Mysafiri i çuditshëm…
Ende më kujtohet dita kur babai im takoi një të huaj/jabanxhi që kishte ardhur në qytetin tonë.
Në fillim, babai ishte i mahnitur me këtë të sapoardhur simpatik dhe së shpejti e ftoi atë për të bashkëjetuar me familjen tonë të vogël.
Gjatë fëmijërisë sime, asnjëherë nuk e kam kontestuar vendin e këtij jabanxhiu në familjen tonë.
Në mendjen time, çdo anëtarë e kishte vendin e tij të veçantë.
Jusufi 12 vjet, më i madh se unë ishte modeli im, Sara, motra ime e vogël e cila më dha rastin për të luajtur rolin e “vëllait të madh” dhe për të zhvilluar artin e ngacmimit.
Kurse prindërit e mi ishin edukatorë plotësues.
Nëna ime më mësoi të adhuroj Allahun (qoftë i madhëruar) kurse babai imë, mënyrën për t’iu bindur Atij. Ndërsa jabanxhiu, ai ishte rrëfyes ngjarjesh.
Ai, na rrëfente ngjarje të interesantë dhe të padëgjuara më parë.
Aventurat, misteret, komediat ishin bisedat tona të përditshme.
Ai e mbante tërë familjen tonë gojëhapur çdo natë.
Nëse doja të mësoja për politikë, histori apo shkencë, ai i dinte të gjitha.
Ai e dinte të kaluarën dhe dukej se e kuptonte të tashmë.
Vizatimet e tij ishin aq reale saqë më bënin të qajë apo të qeshi kur i shikoja ato.
Ai ishte miku i gjithë familjes. Ai na çoi (babain, Jusufin dhe mua) për të përcjellur “kupën botërore të futbollit”. Gjithmonë na nxiste për të shikuar filma, madje edhe na prezantonte disa njerëz të famshëm. Ishte një orator i palodhshëm. Babai nuk e vërente por shpeshherë nëna tërhiqej në heshtje ndërsa ne ishim në dalldi me njërën prej tregimeve të tij, dhe shkonte në dhomën e saj për të lexuar Kur’an.
Unë dyshoj se mos është lutur që ky mysafir të shkoj prej shtëpisë.
…s’ka faj ajo, sepse babai imë e udhëhiqte familjen e tij me disa principe morale.
Dhe ky jabanxhiu kurrë nuk është ndjerë i detyruar që t’i respektoj ato principe.
Për shembull blasfemia dhe fyerja na ishin të ndaluara në shtëpi dhe jashtë saj.
Por mysafiri ynë e kishte zakon që të përdorë një fjalor që m’i digjte veshët dhe e hidhëronte babin.
Babai im nuk pinte alkool e as nuk e ka lejuar përdorimin e tij në kuzhinë.
Kurse mysafiri na mësonte mënyra tjera të jetesës dhe në mënyrë indirekte na ftonte tek ato. E promovonte birrën dhe pirjet tjera alkoolike, dhe na thoshte se duhani dhe muzika janë “cool” apo ‘’fantastike’’.
Ai lirshëm, pa kurrfarë turpi, fliste për seksualitet, komentet e tij ishin të hapura, ndonjëherë indirekte dhe shumë të turpshme. Tani e di që pikëpamja ime e parë mbi raportet mes burrë-grua ishte e ndikuar prej këtij jabanxhiut.
Tani, kur mendoj mirë, besoj se, nga Mëshira e Allahut (i madhëruar qoftë), jabanxhiu nuk na ka ndikuar më shumë e më zi. Ai i kundërshtonte vlerat e prindërve të mi.
Rrallë e qortonim atë dhe asnjëherë nuk i kemi kërkuar që të shkon prej shtëpisë.
Pas më shumë se 30 vitesh më vonë, ky mysafir ende zhvendoset bashkë me anëtarët e ri të familjes sonë …
Ai nuk e intereson më babin po aq sikur në fillim. Por po të hyja në dhomën e prindërve të mi sot, do ta gjeja atë në një qosh, duke prit që dikush t’i dëgjon tregimet dhe pikëpamjet e tij si dhe t’i shikon vizatimet e tij.
A doni të dini se kush është ky mysafir ? Atë e quajmë televizor. … a nuk na bën kjo të meditojmë pak?
Përktheu nga frëngjishtja: Fitim Miftari, Preshevë.
Burimi: www.islamifejaevertete.com