerëzit e xhindet, të bëjnë një Kur’an sikur ky, apo vetëm një kaptinë sikur kaptinat e Kur’anit.
Allahu i Lartësuar kërkoi një gjë të tillë nga njerëzit e xhindet, sepse politeistët pretenduan se Kur’ani është vetëm poezi, magji apo!shpallje e xhindeve. Allahu i Lartësuar thotë: “A mos ata (pabesimtarët) thonë: ‘Ai (Muhammedi) e trilloi!’ Jo, por ata nuk besojnë. Le të sjellin një fjalim sikurse ai (Kur’ani) nëse ata janë sinqertë.” (Et-Tur: 33-34)
“Apo, ata thonë: “Ai (Muhammedi) trilloi atë (Kur’anin).” Thuaj (Muhammed): “Na paraqitni pra, dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç pretendoni ju) dhe thirrni këdo që të mundeni, përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë. E nëse ata nuk u përgjigjen juve, atëherë dine se ai (Kur’ani) u zbrit nga dija e Allahut dhe se nuk ka zot tjetër përveç Tij. Pra, a do të jeni ju muslimanë (të dorëzuar Atij)?” (Hud: 13-14)
“Nëse keni dyshim në atë që Ne ia zbritëm gradualisht robit tonë, atëherë sillni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë. E pasi që nuk e bëtë (deri tani) dhe nuk do ta bëni kurrë, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, e që është përgatitur për mosbesimtarët.” (El- Bekare: 23-24)
“Thuaju (Muhammed): “Edhe sikur të tubohen njerëzit e exhinet për të bërë një Kur’an si ky, nuk do të bëjnë një të tillë sado që do të ndihmonin njëri-tjetrin.” (El-Isra: 88)
Shiko pra, vëlla i dashur, se si Kur’ani thërret në dyluftim të gjithë njerëzimin që të krijojnë një Kur’an të tillë, por, edhe pse pati disa përpjekje nga disa arabë, të cilët njihnin poezinë dhe retorikën, prapëseprapë ato përpjekje ishin të kota dhe nuk meritojnë as të përmenden. Fshehtësia më e madhe në Kur’an është se ai përmban në vete retorikë të lartë, por edhe mrekulli kuptimore, reale, ligjore, rrëfimore etj. Pra, nuk u paraqit në historinë njerëzore, e as që do të paraqitet, ai i cili do të bëjë një Kur’an sikurse ky. Mohimi i paraqitjes së atij që do ta komprometojë Kur’anin, është argument
solid se ai është nga Allahu i Gjithëdijshëm. Orientalistja italiane dr. Lora Fishija Fagliri, në librin e saj Mbrojtja e Islamit thotë: “Mrekullia më e madhe e Islamit është Kur’ani, i cili erdhi deri te ne me transmetim të fortë e të pandërprerë. Në të ka lajme të sigurta që na bëjnë të mos dyshojmë në të. Shprehjet e tij janë plota dhe përmbledhëse, e megjithëkëtë ai ka formë të përshtatshme, nuk është më i gjatë sesa nevojitet e as më i shkurtë sesa duhet, ndërsa metoda e tij është thelbësore dhe e veçantë dhe nuk ekziston diçka e tillë në letërsinë arabe, që mbeti nga shekujt që i paraprinë atij. Citatet e tij janë të gjitha në një shkallë të lartë të retorikës, madje edhe kur shtjellon tema çfarë patjetër duhet të lënë ndikim në tingëllim, siç janë trashëgimi, ndalesat e të ngjashme me ato. Ai përsëritë rrëfimet e profetëve, fillimin e Gjithësisë dhe fundin e saj, cilësitë e Zotit dhe shpjegimin e tyre, por këtë përsëritje e bën në një mënyrë mahnitëse dhe kalon prej një teme në tjetrën pa humbur fuqinë e saj… Ne lexojmë në të, bashkë me shumë gjëra të tjera, lajmërime për disa ngjarje të ardhme dhe përshkrime të ngjarjeve që kanë ndodhur shumë shekuj më parë e që ishin të panjohura në përgjithësi; ai sinjalizon ligje të shumta natyrore dhe dituri të ndryshme fetare e të tjera. Ne në të shohim thesar të gjerë të njohurive çfarë nuk mund të bëjë askush, e për këto arsye (dhe të tjera) Kur’ani nuk mund të jetë krijim i një njeriu të paarsimuar, i cili kaloi jetën në një shoqëri të vetmuar e të largët nga dijetarët e fetarët, dhe i cili gjithmonë ngulte këmbë se është vetëm njeri sikur të tjerët. Ai me këtë përshkrim nuk mund t’i bënte këto mrekulli nëse nuk e ndihmonte Zoti i Gjithëfuqishëm…”

Burimi:
Libri: “SHENJAT E KIJAMETIT DHE l PARALAJMËRIMET PROFETIKE”
Autor: Hoxhë Osman Abazi (Allahu e past mëshiru)

Must Read