BallinaPraktikaNamaziNamazi është dritë, por çfarë drite, në ç’kuptim?

Namazi është dritë, por çfarë drite, në ç’kuptim?

DRITA E NAMAZIT

Rëndësia e namazit nuk përmblidhet vetëm në faktin se është shtylla e dytë e fesë, por edhe për të mirat me të cilat disponon. Një nga këto të mira është përmendur edhe në një hadith, të cilin e transmeton Muslimi, e në të cilin qëndron: “وَالصَّلاةُ نُورٌ…namazi është dritë…”.
Pra, namazi qenka edhe dritë, por çfarë drite, në ç’kuptim?
Dijetarët myslimanë kanë përmendur disa kuptime, të cilat Imam Neveviu i ka përmbledhur në komentimin e librit Sahihu i Muslimit (3/82), e të cilat janë:
Dritë që ndriçon rrugën e veprimit në këtë botë. Namazi –thotë Imam Neveviu- e pengon njeriu nga mëkatet si dhe e ndalon nga punët e shëmtuara dhe të urryera. Udhëzon për në rrugën e drejtë dhe e bën të qartë atë ashtu siç drita e ndriçon rrugën. Kjo gjithsesi se është kështu pasi që vet Allahu i Madhëruar në Kur’an ka përshkruar efektin e namazit si pengues nga punët këqija.
Dritë në botën tjetër. Namazi e dallo besimtarin nga të tjerat në botën tjetër edhe me dritë. Është vërtetuar se pjesët e gjymtyrëve të trupit, me të cilat është marrë abdes, do të ndriçojnë në Ditën e Llogarisë, sikur që do të ndriçojnë edhe shenjat e sexhdes, andaj, krahas tyre, si mirësi, namazi do të bëjë edhe një dritë të veçantë. Allahu mos na privoftë prej saj!
Namazi është dritë që ndriçon dijen. Ai që fal namaz me sinqeritet, përveç tjerash, si mirësi, do të ketë edhe bekimin prej Allahut që të fitojë dituri të dobishme. Përulja dhe përgjërimi janë shenja të modestisë, për të cilat shpërblen Allahu, kështu, kur një rob i përulet Allahut dhe e lut në sexhde që Allahu t’i dhurojë dituri të dobishme, atëherë ai bekohet për të. Ka qenë traditë e dijetarëve të parë që diturinë ta kërkojnë nëpërmjet adhurimit. Ibni Tejmije duke rrëfyer për veten e tij thoshte se i ka ndodhë që të lexojë për një ajet njëqind komente pastaj ka shkuar në ndonjë xhami të braktisur dhe e ka vënë ballin në tokë – sexhdes duke e lutur Allahun që të mos e privojë prej kuptimit të saj.
Dritë në fytyrën e tij në këtë botë. Njeriu që falet dhe ai që nuk falet dallojnë dhe në pamjet e tyre. I pari, për shkak të lidhjes me Allahun dhe mbështetjes së vazhdueshme në Të, nuk vuan nga stresi, problemet e brendshme, depresioni, kështu që e sheh përherë të qetë, buzëqeshur, përderisa njeriu që nuk falet, nuk e posedon këtë kënaqësi shpirtërore, kështu që shenjat e qetësisë shpirtërore, rehatisë, lumturisë së vërtetë, nuk shihen në fytyrën e tij.
Allahu na bëftë prej atyre që falin namaz me përkushtim dhe dashuri!
Allahu na begatoftë me të mirat e namazit në këtë dhe botën tjetër!
Amin!

Burimi:
sedatislami.com
Hoxhë Sedat Islami

Must Read